A është Kaukazi vendbanimi i parë i shqiptarëve të sotëm?

Faktet historike flasin për ekzistencën e një mbretërie antike të quajtur “Albania” në Kaukaz. Aty ku sot shtrihet Armenia dhe Azerbajxhani, ndoshta kanë jetuar kushërinjtë tanë të vjetër. Por versionet janë të shumta…

 

Nga Sokol Shameti

 

Në pranverën e vitit 1863, Johan George von Hahn përshkoi Shqipërinë e Veriut sipas një itinerari që ai s’e kishte bërë më parë. Ai e njihte tanimë mirë Shqipërinë qendrore dhe atë të Jugut. Njihte Shkodrën dhe pjesë të Kosovës, por meqë jemi akoma në vitet kur rrugët nuk ekzistojnë, shtigjet më të rrahura mbeteshin rrjedhat e lumenjve, nëpër luginat e të cilëve, kishte të paktën 40 vjet që bridhnin udhëtarë dhe studiues të gjithfarshëm. Nga Lir, Bajron, e Pukvil tek më të vonët Edith Durham apo Jozef Shekel. Nëpër vendbanimet, malet, grykat e këtij vendi të panjohur, por dikur toka e lavdishme e ilirëve, ata po rindërtonin pak nga pak një histori të mbuluar nga pluhuri. Atë të prejardhjes së shqiptarëve. Gjithsecili në mënyrën e vet, duke sjellë dëshmitë dokumentare të kohës, por duke pasur njëkohësisht në dispozicion edhe freskinë e memories apo privacionet e atyre viteve të vrenjtura, kur ata u endën në këto anë. Këta shtegtarë të mbërritur nga Perëndimi ishin gjithsesi trokitja e parë e Europës në portat e Shqipërisë, pas më shumë se katër shekujsh errësirë. Austriaku Hahn, ishte njëri prej tyre.

 

Ndërsa përshkonte rrjedhën e lumit Drin në Shqipërinë e Veriut, gjuhëtari dhe etnologu i njohur i cili financohej në këtë udhëtim nga qeveria e Vjenës, po ndërtonte pak nga pak hartën e saktë të të gjitha vendbanimeve të afërta dhe të largëta përgjatë këtij lumi. Eruditi i madh po shkruante njëkohësisht edhe të dhënat rreth prejardhjes, historisë, gjuhësisë, etnografisë dhe antropologjisë së këtyre zonave dhe banorëve të tyre. Por me sistematicitetin e njohur austro-gjerman, shkencëtari nuk u mjaftua vetëm me përshkrimin në shënimet e tij të udhëtimit, të lokaliteteve të harruara buzë Drinit. Ai “krehu” në një rreze të gjerë veprimi të gjitha vendbanimet dhe fshatarat edhe përgjatë tërë pellgut të Drinit, lumenjve të afërt dhe degëzimeve të tij kapilare. Ai përshkoi Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Dibrën e Prizrenin. Dhe gjatë njërit prej këtyre ekskursioneve, ai bëri edhe zbulimin interesant, për ekzistencën e të cilit në të vërtetë flitej, por që ende nuk ishte bërë ndonjë verifikim në vend. Hahn zbuloi matjanët.

 

Natyrisht zona veriore shqiptare ekzistonte në hartat e botës dhe nuk ishte Hahn i pari që po e kuantifikonte atë. Por Hahn nuk ishte një hartograf. Ai ishte një njohës i shkëlqyer i historisë së vjetër dhe të re, i gjeografisë dhe shtigjeve të udhëtimeve, i dokumenteve dhe legjendave, gjuhëve të folura dhe atyre të vdekura.

 

