A e duan shqiptarët dijen? Fara është e mirë, por mjedisi është i keq! Monolog nga Erion Kristo
Një mjegull e zezë endet mbi Shqipëri. Është mjegulla e injorancës. Ajo ka hedhur rrebeshin e saj ngado nëpër Shqipëri. Ajo po largon mentarët dhe po shton të paditurit. Gati dhjetë mijë fëmijë shkojnë çdo vit për të studiuar jashtë vendit. Prej tyre vetëm një përqindje e vogël kthehet në atdhe. Shumica mbetet jashtë. Ata zënë vend në katedrat më prestigjioze dhe shpesh janë kandidatë për çmime ndërkombëtare. Dikur ishte një projekt që kërkonte të thithte trurin e larguar. Pastaj, menduan se nuk kishte fare vlerë truri, madje mund të zëvendësohej nga truri i klonuar. Dhe kështu padija mbizotëroi.
Padija u shndërrua në mit. Padija mori vlerë. Sa më i paditur, aq më lart në shkallët e shoqërisë, aq më shumë pushtet. Dhe padija i zuri të tërë për fyti: pushtetin, shtetin, akademitë, universitetet, shkollat, fëmijët, të rriturit. Gjithkënd. Se padija është më keq se virusi që të futet në grykë. Padija të hyn në mendje dhe më e keqja është se të krijon ndjesinë e dijes, të krijon idenë se gjërat po shkojnë mirë. Dhe kush kundërshton shokun Kanan, merret me shpulla. Dhe kështu kemi mbetur në një llumnajë. Në llumnajën e padijes. Akademikët i kemi të paditur, deri dhe kriminelët i kemi të paditur.
Po ne këto i dimë. Domethënë e dimë që jemi në duart e padijes. Po duhet të japim mesazhe pozitive, se na zemërohen të paditurit, dhe ju duket sikur i ofendon. Se i padituri të jep mend edhe kur s’ka. I padituri barabitet me ty dhe të copëton me kritika. I padituri di. Ai e di mirë gjuhën e padijes. Edhe Fan Noli e ka thënë: Anës dijes i panxënë. Mesazhi pozitiv është: gjenet i kemi të mira, institutet i kemi për të qarë hallin. Një shoqëri që nuk investon për shkencën, do ta hajë sapunin për djathë.
Çfarë po prodhon shkolla? Po ua lë ju përgjigjen. Nuk ka pse të jem unë negativ.
A kemi mësues të mirë? Përgjigjen tuaj e di. Përgjigjja ime është: Po. Në mos janë shumë të mirë, përpiqen shumë e paguhen pak. Ne kërkojmë gjithçka prej tyre, por nuk kemi pyetur ndonjëherë: A u kemi dhënë gjithçka për t’u kërkuar gjithçka.
Kush është fajtori për këtë gjendje? Përgjigja duhet të fillojë nga vetja. Unë duhej të kisha bërë më shumë. Kjo është meaculpa. Po juaja? A e doni juve dijen? A sakrifikoni për të? A ju vlen dija kur e merrni? A kanë dhënë qeveritë më të mirën e tyre apo më të keqen?
Por dija nuk është vetëm diçka që ka të bëjë me personin, por dhe me kolektivitetin. Se kolektiviteti të vret nëse ti studion dhe nuk punësohesh dhe punësohet ai që nuk studion. Se kolektiviteti të vret kur të vë prift dhe të rruan mjekrën, kur je mësues dhe të mëson, dhe duhet të tregohesh modest se fyhen njerëzit.
Por duhet të jemi pozitivë, jo negativë. Ka mësues të përkryer. Ka dhe njerëz që janë mirënjohës ndaj tyre. Ka drejtues të shkëlqyer që meritojnë respekt. Ka dhe militantë të sëmurë.
Si shpjegohet që shumë nxënës shqiptarë shkëlqejnë në botë? Ata dalin më të mirët. Ngrenë flamurin në Greqi, marrin medalje presidenciale në Amerikë, fitojnë katedra nëpër Evropë, fitojnë çmime ndërkombëtare. Pra jemi pozitivë. Janë këta mësues që shajmë që e mundësuan këtë fibër. Nuk është faji i mësuesve që shpesh u kërkojnë thjesht letrat të jenë në rregull, jo proceset mësimore. Nuk është faji i mësuesve që paguhen sa për të mbajtur frymën gjallë dhe u kërkohet përgjegjësi sikur janë duke shpërndarë tendera.
Duhet një vizion tërësisht i ri për arsimin. Arsimi duhet parë si shpëtimi i kombit, si rruga drejt çdo lartësie që nuk e kemi arritur deri më tani. Vizion i ri për shkollat, investimet, kurrikulat, statusin e mësuesit. Ky vend nuk mund të qeveriset më nga skafistët, por nga mësuesit, nga dija. Kushtet tani nuk e lejojnë, por kushtet mund të ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë. Mësuesve duhet t’u dyfishohet rroga, sepse u është trefishuar barra. Shkollat si qendra komunitare janë të domosdoshme dhe diçka po bëhet për këtë. Teknologjia në shkolla duhet të jetë shumë herë më e lartë. Shkolla nuk ka vetëm mure, por dhe laboratorë. Shkollat e larta duhet të pësojnë një revolucion konceptual. Të zhduken plagjiaturat. Të kapërcehet me kujdes kjo plagë.
Të mos jenë universitetet si çifligje. Pedagogët të mos fusin duart në xhepat e studentëve. Unë premtoj më shumë kujdes nga ana ime. Por duhet nxitur të menduarit kritik, toleranca, kujdesi ndaj bullizmit. Duhet kanalizuar energjia e pafund rinore në aktivitete dobiprurëse. Duhen luftuar skifterët rreth shkollave dhe diçka po bëhet. Duhet konceptuar nga e para qëllimi dhe realizimi i shkollës. Drejtuesit duhet të jenë vizionarë, jo… Fëmijët të rriten me dinjitet dhe të mos përdoren në mitingje.
Abcnews.al