5 punë që të lënë kohë për të shkuar në shkollë (JO call center)

Në fillim të semestrit merr orarin tek stenda e shkollës. Dy ditë më vonë, futesh online dhe gjen një tjetër orar. Një javë më vonë, në grupin e klasës është postuar një tjetër orar. Kur fillon të shkosh në leksione, kupton që leksioni i të martës është shtyrë të enjten dhe seminari dyorësh i 2:30 është lëvizur në 12:30 një orë dhe në 18:30 një orë tjetër. Gjithashtu, dy lëndë rastësore në javë anullohen pa lajmërim.

Si dreqin supozohet të punosh dhe të shkosh në shkollë me këto orare makabre? Thjesht fare, nuk mundesh. Detyrohesh t’i kërkosh mamit 200 lekëshin e ditës për të paguar autobusin dhe dy byrekë të mjerë.

Oraret e fakulteteve nuk presim të ndryshojmë tani afër. Do të kërkonim shumë nga sistemi. E vetmja gjë që mbetet, është të rregullojmë ne oraret tona dhe të gjejmë punë që na tolerojnë mungesat dhe vonesat. Nëse duam të diplomohemi në kohë ose thjesht të diplomohemi, gjithmonë.

Administrator i rrjeteve sociale, kujdes ndaj klientit

Një punë që të lejon lirshmëri oraresh pavarësisht impenjimeve akademike ose jo, është menaxhimi i rrjeteve sociale të një kompanie. Konsiston në krjimin e kontentit, fotografimin dhe postimin e produkteve a shërbimeve të firmës, kujdes ndaj klientit online e përgjegjësi të tjerë të kësaj natyre. Kryesisht nuk nevojitet prania në zyrë dhe paga është e mesatare. Një nga disavantazhet e kësaj pune është orari, që s’fillon dhe s’mbaron kurrë. Pra, je gjithmonë duke punuar, gjithmonë në Instagram, Facebook, duke folur me klientët.

PR

Të qenit PR do të thotë të reklamosh eventet, organizimet dhe mbrëmjet në një lokal a club specifik për të sjellë sa më shumë njerëz. Të shesësh një përvojë, si të thuash, që s’ka ndodhur ende. Konsiston në postime në rrjetet sociale personale të posterave të eventeve dhe prani fizike kur këto evente të jenë në zhvillim. PR shërben edhe mikpritës i njerëzve që ftoi duke i orientuar, ulur apo qerasur. Ka vende që i paguajnë PR me rrogë fikse, ka vende që i paguajnë në bazë të njerëzve që tërheqin.

Agjent shitjesh

E kemi fjalën për agjent shitjesh pronash të paluajtshme ose sekser që shërben si ndërmjetës mes shitësve të një prone dhe të interesuarve për atë pronë. Këta agjentë nuk punojnë me orare fikse, por në varësi të orareve që vendosin me blerësit potencialë. Agjenti luan rolin e guidës, tregon shtëpitë a apartamentet dhe i marketon në mënyrë të tillë që të jenë joshëse për blerësin. Ashtu si PR, mund të paguhen me rrogë fikse ose në bazë përqindjeje.

Kurse private

Siç e kemi shpjeguar në një artikull të mëparshëm, t’u japësh kurse private studentëve më të rinj është një mënyrë e lehtë për të fituar ca para më tepër. Në bazë të shërbimeve që ofroni, mund të kërkoni nga 500 deri në 1,000 lekë për orë.

Koordinator emisionesh

Koordinatorët e emisioneve televizive kujdesen që të ftuarit të vijnë në kohë, kujdesen për transportin e tyre, mbarëvajtjen e procesit, kujdesen për çdo gjë që mund të nevojitet në skenë a mund t’i nevojitet moderatorëve. Puna zgjat sa emisioni, ndoshta pak më shumë se aq. /Anabel/

SHKARKO APP