A do të mbarohen ndonjëherë të varfërit e këtij vendi?

Nga Gëzim Hoxha

A do të mbarohen ndonjëherë të varfërit e këtij vendi? Vallë a do mbarohen? Këto pyetje rrinë si çekiç në mendjen e çdokujt që ka akoma sado pak shpirt në këtë vend. Dhe mendja më shkon tek familja Bilali në Pezë e cila kërkon ndihmë. Në Pezë thatë? Mos thatë gjë në Pezë? Po Peza të dashurit e mi është tashmë një prej qendrave administrative të Tiranës. Apo e harruat? E nëse Peza është pak larg syve të atyre që diç kanë në dorë, Stopi solli rastin e një plaku të braktisur mu tek 21 – shi. Dhe ky rast doli fare rastësisht vetëm e vetëm falë komshisë, e cila ankohet se i qenë rënuar muret dhe tavani nga pakujdesia e tij. E pra kur këto probleme nuk mund të marrin zgjidhje si do i vejë filli i asaj familjes në Fier për të cilën shkruante portali Fieri.com? Po familjes në Mokër e cila jetonte si mos më keq? Zgjidhja është gjetur. Bëjmë apel tek Stopi dhe Fundjava Ndryshe do na ndihmojë me patjetër.  Jo për ndonjë gjë, po se mos kanë gjë tjetër për të bërë ata.

Dhe si për t’i bërë karshillëk kësaj zymtësie që ta ngushton zemrën e ta copëton shpirtin, mendja kapet dhe kërkon të arratiset tek ata 5 mln turistë që vizituan Shqipërinë këtë vit dhe tek ata që priten të vijnë në muajt e ngelur të këtij viti. Shifra është bombastike dhe edhe sikur nga 1$ të ketë shpenzuar secili përsëri 5 mln $ është goxha shumë e madhe. Por vetëm një pyetje mjafton që ta zbythë euforinë e këtij fakti. Ku shkuan gjithë këto pará? Po, ku shkuan?

Më së fundi shteti e zbuloi minierën e arit. Industria e turizmit nga viti në vit po bëhet gjithmonë e më potente dhe rezultatet e saj po shikohen. Në të gjithë vendin shohim që të zbatohen projekte të ndryshme për rregullimin dhe sistemimin e territoreve të tëra urbane. Rrugë e trotuare të shtruara, fasada pallatesh të lyera, shatërvane të rinj, lulishte e parqe, pemë të mbjella, dhe më tej edhe autostrada e përsëri rrugë dhe ura, më pak shkolla, kopshte e çerdhe e ca më pak akoma terrene sportive dhe ambiente për argëtimin e fëmijëve apo të moshuarve. Për të qenë të drejtë deri në fund duhet të përmendin edhe indeksimin e pagave apo të pensioneve që çdo qeveri e bën vit për vit për të mbrojtur fuqinë blerëse të shtetasve. Duhet përemendur edhe rritjen e planifikuar të shpërblimeve për lindjen e fëmijëve që nga 1 Janari i vitit që vjen.

Si ekonomist më duhet të them se të gjitha këto janë në përputhje me teorinë ekonomike që pedagogët iu mësojnë në fakultet çdo studenti. E megjithatë, ka diçka që nuk shkon apo jo? Vetë fakti i atyre familjeve për të cilat fola më lart, tregon shumë e më shumë se propaganda e zhurmshme që dëgjojmë rëndom çdo ditë nëpër lajme. Shteti po bën vetëm gjsmën e punës. Ai është kthyer thjesht në një taksidar të zot. Për pjesën tjetër as që bëhet fjalë. Shpërndarjen e të ardhurave nuk po e bën dhe as që ka për ta bërë ndonjëherë. Sepse po të donte, e kish bërë.

Edhe pse niveli i vjeljes së taksave është rritur përsëri ai ngelet i ulët në krahasim me vendet e rajonit e jo më t’i krahasosh me ato të vendeve perëndimore. E përsëri ato pará që mblidhen iu gjendet vendi sa hap e mbyll sytë. Betoni është gëlltitësi më i madh i tyre dhe të pasurit bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfërit bëhen gjithmonë edhe më të varfër. Pavarësisht se vendit i duhen këto gjëra për t’iu siguruar kushte më të mira turistëve, përsëri gjendja ngelet aty ku ishte edhe para se të majtët të vinin në pushtet në mos është bërë më keq.

