572 vjet nga Besëlidhja e Lezhës

Besëlidhja e Lezhës, e njohur edhe me emërtimet e tjera si Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës apo Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Princave Shqiptarë të vitit 1444, të cilët dëshironin të shkëputeshin nga lidhja me Perandorinë Osmane, krijuar me ndikimin ushtarak osman.

Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë dhe qëllimi i saj ishte bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën e krishtere ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, por edhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.

Ky Kuvend mbështetej edhe nga Papa, pasi me të do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan, që me vete sillte edhe fenë islame.

Princat që morën pjesë ishin Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), stërnip i Karol Topisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit; i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa prina të tjerë të Myzeqesë; Gj rgj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjerë në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernoviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

Kjo Besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e saj ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princat u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.

Besëlidhja e Lezhës ishte edhe një aleancë politike-ushtarake, e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi, duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes, armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do t’i paraqiteshin lidhjes, e cila me vendime në bazë të shumicës do t’i zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit, i cili ato sipas marrëveshjes do t’i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Për më shumë vite e shekuj, edhe sot ky kuvend merret si shembull i krijimit dhe mbajtjeve të kuvendeve me karakteristika shqiptare demokratike, në të cilat vendos shumica e pjesëmarrësve dhe udhëhiqen nga një i ri që respekton mendimet e pleqërisë shqiptare.

SHKARKO APP