A e meritonte “Shok” Oscarin?

Nga Ilir Muharremi–  Gjuha e filmit zbulon nga realiteti atë që nuk mund ta kap syri, madje as që mund t’i afrohemi dot. A është filmi riprodhues i realitetit? Nuk mund të abstenon nga realiteti sepse pranon nga realja dhe riprodhon me gjuhë të thjeshtë të aparatit marrës dhe krijues, ose zbulon botë të panjohura brenda të njohurës. Është një kurorëzim formash artistike me përparim dialektik. Do ta quaja art i zbulimit të formave të reja reale, ose bënë zbulim në gjërat e njohura, i përshkruan në një mënyrë të re. Sot, publiku i teatrit , është publik televiz (bëhet fjalë për temporitmin, imazhet e shpejta, ngjarje pas ngjarjes, gjatë zhvillimit të kalohet menjëherë në kulminacion etj.) Nuk lundron brenda pauzave pas ndërprerjeve psikologjike. Do të nisemi nga ndarja e çmimit më prestigjioz Oscar. Para se të fillonte ndarja e çmimeve, u përfol se komuniteti afrikano-amerikan do bojkotonte ceremoninë, mirëpo nuk mund ta vërenim ndonjë bojkot masiv. Kjo rrodhi nga disa kritikë të cilët pretendonin se të nominuarit për çmimin Oscar ishin kryesisht aktor të bardhë, ndrysa në listën e të nominuarëve mungonin aktorët afrikano-amerikanë. Akademia ndërmori masat siç i pohonte “historike” në përpjekje të mënjanimit të akuzave. Akuzave në të ardhmen. Nëse e marrim në aspektin human racizmin (gjë që nuk bënë as të mendohet), ka qenë një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë njerëzore. Kjo vështirësi vazhdon në përballje edhe sot. Po flas për vendet e mëdha: SHBA-ja. Nuk është vetëm te Amerikanët, është edhe te Gjermanët, Anglezët, Francezët dhe Shqiptarët. Kjo rrjedh nga pabarazia e popujve, zhbërja e kësaj bëhet vetëm nëse pranojmë njëri tjetrin  si të barabartë. Gjë që u përpoqën gjatë ndarjes së çmimit të madh Oscar. Po i kthehemi nominimit të filmit tonë vendor “Shok” në këtë ceremoni.

            Njerëzit e thjeshtë të cilët nuk e njohin mirë artin e të bërit film, ose e të luajturit në film, me gëzim e priten fitoren e filmit “Shok”. Mirëpo, në orët e hershme të mëngjesit, ditën e hënë, ata u zhgënjyen kur në skranë e panë se filmi i shumë komentuar, që zuri ballinat kryesore të gazetave, portaleve shqiptare, madje i përfolur plotë një muaj nuk e fitoj çmimin e madh Oscar. Në anën tjetër, njerëzit e këtij profesioni (aktorët, regjisorët, dramaturgët) me gjysmë zëri e me fjali të kursyera, të vendosura vetëm në fund të fragmenteve të cilat i postonin në rrjetet sociale në lidhje me parashikimin e fitores ose përkrahjen publike, distancoheshin, por edhe i rinin pranë për arsye se nuk mund ta zhvlerësonin derisa ka hyrë në listën e të nominuarëve për çmimin për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër. Apo brenga tjetër se filmi nuk është kosovar sepse skenaristi dhe regjisori janë Anglezë, derisa pjesa e aktorëve janë Kosovarë. A ka rëndësi kjo? Në Kosovë flitet në formë folklorike, dhe gjykimi bie menjëherë në atë  se “kosovarët nuk dinë të shkruajnë ose të bëjnë film”, dhe u dashka një i huaj të merret me fabulën, të cilën secili nga ne e kemi përjetuar.  Luftën mund ta kesh përjetuar dhe të mos dish ta propagandosh në formë artistike. Ose vjen një i huaj dhe tërhiqet nga ky fakt, tenton ta shndërroj në vepër arti. Ne bëmë filma për këtë temë, por asnjëri nuk i tregoj dhëmbët. Regjisori i filmit Jamie Donoughe kishte ardhur në Kosovë për të realizuar një video spot, dhe nuk dinte asgjë për vendin tonë. Së paku kështu ai vetë është deklaruar. “Kam planifikuar të rri vetëm 3 ditë, por fluturimi mu anulua për shkak të motit jo të mirë dhe kështu kam qëndruar për 5 javë në Kosovë”, ka rrëfyer Donoughe për BBC për të shtuar se “”Pas rrëfimeve të shumta që i dëgjova nga miqtë e mi kosovarë, e ndjeva se duhet bërë diçka për t’i treguar këto rrëfime të pabesueshme”. Ato rrëfime nuk fjetën (edhe pse thonë koha i merr me vete ose i shëron), por u riaktivizuan me një gjuhë të saktë, të pastër dhe profesionale.

