80 vjet më parë lindi Skënder Sallaku
Nga Pëllumb Kulla
Këto ditë, dhe saktësisht më 25 janar 2015, artisti i shquar Skënder Sallaku do të mbushte 80 vjet. Vitin e tetëdhjetë ai vetëm sapo e nisi. Më 11 shkurt të vitit që kaloi ai u nda nga ne dhe u përcoll me nderime. Por jo me aq nderime sa e imagjinoja për shkak të vlerësimit tim subjektiv. Dhe mbase unë individualisht nuk përbëja dot një shtytje që ky artist i veçantë që u rrit dhe u imponua në një kohë të zymtë diktatoriale si rrallë kush të vlerësohej më saktë. Arsyet janë të ndryshme dhe dasitë e ndyra politike edhe në çështje, për të cilat nuk duhej të ekzistonin, e la të pjesëshëm nderimin.
Për të ndrequr disi këtë vlerësim gjysmak, nja dy muaj mbas vdekjes me disa kolegë, menduam që 80 vjetorin e Sallakut, ta shndërrojmë një memorial por edhe një odë triumfale të artit të të qeshurës, gjë që do të vinte në një dritë edhe më të mirë aktorë si Tano Banushi, Leka Kruta, Aleko Prodani që na kanë lënë, por edhe artistë që për fatin tonë jetojnë shëndetplotë, si Luftar Paja, Koço Devole, Zef Deda dhe të tjerë që përbëjnë një listë të gjatë. Përgatitëm edhe një platformë, për një ditë të plotë, atë të 25 janarit që po vjen, kushtuar Sallakut, që nga kumtesat akademike të këtij fenomeni të rrallë të dalë nga rreshtat e kohës, ashtu edhe një repertor për një shfaqje në një nga sallat më prestigjioze të kryeqytetit. Do të propozonim edhe titullin Nderi i Kombit dhe do të tërhiqnim në këtë manifestim edhe ministrinë tonë të plogësht të Kulturës.
Morëm premtimet e para mbështetëse, por ky projekt u sabotua, edhe nga brenda grupit nismëtar dhe me shumë gjasa (uroj të gabohem!) përsëri kremtimi dhe nderimet do t’i përvetësojë Bashkia e Tiranës dhe krahu demokrat, si për t’u na kujtuar atributet që u japin vetes, që nëse pat antikomunizëm të fshehur gjatë diktaturës, janë merita të demokratëve, të Berishës me shokë.
Ky veçim me shumë gjasa shkaktoi dhe përjashtimin tim nga kjo ndërmarrje e bukur dhe frymëzuese.
Por në djall modestia! Për vlerësimin e Sallakut unë kam merita sa të gjithë përvetësuesit e kremtimit bashkë. Veç bashkëpunimit në kuadrin e Koncerteve të Viteve të Rinj, telefilmave të shkurtër dhe repertorit ushqyes të tij, para pesëmbëdhjetë vjetësh për Sallakun unë kam shkruar njërin nga librat e mi më të mirë me titull "Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë"
E duke pasur librin në duart e mia, unë do t’i bëj artistit me vlera të papërsëritshme një homazh personal, treditor, duke ju dhënë juve, copëza të këtij libri që shpresoj t’ju pëlqejnë.
E mbi të gjitha shpresoj të vlerësoni vetitë e shumta brilante, meentalitetin diversiv dhe aftësitë e rralla fizike.
Teksa unë I mbyll këto parashënime me urimin që kujtimi i Sallakut të madh, të mbetet i pashur në breza!