60% e qytetarëve nuk dinë asnjë gjuhë të huaj
Ekziston perceptimi se shqiptarët njohin shumë gjuhë të huaja, por të dhënat e fundit i hedhin poshtë këto pretendime. Më shumë se gjysma e qytetarëve në vendin tonë nuk dinë asnjë gjuhë tjetër veç shqipes. E po kështu edhe numri i atyre që flasin më shumë se një gjuhë të huaj, apo siç njihen ndryshe, poliglotët, është gjithashtu shumë i ulët. Dionisa Rapushaj, 26-vjeçarja nga Mallakastra hyn tek ai përqindëshi i vogël i shqiptarëve që njohin disa gjuhë të huaja. ”Unë kam mbaruar Fakultetin e Shkencave Sociale dega psikologji, zotëroj katër gjuhë të huaja. Aktualisht jam në fazat e para të mësimit të një gjuhe të pestë. Flas gjuhën angleze, italiane, gjermane, spanjolle dhe po mësoj gjuhën frënge”.
Sipas një raporti të Eurostat në vitin 2019 thuajse 60% e shqiptarëve nuk dinë asnjë gjuhë huaj, një nga përqindjet më të larta në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar. Dhe vetëm 3.2% e popullsisë shqiptarë njohin 3 ose më shumë gjuhë të huaja, ku edhe për këtë kategori shënojnë ndër përqindjet më të ulëta në Evropë.
Dionisa na tregon se mësimi i gjuhëve të huaja nuk është i vështirë por gjithçka duhet është vetëm vullnet dhe disiplinë. ”Kam nisur me gjuhën diku angleze në moshën 10-vjeçare. Kam qenë në klasën e katërt, ka qënë kohë kur sapo kishin filluar kurset e gjuhëve të huaja. Kam shkuar tre apo katër muaj dhe pastaj më thotë babai: duke qenë se po ecën kaq mirë, pse nuk marrim libra në shtëpi edhe fjalorë dhe ta mësosh gjuhën në mënyrë të pavarur. Pastaj duke parë në televizor më dukej sikur kuptoja shumë mirë italisht dhe thashë se ”do ishte shumë e lehtë”, por kur e nisa më pas me gramatikë dhe me libra nuk rezultoi kaq e lehtë. Gjuhën spanjolle kam pas të lehtë sepse ka ngjashmëri më italishten”.
Sipas Dionisës mësimi i gjuhëve të huaja është gjithmonë një investim i vlefshëm. ”Në themi shpesh herë që diplomat e gjuhës së huaj blihen, por unë e bëj më dëshirë dhe pres që të më sjellë fryte një ditë”. E për të gjithë ata që e shohin të pamundur mësimin e disa gjuhëve të huaja, Dionisa ka disa këshilla. ”Sot e para gjë është të motivoni veten, kryesorja është të vrasësh veshin me gjuhën. Fëmijët e vegjël nuk e kuptojnë rëndësinë gjuhëve të huaj, por fëmijët duhen inkurajuar nga prindërit. Nëse nis gjuhën në moshë të vogël e mëson më kollaj, përqendrohesh më shumë, por thelbi është disiplina”.