Film për luftën

Filmat për luftën janë nga pjesa dokumentare e cila bazohet mbi realen, por studimi artistik duhet ta tejkaloj realitetin. Sado të jetë tema sensacionale regjisorit dhe shikuesit i interesojnë mundësitë kinematografike. Njerëzve pak ju interesojnë qytete duke u djegur, aeroplanët në fluturim, shpërthimet, ose fotografi nga teatri i luftës, por esenca është ekzistenca e njeriut (fizionomia e tij dhe fati në dramë ose tragjedi) dhe fenomeni i luftës qëndron mbi spektaklin njerëzor, gjë që e bëri “Shok”. Pse e them këtë? Filmat që kemi parë për luftën e fundit në Kosovë qenë shumë primitivë, madje brutalë, patetikë, pervers siç është vetë lufta. Por, në artin kinematografik të gjitha ato duhet të jenë estetike të pastra, sepse edhe dhuna vije e këndshme në film, ndonëse po flitet për art. Duhet të flasë në formë të arsyeshme për filmin “Shok” i cili nuk u krijua me materiale nga filmarkivi dokumentar i luftës, (por nga tregime personale të njerëzve të cilët kanë përjetuar momente të vështira në luftë) sepse shumë filma botëror e kanë bërë këtë, p.sh filmi “Për paqen”, prodhuar pas Luftës së Parë Botërore nga shoqata e më të mjerëve midis invalidëve më të mjerë francezë, të njohur me emrin “Turinj thyerit”. Filmi shok ndërton fabulën nga personalja e cila bënë pjesë në një kolektive të traumatizuar, dëbimin e familjeve nga Kosova nga ushtarët serb sepse serbët qenë sadist, arrogant, mostra, të cilët nëse jepnin urdhër për largim e që dikush përpiqet ta thyej, ata menjëherë do ta vrisnin. (këto imazhe i kopjon çdo luftë.) Në fillim të filmit në planë të afër regjistrohet biçikleta e baltosur e shtrirë në mes të rrugës. (disi paralajmëron shikuesin të mbajë vëmendjen në këtë biçikletë e cila përcillet gjatë gjithë filmit.) Biçikletën që ja kishin blerë familjarët do ja merrnin ushtarët serb, në momentin kur Petriti (Lum Veseli) dhe Oki (Andi Bajgora) (më simpatikët e filmit), shkojnë tu shesin ushtarëve letra të cigareve. (kjo tregti e vockël ekzistonte vërtetë në luftë.) Xhelozia lind sepse Petriti e bënë për shkak se nuk ka biçikletë si miku i tij. “Me iu than në shpi kur ta marrin vesh. Ti nuk je biznesmen, ti je tuc…”, janë fjalët e Okit duke ju drejtuar Petritit për të vazhduar me më të rëndën “je tradhtar”, ndonëse kjo e të kuptuarit realisht në moshën e Petritit tingëllon konfuze, sepse kjo shprehje i takon të rriturve me përvojë. (tradhtinë të cilën e trashëgojmë nga Skënderbeu e gjer me sot, mund ti rreshtoja edhe Ilirët.) Miqësia e dy djemve është e fortë, kjo dëshmohet në momentin kur Petriti shpëton Okin i cili pëson goditje nga ushtarët sepse në çantë bart libra shqip. Miqësia e tyre fuqizohet edhe më në thellësi kur ushtria serbe nis t’i largojë shqiptaret nga shtëpitë. Mu në këtë ditë djaloshi Oki qëllon në familjen e Petritit dhe befas hyn ushtria serbe duke krijuar një panik të vërtetë. Aty vërehen fytyrat e vërteta të luftës. Kjo fizionomi ka dhunë tmerruese dhe ngjallë emocion të fuqishëm. Por, ata nuk tregojnë se çka është lufta, publiku këtë e vëren përmes fytyrave, torturave, kërcënimeve, vdekjes sepse vetëm ata që janë në prag të saj e kuptojnë rëndësinë. Shumica në realitet nuk e kanë parë këtë, por në film  kjo duket se e tëra është e vërtetë. Kamera bënë lëvizje të njëpasnjëshme sa poshtë sa lartë, jep vibrime duke u shkrirë me skenën dhe aktorët, pastaj muzika pikëlluese që del nga shpirti plotëson skenën kulminante të filmit, ndonëse mbi shkak pasojë dhe ndjehet drama e vërtetë në ato çaste. Kamera vazhdon panoramimin luftarak pa u ndalur, jo bomba, ose shkrepje armësh, por fytyra të tmerruara njerëzish të cilëve vuajtja nuk do t’ju pushoj për t’i pushkatuar. Por, Oki nxjerrë revolen duke ja drejtuar policit serb. (i cili është i veshur me kostum të pastër të hekurosur mirë dhe flokë të rregulluar me shije, kjo vërehej tek të gjithë ushtarët, ndonëse serbishtja tyre tingëllonte paska me përzierje me shqipen, kjo është pjesa e diksionit.) “Ti do ta shpëtosh”, i drejtohet me ironi ushtari Okit. Merr revolen nga dora e Okit dhe tenton ta zbrazë në kokën e Petritit, por dështon sepse në të mungojnë plumbat. Për fat vjen një ushtar tjetër dhe e ndërpret këtë situatë duke dhënë urdhër për përzënien e familjes. Dhe ja, skena më emocionuese në fund të filmit. Njerëzit obligohen ta braktisin vatrën e tyre, pranë kalon një serb i vogël me biçikletë të Okit, ai kthen kokën për ta shikuar dhe vritet. Ushtari këtë e bënë në shenjë hakmarrje. Kjo “panoramë”, është një britmë e vërtetë dhe e dëshpëruar përbrenda. Një fund tragjik.