Ka edhe një pyetje tjetër që duhet të shtrohet për diskutim dhe pse jo edhe të zgjidhet. Mos vallë ne si vend kemi adaptuar variantin më të egër të mundshëm të kapitalizmit? Moa vallë na duhet të ndryshojmë modelin ekonomik? E vërtetë që shpenzimi i të ardhurave për rritje pagash e pensionesh është më i paqëndrueshmi në të gjitha variantet e mudshme të shpenzimit të tyre. Po përsëri rritja e nivelit të jetesës është një kusht i panegociushëm për antarësimin e Shqipërisë në BE. Gjithçka duket si një qark i mbyllur e ngado që të nisesh përfundon në një pikë të vetme lufta kundër varfërisë dhe liria, jo ajo për të cilën flasin të gjithë, jo. Ajo është një tjetër lirie. Liri që të mbush barkun e të zgjeron horizontet e mendjes, ajo është liria ekonomike. Lirinë ekonomike e lakmojnë të gjithë por deri më tani shumë pak veta e kanë arritur në këtë vend. Prandaj ajo është kthyer në monopol vetëm për një grusht njerëzish, prandaj lakmohet deri në pambarim edhe pushteti. Prandaj edhe nuk flitet për të, prandaj edhe na ka ngelur ora tek liria e votës, tek shitblerja e saj e të tjera e të tjera si këto.

Dhe nga ana tjetër kemi të varfërit. Po kemi ca njerëz që kanë ngelur ashtu dhe ndoshta edhe do të vdesin të varfër, vetëm e vetëm se janë dembelë, nuk e duan punën, nuk janë të shkathët, nuk kanë iniciativë, nuk e kanë qejf tregtinë, nuk bëhen dot sipërmarrës. Ja ku na dolën dhe shumë pyetje të tjera. E pse u dashka të jeshë medoemos i shkathët dhe i gojës? Pse u dashka medoemos që të kesh një shpirt prej sipërmarrësi që të jetosh e të mbushësh të paktën barkun me bukë?  Pse u dashka që të kesh një mbështetje që të jesh i lirë? Pse?

Ne jetokemi në një vend ku ai që nuk është i shkathët duhet të vdesë. Po duhet të vdesë urie, e të rrojë në mjerim. Dhe vargut të Migjenit: “Kafshatë që s’kapërdihet asht o vlla mjerimi…” nuk i paska ikur koha. Jo, atë e gjen tek dëshirat e një fëmije tre vjeçar, i cili kërkon vetëm që të mbushë barkun, të mos ketë të ftohtë kur fle dhe të mos i futet shiu në shtëpi nga dritarja. Dhe ai duhet të presë shpirtmirët e këtij vendi të dhurojnë diçka nga vetja, po duhet të presë. Dhe e gjitha kjo a e dini pse? Ndoshta e dëgjuat. I ati i këtij djali nuk është i shkathët, nuk është i zoti dhe nuk e ka një punë stabël. Po dhe sikur ta kishte, vallë me të ardhurat që do i sillte shtëpisë a do të mund të ndërtonte dot një shtëpi të re e të ngrohtë për djalin e tij të vogël?

A për pak harrova! Të premten na u tha se rritja ekonomike edhe për këtë vit do të jetë pozitive. Po sa do i hyj në punë kjo shifër atyre familjeve në nevojë? Kjo asnjëherë nuk dihet. Por përtej broçkullave që thuhen nëpër libra ekonomie ekzistojnë fate të tëra familjesh që janë të destinuara të rrojnë në mjerim në jetë të jetëve vetëm e vetëm se nuk mund të kapen pas asgjëje. Shteti duhet të vërë dorë dhe ta ndërrojë fytyrën e tij, nga i egër dhe mospërfillës në social. Duhet bërë  medoemos futja e disa amortizatorëve social në ekonomi, sidomos tani kur pretendohet që shteti po forcohet dhe po ecën me këmbët e veta. Pikë së pari duhet të ndryshojë perceptimi që shteti ka në popull. E keni dëgjuar atë shprehjen që qarkullon tek njerëzit e thjeshtë? Shteti me një dorë t’i jep e me tjetrën t’i merr. E pra nuk duhet të jetë kështu duhet të jetë e kundërta. Duhet të jetë ndryshe: Shteti me njërën dorë t’i merr e me tjetrën t’i jep.

Kjo tingëllon si një lojë fjalësh, por kjo lojë ka brenda dy filozofi të ndryshme qeverisjeje. E para e paraqet shtetin thjesht si një taksidar, ndërsa e dyta e paraqet shtetin si një kujdestar në të gjithë kuptimin e fjalës. Dhe është e natyrshme shteti nuk është lopë që vetëm milet e milet, edhe lopë sikur të ish duhet të hante diçka që të jepte qumësht. Me fjalë të tjera duhet që t’ia marrësh dikujt e japësh dikujt tjetër (atij që nuk ka).

Dhe sado që të rrekesh përsëri kthehesh tek pyetja me të cilën u nis edhe ky shkrim: A do të mbarohen ndonjëherë të varfërit e këtij vendi?

SHKARKO APP