8000 si statistikë, 8 vrasje si gjëmë!

Nga Arian Galdini

Rituali i gushtit mbërriti edhe sivjet. Pothuajse çdo muaj gusht të së paku disa prej viteve të fundit, na është bërë si i paevitueshëm ky përjetimi i krimeve makabër që ngërthejnë të gjithë shoqërinë.

Diku, dikush, bën një gjëmë dhe ne të gjithë ngarendim nëpër tastierat e kompjuterave apo telefonëve celularë si brenda një kafazi të madh virtual për tu hakërryer nga brenda “hekurave” që na mbajnë brenda.

Sepse sikur të mos ishin ato “hekurat” që na burgosin përballë ekraneve të ndezura, të gjithë do kishim shkuar vrik drejt Fajtorit Mizor që ta fërgonim të gjallë në nxehtësinë e zemëratës sonë kolektive.

Pastaj vjen edhe ajo pjesa tjetër e zemëratës që çdo ditë e për çdo gjë përpiqet të bëjë edhe detyrën politike.

E mira e gafurrjes nga kafazi virtual, nga facebooku, është se mund ti bësh të gjitha punët me shumë pak kosto e madje duke marrë rreze dielli e duke parë trupa lakuriq përreth, ose duke rrëkëllyer edhe ndonjë birrë të freskët a duke shijuar ca karpacio të freskëta të përgatitura për merak.
Me celular në dorë, ngulitesh tek ekrani i ndezur, përqendrohesh aty për tu shkëputur nga qejfi përreth dhe zhytesh me gjithë fuqinë tënde në terrin e zemëratës së munguar gjatë gjithë kohës kur nuk je me pushime.

E ia nis të rrahësh tastierën a thua se çdo gërmë është një brengë e vitit mbi të cilën ti ngulçon.

Kështu të gjithë ne lëshojmë statuset tona si Bisha të Tërbuara, si ai boksieri Pat Glendon i Xhek Londonit, e që të gjithë së bashku dërrmojmë brenda kafazit virtual, brenda facebookut, me grushtat tanë të zemëratës çdo Fajtor Mizor që na ka behur në gushtin e rradhës, mu në mes të pushimeve.

Nga facebooku, mund edhe të shkruajmë statuse për veten e ndërgjegjen tonë, por edhe statuse politike që partia apo thjesht shokët tanë të partisë me të cilët ndërtojmë edhe hierarkinë tonë sociale, ta vlerësojnë përkushtimin tonë edhe në ditë pushimesh.

Jo për gjë, por ia vlen që ta bësh edhe qytetarin e zemëruar kundër një makabriteti sepse dukesh human, ama duhet patjetër që zemëratës ti japësh edhe orientim politik, sepse kështu je edhe limfë partie.

Pastaj historia harroet, pushimet mbarojnë, e ne gjatë vitit e kemi zemëratën me pikatore.

Ndoshta ndaj edhe kemi kaq shume nevoje për këto shfryrjet ciklike kolektive.

Tani të vijmë tek ky rasti i Selenicës.

As që më shkon ndërmend që të provoj të gjej ndonjë mënyrë më elokuente sesa e gjithë kjo zemëratë dhe dhimbje e të gjithëve që është parë e lexuar në këto orë qyshse ka dalë lajmi.

8 jetë njerëzore janë shuar dhe kjo mjafton për të ulur në gjysmështizë të gjithë flamujt tanë shpirtërorë e mendorë.

Të tilla krime, të lënë pafrymë e të pushtojnë në çdo qelizë të qenies.

Ankthi dhe makthi i madh që të shkaktohet e bëjnë legjitime çdo ndjesi revolte.

Ama, pafuqia jonë për të mbrojtur viktimat apo potencialisht edhe veten tonë nga rreziku që ndihet kaq këlthitës e pranë nesh në të tilla raste, nuk na justifikon dot për apatinë tonë në gjithë ditët e tjera të vitit.

Ku jemi ne kur çdo ditë lexojmë lajme për ushqime skandalozisht dhe marrëzisht të pasigurta?

Po bisedoja me një mikun tim në Ulqin pak ditë më parë dhe mbeta i shtangur kur ai më tha se kanë filluar të shtohen rastet me kancer edhe andejkufirit qyshse kanë filluar të tregëtohen në Mal të Zi produkte ushqimore nga Shqipëria.

