50 vjet karrierë në skenë, pianistja Hermira Gjoni

Ditën e Dielë në Nju Jork u zhvillua një mbrëmje e veçantë me rastin e 50 vjetorit të karrierës artistike të pianistes Hermira Gjoni. Ishin të pranishëm miq, kolegë dhe artistë të ftuar.

Gjatë darkës u shfaq një dokumentar rreth jetës dhe aktivitetit të Hermira Gjonit për gjysëm shekulli në skenë, të ftuarve ju shpërndanë CD me interpretimet e saj në piano si dhe libri “Jetë në tinguj” që bën fjalë për jetën e pianistes. Me një koncert të shkurtër këngëtarët e ftuar interpretuan muzikë vokale dhe këngë të njohura nën shoqërimin e tingujve të pianistes shqiptare që ka interpretuar në skenat e gjithë botës.

Surpriza e mbrëmjes ishin përshëndetjet e dhjetëra kolegëve artistë nga e gjithë bota që u shfaqën në dy ekrane të mëdha në sallën e këtij eventi. Kolegët shprehën konsideratën për punën dhe e uruan pianisten për këtë jubile të karrierës së saj.

Hermira Gjoni është pjesë e dinastisë artistike “Gjoni”, bashkëshorte e kompozitorit të mirënjohur Simon Gjoni dhe nëna e artistit Andis Gjoni, i njohur për sukseset në artin vizual dhe skenik me realizime të skenave dhe regjive të mjaft veprave në Shqipëri dhe SHBA.

Ajo lindi në Tiranë në një familje mirëfilli aristokrate dhe me tradita dhe që në fëmijëri ju dedikua studimit të pianos duke marrë mësime nga prof. Tonin Guraziu dhe më pas në Konservatorin e Muzikës në Tiranë nga prof. Cen Bi Gang. Ajo u diplomua në vitin 1963 dhe pati një karriere të gjatë koncertale si soliste dhe shoqëruese në piano e këngëtarëve më në zë shqiptarë.

Hermira Gjoni për aktivitetin e saj artistik është nderuar nga Kuvendi i Shqipërisë me urdhërin “Naim Frashëri” po ashtu nga Fondacioni Campania-USA me medalje nderi, me Proklamatë nderi nga Senati i shtetit të NY dhe me certifikatë nderi nga Kongresi Amerikan për arritjet e saj si artiste dhe për punen e saj në edukimin e brezave të pianistëve, akorduar nëpërmjet senatorit Elliot Engel; gjithashtu Hermira Gjoni është nderuar me çmimin e karrierës nga shoqata “Motrat Qiriaz” dhe çmimin “Zonjë e suksesit shqiptar në botë” nga organizata ‘Albanian Excellence’.

Por në këtë përvjetor ajo ka edhe një rekord të veçante, nuk ka marrë asnjë vlerësim nga shteti amë i saj për afto 50 vjet megjithë punën e jashtëzakonshme dhe koncertet në gjithë botën duke nderuar Shqipërinë. Ka punuar për 30 vjet në Teatrin e Operas dhe Baletit, dyfishin e të tjerëve se kishte biografi të keqe. Krenaria e diplomacisë shqiptare, gjyshi i saj Rauf Fico (një nga themeluesit e shtetit modern) i përmendej vazhdimisht në biografi se kishte qenë ministër i Zogut. Pronat ia mori komunizmi. E vunë t’i binte pianos në skenë prapa perdes se kishte biografi të keqe. I bënin mbledhje dhe fletërrufe përditë që ta zhduknin. E vunë në listën e personave që do pushkatoheshin në rast të pushtimit të Shqipërisë nga ndonjë forcë e huaj si njeri i njohur e me influencë. Në fund në 1990 me pa të drejtë ia morën titullin koncert-maester qe e kish mbajtur për 35 vjet për t’ia dhënë dikujt tjetër duke e detyruar të largohej përfundimisht nga Shqipëria.

SHKARKO APP