Por, mund të themi se gjatë gjithë fabulës nuk vërejmë madje asnjë ushtar të UCK-së. Pse ndodh kjo? Sikur ta kishte punuar ndonjë regjisor shqiptar, imazhet me UCK-na do qenë më të pranishme, madje ndoshta në çdo skenë, sepse përbrenda ky popull ruan dhembjen historike dhe ajo kur shpërthen largohet nga vetëdija dhe kontrolli, është si një magmë. Nga ana tjetër, publiku do ta vlerësonte si diçka ndoshta të thjeshtë, bardh e zi, të skaduar, jo e dërguar në limite të fundit. Por, nga ana e regjisorit të huaj kjo vjen si diçka objektive (kështu duhet ta shikon fabulën dhe regjinë e filmit regjisori.) Mendoj se arsyeja përse skenaristët tonë vendorë dhe regjisorët poashtu nuk arritën të radhiten në Oscar është ana subjektive dhe folklori patetikë ndaj luftës së fundit. Mungesa e UCK-së zëvendësohet në film me strukturë të njerëzve civilë, rezistentë ndaj padrejtësisë.

 Këshilltari i Edi Ramës: “Shok” nuk meritonte ‘Oscar’, interpretim i dobët

 Këshilltari i kryeministrit Rama Fate Velaj kishte shkruar në murin e tij të Facebook-ut se uron Di Caprion por thotë se “Shok’ nuk e meritonte Oscarin. Nuk e fitoj, por e meritonte nominimin? Ndonëse shumë filma të mirë gëzojnë këtë privilegj dhe tendenca për çmim zbehë veprën, sepse çdo art i sinqertë në themel parakushtëzon disa rregulla të cilat shtrihen vetëm në themele të paraqitjes brenda mundësisë së bukur. “Interpretim i dobët” vazhdon Velaj, por suksesi veçohet me nominim. Mundësia e filmit të shkurtër gjithnjë arsyetohet me idenë dhe konceptin. Normalisht se edhe ana e interpretimit shton peshën, por nuk e di se ku çalon ky interpretim, nëse do mendonte për diksionin që e kam cekur edhe më lartë do t’i jepja pak të drejtë. Nëse flasim për pjesën e brendshme dhe të jashtme, arrihet një vetëkontroll, psikologji e personazhit, natyralizim i gjesteve. Aktrimi i djelmoshave qe i kapluar si jerm futurist, në esencë për të drejtën dhe barazinë, por në fakt gjeneronte situata apokaliptike, vazhdim me dhunë, krim ndaj tyre, mohim total dhe asgjësues deri në ekstrem. Ngulte frikën në psikologji dhe më pëlqente fytyra e Petritit që ngulte sytë te Oki, sy të përhumbjes, meditim kobësh, në të njëjtën kohë edhe me shpresa, herë bukuri e herë shëmti, ndonëse onirike, përjetim të brendshëm emocionues. Të dytë trup e zë, në situata të  vështira pa nxjerr lotin si thikën që godet vetveten, ata këtë e bënin tipik Brehtian, të zhytesh thellë në vetveten. Më pëlqeu aktrimi edhe i ushtarëve të cilët kujdeseshin për diagramin temporitmik ku futnin disa pauza ndërmjet replikave, të mirëpërcaktuara që bart mesazhi i skenarit. Do t’i shtoja pak kujdes vetëm diksionit që vërehej se flitej nga një shqiptar. Karakteret ishin të vizatuara mirë, me përkujdesje, të qëndisura, jo vetëm thjeshtë mimikë plastike, por edhe në të folur dhe përjetuar. Nuk e di ku sipas Velaj çalon ky aktrim. Vazhdojmë më tutje.