Besomë, më tha, në Mal të Zi ka shumë korrupsion e mafia, madje ndoshta më shumë sesa në Shqipëri, por askush, kurrë, nuk guxon të cënojë sigurinë ushqimore.

Si për të ma turbulluat edhe më tepër ndërgjegjen, sapo u ktheva në Tiranë, dëgjoj në TV lajmin se në Shqipëri, rastet me kancer e tumore kanë shkuar deri në 7000 në vit, e me këtë progresion rritjeje shumë shpejt do jenë 8000 në vit e deri në shifra katastrofike.

Shkaktarët kryesorë nuk janë më as duhani, as ambjentet e punës, por siguria ushqimore dhe ndotja e ambjentit.

Besoj, se këtu kam edhe një ngacmim të fortë personal pasi për shkak të betejës që unë zhvillova në vitin 2015 kundër mizorisë së sistemit tonë shëndetësor dhe mafias farmaceutike, pata rastin të njoh e mësoj shumë sende e fakte që më parë nuk i dija.

Rasti i familjarit tim që u shua jo vetëm nga kanceri por edhe nga makutëria e politikanëve të korruptuar dhe e mafias farmaceutike, me hapi Portat e disa të vërtetave ulëritëse, për të cilat nuk kam ndërmend të hesht përsa të kem frymë.

3 janë të vërtetat që sipas meje janë emergjencë mbi emergjencat për shoqërinë dhe kombin tonë.

1. Ne ushqehemi me krim.
2. Ne strehoemi në krim.
3. Ne kurohemi me krim.

Cili është krimi?

Krimi është babëzia, makutëria, ligësia, çnjerëzia e atyre që pasurohen duke sjellë, tregëtuar apo prodhuar ushqime të skaduara, të manipuluara, të shiringuara me hormone, të dendura me kimikate. Është krim mbi krimet sepse potencialisht çdo tregëtar apo prodhues produktesh ushqimore të tilla është një vrasës. Dhe përderisa shesin apo prodhojnë të tilla produkte ushqimore për tu pasuruar apo për të mbijetuar, kjo i bën vrasës me ndërgjegje. Edhe politikanët dhe institucionet që marin rryshfete a përfitime korruptive e pasurohen kriminalisht nga kjo lloj tregëtie apo prodhimesh ushqimore, janë vrasës me ndërgjegje.

Si mund të lejojmë të vazhdohet kështu?

Si mund ti quajmë tregëtarë a sipërmarrës të ndershëm këta batakçinj e vrasës me ndërgjegje që sjellin e tregëtojnë për fëmijët tanë dhe për ne ushqime të skaduara, të cilësisë më të ulët, të manipuluara, e kështu me radhë?

Po këta fermerët tanë që kanë bërë fitimin arsye madhore e nuk po lënë mish po hormonizuar dhe prodhim bujqësuar pa shiringëzuar e pa kimikatizuar, çfarë ti quajmë përveçse vrasës me ndërgjegje?

Po këta tregëtarët e miellit dhe furrëtarët që me grurë e miell kuajsh nga Serbia, na bëjnë bukën e përditshme duke na vrarë nga pak çdo ditë, çfarë ti quajmë?

Po ndërtuesit që me hekur radioaktiv nga Ukraina na kanë ndërtuar gjysmën e Shqipërisë, çfarë ti quajmë?

Po këta barbarët e farmaceutikës që na shesin kinse ilaçe gjenerike por që e kanë mbushur tregun me ilaçe të skaduara apo tê falcifikuara që veç shërim nuk na japin, çfarë ti quajmë?

7000 raste me kancer në vit, janë statistika naziste eksterminimi kombëtar.

Ju quajeni si të doni, por po nuk reaguam sot, po nuk e përdorëm Pat Glendonin tonë publik sot, për ta ndalur këtë krim kundër njerëzimit, vitin tjetër, kur të bëhen 8000 të tjerê të prekur nga kanceri, mos u ankoni më.

Thjesht prisni gushtin që vjen për ta shfryrë bishën tonë publike ndaj ndonjë Fajtori Mizor qê do të bëjë makabritetin e rradhës.

Kombi duhet të ngrihet në këmbë për Sigurinë Ushqimore.

Nuk ka emergjencë më të lartë.

Sepse ata 7000 që na u prekën gjatë këtij viti nga kanceri janë maja e ajsbergut…

Ne nuk dimë e nuk masim dot krimin që po ndodh ngadalë në trupat tanë e në brezat që po vijnê, prej ushqimeve qê po hamë çdo ditë….

SHKARKO APP