A është Bullgaria, Silicon Valley e Bashkimit Europian?

Ekonomia mirëfunksionuese mund të ndikojë që bullgarët e rinj të kthehen në vendin e lindjes

Qeveria bullgare ka marrë përsipër nismën “për të pastruar” imazhin e këtij shteti, i cili njihet si shteti më i varfër dhe më i korruptuar i BE-së. Masat përfshijnë programe që synojnë të ndihmojnë biznesin, të tërheqin investimet dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm ekonomik dhe investues.

Rritja e ekonomisë bullgare ka qenë e qëndrueshme dhe e ekuilibruar në vitet e fundit. “Ne kemi një rrugë të gjatë përpara, në mënyrë që të ecim me të njëjtin ritëm me atë të shteteve të tjera sa u takon të ardhurave”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Emil Karanikolov, në një intervistë dhënë për Radio Bulgaria. Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 3 milionë bullgarë janë larguar nga vendi i tyre në tre dekadat e fundit.

Emigrimi ekonomik u rrit ndjeshëm, veçanërisht pas vitit 2007, kur Bullgaria u bë anëtare e BE-së.
Tani, kabineti qeveritar bullgar po diskuton masat që duhen ndërmarrë për rikthimin e qytetarëve bullgarë në vendin e tyre. Sipas informacioneve të dhëna nga Radio Bulgaria, në fillim të vitit 2020, autoritetet shtetërore do të jenë të gatshme të financojnë deri në 600 euro në muaj, qytetarët bullgarë që vendosin të kthehen në vendin e tyre. Por, a është i mundur ky proces?

“Detyra jonë është të krijojmë një model ekonomik që do t’i rikthejë njerëzit në Bullgari. Edhe pse ai ka filluar të funksionojë në mënyrë të ngadaltë, ne tashmë kemi qenë dëshmitarë të rezultateve pozitive”, pretendon ministri Karanikolov. “Për shembull, bullgarët që punojnë në Sektorin e Teknologjisë së Informacionit janë kthyer në Bullgari. Për më tepër, edhe disa shtetas të huaj kanë ardhur në këtë vend për të punuar në këtë fushë”, thekson Emil Karanikolov.

Ekonomia mirëfunksionuese mund të rrëzojë statistikat që e prezantojnë këtë shtet si më të varfrin e Bashkimit Europian dhe shtetin anëtar të BE-së me nivelin më të ulët të pagave. “Ministri Karanikolov pretendon se kjo është mënyra e vetme, sepse rritja administrative e pagave do të na vendosë në një situatë ku rritja e pagave do të tejkalojë produktivitetin e punës. Ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë”, tha ai më tej.Ekonomia duhet të nxisë rritjen e pagave. Në dy-tre vitet e kaluara, pagat kanë shënuar një rritje 8-10% në bazë vjetore. Bullgaria zë vendin e dytë në BE, pas Rumanisë, për rritjen e pagave.

Ministri Karanikolov tha se nëse do të pyetej se përse situata dukej më e përmirësuar në Rumani, ai do të përgjigjej se tregu i brendshëm në këtë shtet është tre herë më i madh se ai bullgar. Edhe pse disa investitorë e pëlqejnë më shumë Bullgarinë, ata preferojnë të investojnë në atë vend, sepse tregu rumun përbëhet nga 18-20 milionë konsumatorë.

Papunësia në Bullgari është nën 4%, por shumica e njerëzve të punësuar në këtë vend mendojnë se pagat e tyre nuk janë në nivelin e duhur. Sipas të dhënave të Ministrisë Bullgare të Punës dhe Politikës Sociale bazuar në forumet e karrierës në vendet e BE-së me komunitete të mëdha bullgare, 70% e bullgarëve që jetojnë, studiojnë dhe punojnë jashtë vendit thonë se do ta merrnin në konsideratë kthimin në vendin e tyre, nëse kushtet do të ndryshojnë dhe do të jenë më të favorshme.

Si mund t’ia dalim që këta të rinj bullgarë dhe të arsimuar të blejnë një biletë vetëm për kthim në Bullgari?

Të rinjtë bullgarë duhet të marrin në konsideratë të gjitha përmirësimet dhe zhvillimet ekonomike, nëse ata duan vërtet që të kthehen në vendin e lindjes. Investimi në arsim është i rëndësishëm, sepse sa më shumë njerëz të arsimuar, aq më të larta do të jenë edhe pagat që ata do të marrin.

Bullgaria është anëtare e BE-së dhe tregu i BE-së është i madh. Deri 15 vjet më parë, inxhinierët bullgarë me specializime universitare nuk mund të gjenin lehtë punë. Ne duhet të krijojmë një mjedis pune konkurrues dhe pagat duhet të rriten.

“Besoj se Bullgaria është një vend i mrekullueshëm për të jetuar, për sa kohë që njerëzit do të jetojnë sipas kushteve të duhura”, tha ministri Karanikolov. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Investimeve të Bullgarisë, Stamen Yanev, mbështeti deklaratën e ministrit Emil Karanikolov se Bullgaria është një vend i mrekullueshëm për të jetuar dhe shtoi se Bullgaria është edhe një prej destinacioneve më të mira për të kryer investime të ndryshme.

Bullgaria është një vend me stabilitet të mirë politik dhe ekonomik. Ajo është një nga tre vendet e BE-së me normën më të ulët të PBB-së / borxhit të brendshëm. Ne mund të gjenerojmë një stabilitet të konsiderueshëm financiar, që do të ndikojë në tërheqjen e më shumë investitorëve të huaj. Ka shumë njerëz të talentuar në Bullgari që do të ishin punonjës të mirë dhe që nuk do të largoheshin nga ky vend, nëse ata do të paguheshin me nivele më të larta pagash.

Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të përballen me sfida gjatë punës së tyre, në mënyrë që ata të kenë mundësi të rriten profesionalisht dhe ndërkohë, të kenë edhe mundësinë për të pasur akses në kultura të ndryshme.
Vitet e fundit, qeveria bullgare ka punuar në drejtim të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe ka investuar më shumë në drejtim të arsimit.

Sipas Stamen Yanev, këta janë sektorët më premtues në ekonominë bullgare: Ndërtimi i makinerive, industria e automobilave dhe sektori i Teknologjisë së Informacionit. Sektori i Teknologjisë së Informacionit regjistron 25 deri në 30% rritje vjetore, e cila nuk është tipike për vendet e tjera të BE-së. Ne besojmë se infrastruktura e mirë dixhitale, aksesi i shpejtë në internet dhe rrjeti 5G, janë ndër faktorët kryesorë që na bëjnë ne të pretendojmë të zëmë një vend të rëndësishëm në fushën e teknologjisë së lartë dhe të shndërrohemi në Silicon Valley e BE-së.

Regjistrimi i një kompanie të re në këtë shtet është një proces relativisht i thjeshtë dhe mbi të gjitha, kostot janë më të ulëta se në vendet e tjera.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, Teknologjia e Informacionit dhe Telekomunikacioni janë dy sektorët me pagat mesatare më të larta – 1.500 euro që është më shumë se dyfishi i pagës mesatare mujore në Bullgari (600 euro).

Revista Monitor.

SHKARKO APP