     Filmi “Stutterer” më i mirë se “Shok”

E shikova edhe filmin “Stutterer”, i cili mbas medieve tona ia mori nga dora filmit kosovar ‘Shok” çmimin për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër ‘Oscar”. Nuk ja morri, por e fitoj, sepse çmimet nuk janë të planifikuara sikurse te ne në Kosovë (vështirë e kemi të ambientohemi me shprehjet: e fitoj dhe e meritoj.) Ky film vërtetë ishte i shkëlqyer. Trajton dramën e një njeriu që belbëzon dhe që është në kërkim të dashurisë të cilën nuk mund ta shprehë me fjalë. I punuar mrekullisht me një atmosferë të shkëlqyer, protagonisti shkëmben mesazhe përmes rrjetit social “Facebook” me Ellie. Jetën ky personazh e sheh vetëm brenda një problemi: dashurisë, ndryshimit të zgjidhjes së vetmisë i cili kryesisht kohën e kalon pranë kompjuterit duke pritur “të dashurën”. Ai aty gjen harmoninë, veçantinë, personalen, socialen etj. Filmi krijohet nga thjeshtësia deri në ekstrem, por fabula që ka për rrëfim problemin në të folur (belbëzimin) nuk është që e globalizon këtë temë sepse belbëzimi është i përhapur në tërë botën. Personat që belbëzojnë nuk kanë asnjë dallim tjetër nga njerëzit tjerë përveç belbëzimit, por protagonisti e thyen këtë praktikë e shndërron në teori dhe krijon një ndjenjë të fajit. Megjithatë, belbëzimi influencon në perceptimin  që njeriu ka për veten dhe për të folurën e tij. Aktori bukur e lidh belbëzimin  me lëvizjet e tepërta, ritmin e frymëmarrjes, zërin e ngritë, dhe shton tensionin e muskujve, por prapë në vete ruan një qetësi. Ai nga belbëzimi shfaq ndjenja të fuqishme. Por, nëse merremi në aspektin e kurimit të belbëzimit, protagonisti e tejkalon me një gjendje tjetër: luan si shurdhmemecë, qëllimshëm për mos vërejtje të gjendjes së tij. Nuk qe esenca te kurimi, sepse filmit të metrazhit të shkurtë i shkon vetëm një ide e cila trajtohet në brendësi. I riu në këtë rast i cili vuan nga ky problem, gjithnjë në realen kërkon të gjej mënyra nëpërmjet të cilave e lehtëson të folurën. Njohë shumë njerëz që belbëzojnë, por nëse e ngadalësojnë ritmin e të folurës flasin më mirë. Kam dëgjuar edhe nga disa të tjerë që thonë se një ritëm i rregullt i jetës ju ndihmon ta kontrollojnë belbëzimin. E rëndësishme është që njeriu të flasë me guxim pavarësisht a belbëzon apo nuk belbëzon. Gjë që nuk e përdorte protagonisti. Në rastin e tij, ai mundohet ta shmang belbëzimin, porse kjo shkakton frikë më të madhe ndaj të folurës. Atëherë, na del se vetë belbëzimi nuk përbën aq problem sesa frika ndaj belbëzimit. Ai frikën e zëvendëson me rolin e shurdhmemecit. Në rastin kur njeriu belbëzon nuk bënë të ndërpritet.

Çka kishte më të veçantë ky film se filmi “Shok”? Ajo çfarë e veçonte qe fabula e cila jetëgjatësinë e shtyn drejtë përjetësisë, një përqasje ndërmjet zërit të brendshëm dhe mendjes, porse prapë zëri i brendshëm i sinqertë i tij triumfon. Kurse “Shok” temë dokumentare, rrëqethëse historike, plotë dramë, dramë të një populli e cila është pasqyruar më artistikisht se çdo film më herët. Andaj, shok ishte fitues me vetë kandidimin e tij për “Oscar”.

SHKARKO APP