A duhet kritikuar Bob Dylan?

Nga Ilir Muharremi/     Në mediat tona u kritikua Bob Dylan-i se gjoja nuk është i talentuar për çmimin Nobel. Të renditet tek emrat e mëdhenj si: Hemingëay, Camus, Marquez, Neruda, Beckett, Satre, Eliot… Shtrohet pyetja, nga kush u kritikua? Nga të patalentuarit, injorantët, njerëzit që asnjëherë nuk e kanë dëgjuar muzikën e tij (kanë dëgjuar nëpër Oda muzikë me sharkia që kurrsesi veshi nuk mund të kap tekstin.) Dylan-i është i pakapshëm për dhentë (shkrimtarët tonë), është e vështirë të kuptohet poezia me muzikën në Kosovë. Digjesh në mendimet e tua, dhe shpesh këta “shkrimtarë” përpiqen të marrin edhe frymën e të tjerëve. Atëherë, unë preferoj ikje në ajër të pastër, sepse largohem nga letërsia e tyre e plurosur. Shpesh shtiren të mençur dhe mençuria e tyre gjithnjë ka mbetur rajonale ose rurale. Për Dylan-in thonë se është tekstshkrues e nuk është shkrimtar, është poet me poezi të shkurtra në masë të duhur. Nuk është sikur disa poetë tonë e rajonal që më shkurtësi të tepruar e bajatësojnë poezinë. Poezia e shkurtër mund të jetë brilante, por kurrsesi nuk prodhon efekt të thellë e të qëndrueshëm.

     Si mundën të brohoritin shkrimtarët e odave, sharkive dhe çajit kundër poezisë dhe muzikës. E dini se si ecën mençuria e tyre? Me këmbë të shtrembra sikur ato të merimangës. Dinë të luajnë me vargjet e tyre që kanë zare fallco dhe për ta një prurje e re është e huaj, virtytet nuk honepsin më shumë sesa hipokrizinë dhe zaret fallco. Shkrimtari i madh edhe nëse rron në mesin e tyre, ai gjithnjë është mbi ta dhe nëse shkel mbi kokat e tyre, ata vënë dërrasa. Shkrimtarët s’janë të barabartë, kështu thonë çmimet e mëdha. Dylan-i qe në garë me Kadarenë, por ai rrotullon botën rreth shpikësve të zhurmave të reja, kurse Nobeli kërkon rrotullimin rreth shpikësve të vlerave të reja, apo prurjeve të pa dëgjuara, pikërisht kështu ndodhi me poezinë dhe muzikën e Dylan-it. Duhet të ju thuhet shkrimtarëve shqiptar se çmimi Nobel nuk konceptohet në bazë të asaj çka i pëlqen publikut, por ndërthurë “idealen” rreth të veçantës dhe prurjes së re. Dylan-i e fitoj çmimin me këtë argument: krijimi i frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane.

      Jetojmë në një botë të politizuar/ Ku mëshira qorrazi rrugëton./ Si duket botës i erdhi fundi, gjithçka robërohet nën flamurin e lirisë, njeriu po masakron nga dëshira dhe shija e mbinjerëzores dhe pushtetit, ngadalë po errësohet gjykimi. Mëshira, pafajësia këtu pengohet, në një farë forme, të dyja kur veprojnë bëhen vrastare, sepse njeriu vepron vetëm në çastin e vet. Njeriu nuk do dijë asgjë derisa të dijë a ka të drejtë tjetrin ta vras ose të pajtohet që ai të vritet. Çdo aksion qoftë i drejtpërdrejt shpie tek politika dhe vrasja, mëshira është anemike. Jeta pasqyrohet, e vdekja zhduket: Larg shtigjeve të bregut më të afërm/ Jetojmë në një botë të politizuar/ Ku trimëria është diç e harruar/ Shtëpitë janë plot ankth, fëmijët janë të padëshiruar/ Dita e nesërme mund të jetë e mbrama./ Pra, është kohë e mohimit, e vrasjes, e ankthit, vetëvrasjes, dhe gjithçka vërtitet ka arsyeja e vrasjes, nëse kthejmë kokën anash nuk kemi gjetur rrugëdalje, sido që të jetë duhet t’i përgjigjemi pyetjes që na është paraqitur nga gjaku dhe britma e këtij shekulli. Gjithnjë flitet për ne (njerëzit). Dylan-i mashtron, poashtu edhe njeriu, krejt bota bashkë me Zotin, madje edhe unë, meqë vdesim. Vrasësit e stolisur futen në qelitë dhe shkatërrojnë: Këtë që mund ta shohim e mund ta ndiejmë/ Por s’ka kush ta kontrollojë/ e gjitha është stivë e pispillosur/ E dimë mirëfilli se kjo është e përnjëmendtë./ Tashmë nuk besohet më në asgjë, nuk ka kuptim, nuk mund të afirmojmë asnjë vlerë, ose e kundërta, krejt është e mundur asgjë më s’ka rëndësi. Tash s’ka më as për as kundër, vrasësi as nuk e ka gabim e as nuk e ka të drejtë. Prapë mund të ndizen krematoriumet: Jetojmë në një botë të politizuar/ Nën mbikëqyrje mikroskopi/ Mund të udhëtosh dhe të vetëvaresh kudo/ Gjithmonë do të kesh më shumë litar seç e do./ Po vajtohet në mënyrë të harmonishme, hapësirë ka për të gjithë të vetëvrarët, porse a qëndron këtu arsyeja dhe shpëtimi? Jetën njerëzore ky artist e paraqet si punë basti. Synohet drejt një veprimi të paarsyeshëm, p.sh në dy vargjet e fundit në mungesë të vlerës superiore shkohet drejt dobësisë së menjëhershme: Jetojmë në një botë të politizuar /Duke u sorollatur e rrahur /Porsa të mëkëmbesh do jesh i stërvitur. Ngado që kthehemi, prapë duhet të jemi të përgatitur, efikas dhe të fortë dhe bota kërkohet të ndahet jo më në të drejtë e të padrejtë, por në zotërues.

     Ngado që kthehemi vrasja dhe politika zënë vendin e tyre. Siç shihet gjithmonë është e mundur të vritet: Jetojmë në një botë të politizuar /Ku paqja fare s’është e mirëseardhur/  Ia kanë mbyllur të gjitha dyert/ Ose e kanë e mbështetur pas muri./ Sigurisht, por qëllimi është të bëhet indiferent politika, e padrejta dhe vrasja.  A mund ta gjej logjika shprehjen e vet këtu? Logjika nuk mund të gjej shprehjen e vet sepse analiza e bënë indiferent aktin e vrasjes këtu dhe në fund gjithmonë e dënon atë. Në fund Dylan-i e përfundon: Jetojmë në një botë të politizuar /Gjithçka është e saj apo e tij/ Përmbaju bindjeve tuaja dhe kij besim në Zot /Por kurrë s’do të jesh i sigurt se ç’po ndodh./ Atëherë, Zoti qeshet me premtimet e tua, por ki mbështetje në veten tënde. Në njërën anë i kthehet vetes, në anën tjetër i dorëzohet Zotit. Mendim i nisur mbrapshtë. Gjithçka i takon njeriut, por edhe Zoti kërkimtar i brendësisë jo i frikës së jashtme siç e cilëson Dylan-i.

    Dylan-i lirisht mund të konsiderohet Homer i kohës moderne, postmoderne, dhe pas dy mijë vjetëve, vargu i tij do të jetë ende më i fuqishëm. Është revolucionar ndonëse si Homeri sepse arkeologjikisht kundër fantazisë poetike, pasqyronë të vërtetat historike që kanë ndodhur, ndodhin dhe vazhdojnë në tërë SHBA-të dhe globin. Kohërat ndryshojnë edhe pas 5000 vjetëve do të kënaqemi sikur tash me Homerin, poashtu edhe me Dylan-in. Homeri dhe Dylani janë të pavdekshëm, aktual dhe ky i fundit dëshmon me këto vargje: Por ti e di se atje thjesht të kanë shfrytëzuar/Kurrë askush s’të ka mësuar në rrugë se si duhet jetuar/ E tash e ke diktuar se me jetë të tillë patjetër duhet mësuar/. I këndon zonjushës shkretane në këngën “Si gur i rrokullisur”. Në këtë kompozim, vargjet janë jo vetëm thellësisht ideale, por edhe plot energji, gjithashtu ato shquhen nga një frymë serioziteti, nga një ndjenjë sinqeriteti, këtu poezia nuk shkruhet për hir të poezisë, sepse vetja tregohet atëherë e mangët, por nga thellësia e shpirtit, ngaqë esenca gjithmonë është e njëjtë. I këndon zonjushës e cila kishte gjithçka, por tash është e shkretuar, dhe duhet t’i kuptoj sytë bosh të lypësve. Ai kërkon solidaritet, porse tmerri njëri nuk e do këtë. Poezia ngritët në kulmin e revoltës dhe kërkon barazi. Poezinë e tij duhet ta kuptojmë mbi bazën e se vërtetës sepse kërkesat e të vërtetave janë shumë të rrepta. Shumë më prekës bëhet vargu kur shkruan: Gjithnjë silleshe me mospërfillje ndaj vrerosjeve/ të zhonglerëve dhe klounëve/ kur shtriheshin përtokë dhe bënin për ty marifetllëqe/ Kurrë s’pate kuptuar se këto s’ishin gjëra për t’u lavdëruar/. Por, ajo kënaqej derisa të tjerët i shfrytëzonte dhe në mbrojtje shkretanëve ju del autori. Në një farë formë ai del kundër poetikës dhe kështu duhet të jemi si poet, të thjesht, saktë, lakonik. Dylan-i harron të mbaj gjakftohtësinë – mashtrimin poetik, ndonëse ai qe i afruar me padrejtësinë sepse rënkon për drejtësinë.

SHKARKO APP