Zanafilla e kërkimeve të Hahn në rajonin e Matit, lidhet me këmbënguljen e tij skrupuloze për të gjetur lokalitetin apo zonën nga ku e kishte burimin vetë termi: Albania. Kërkimet e kishin përkundur nga Arbana e Tiranës në një mori fshatrash të cilat në terren përkonin me lokalitete që sipas hartave antike mund të fshihnin gërmadhat e albanopolisit legjendar të Herodotit. Kryeqytetit të Ilirisë së lashtë të periudhës parahelenistike e pararomake. Atij vendbanimi që kurrë nuk u zbulua dot ndonëse gojëdhënat por edhe përshkrimet e vendosin në një rajon midis Krujës dhe Lezhës. Hahn mori një udhërrëfyes i cili do ta udhëhiqte përmes zonës së ashpër të Matit por aty, sikurse e tregojnë edhe dorëshkrimet e tij, ai hasi në një nga ato mistere që edhe sot e kësaj dite shkenca e historisë nuk ka mundur dot t’i japë një përgjigje të saktë. Ja çfarë shkruante vetë Hahn: “…çava përpara drejt kësaj bote të re… duke udhëtuar teposhtë lumit të Matit, prej të cilit marrin emrin e tyre kjo krahinë dhe banorët e saj. Këta të fundit quhen matjanë dhe ngjashmëria e këtij emri me atë të “matjanëve” të Herodotit, më nxiti që ta krahasoj nomenklaturën (toponiminë) e Persisë dhe Armenisë me atë të Shqipërisë dhe fqinjëve të saj…”. Hahn kishte zbuluar pra se jo vetëm “Albania” e lashtë ilire me Albanopolisin e vet ndodhej përafërsisht në Matin e Shqipërisë së sotme, por edhe se kjo Albania e Europës, ishte identike me një Albania tjetër. Atë që gjeografi dhe historiani antik grek Herodoti e përmend në “Historinë” e tij si një mbretëri e fortë në Kaukaz. Brenda së cilës Herodoti përshkruan se jetonte një popull barbar por i bardhë. Dhe një nga fiset e tij më të njohura ishin pikërisht… “matjanët”. Sipas Herodotit, Albania e Kaukazit banohej nga një popull i cili kishte një vitalitet të jashtëzakonshëm. Që ndryshe nga të tjerët aty pranë, mund të udhëhiqej edhe nga gra mbretëresha. Siç ishte rasti i mbretëreshës Tomris e cila në vitin 529 para Krishtit, u vu personalisht në krye të ushtrisë së vet për të thyer trupat e mbretit pers Cyrus II, e madje edhe për ta vrarë këtë të fundit. Hahn u zhyt në emrat e lokaliteteve të Matit shqiptar duke i krahasuar ata me Albaninë e Kaukazit. Ja çfarë thotë studiuesi: “Me përjashtim të formave të njëllojta të Albania-s, ne gjetëm si këtu, ashtu edhe atje (në Kaukaz) një krahinë që quhej njëlloj Hotene dhe një tjetër Blymals, veç kësaj edhe një krahinë që quhej Bolbene në Shqipëri dhe liqenin Bolge në Kaukaz. Një lumë të quajtur atje Arsenia dhe Arzin = Het-Arzum dhe këtu lumin Erzen. Këto përputhje na nxitën të formojmë bindjen që të dhënave të grumbulluara nga të vjetrit porsa i takon përafërsisë së Armenëve dhe Thesaliotëve ndoshta nuk u mungon tërësisht baza historike, aq më tepër kur këto të dhëna përkojnë me legjendat e sotme të abkazëve në Kaukaz, “sepse këta e konsiderojnë veten të njëjtin popull me arnautët që jetojnë në Turqi ose me shqiptarët”, shkruan Hahn.

 

Një rastësi? Një mister i shpjegueshëm i errësirës së mijëvjeçarëve? Ç’donte kjo Albania dhe këta matjanë në Kaukaz katër shekuj para Krishtit? Ç’lidhje kishin ata me shqiptarët e sotshëm ose makar, me albanët ilirë të antikitetit?

 

Rreth kësaj historie të çuditshme prej vitesh po ndërtohen teori të ndryshme, gjithsecila me nga një prapavijë jo ekskluzivisht shkencore nga pas.

 

Albania e Kaukazit është realisht një territor që ndahet midis shteteve të sotme të Amenisë, Gjerogjisë dhe Azerbajxhanit. Popullsia që gjallon sot në shekullin e XXI në ato rajone është ajo abhkaze dhe rajoni mbi të cilin ata jetojnë është një mollë e vërtetë sherri midis armenëve, gjeorgjianëve dhe azerëve që pretendojnë secili se janë pasardhës direkt të Albanisë antike. Mbi këtë legjendë e kanë zanafillën edhe konfliktet e ashpra për rajonin e Nagorin Karabakut i cili shtrihet pikërisht në këtë zonë (të cilën, arabët e pushtuan aty nga shekulli i tetë, e quanin jo pa ndonjë arsye të fortë edhe “Qafiristan”). Sipas legjendave arabe që citon Hahn, origjina e arnautëve është nga disa vise të Detit të Kuq (jo larg Kaukazit), ku njëri nga liderët e tyre i shkeli kaftanin një shehu dhe gjatë grindjes i nxori atij madje edhe syrin. Dhe meqë nga kokëfortësia nuk pranoi të vuante ndëshkimin (arnaut nga arabishtja d.m.th. “refuzues”), u dëbua së bashku me fisin e vet për të mbërritur në Ballkan.

 

 

 

Një version ky i ikjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit për të mbërritur më vonë në Ballkan, i cili mbështetet gjerësisht edhe nga një numër studiuesish serbë të cilët nuk pranojnë autoktoninë shqiptare para asaj serbe në “qafiristanin” e ri të Europës. Të cilët e mbështesin këtë argument me mungesën e dëshmive gjuhësore të shqipes evropiane para shekullit të XIV, si dhe me mungesën e ekzistencës së emrit Albania në dokumentet historike deri në shekullin e X. Kohë kjo, e cila çuditërisht është fare e afërt me shekullin VIII kur Albania e Kaukazit pushoi së ekzistuari e sulmuar nga arabët, armenët dhe fqinjët e tjerë.

 

Gjithashtu një numër i madh emrash të lokaliteteve të atjeshme kanë një ngjashmëri me të vërtetë komprometuese me shqipen e sotme. Në territoret e atjeshme mund të hasen kollaj fshatra me emrat Hundëz, Bushat, Gheghian etj. Studiuesit nga Azerbajxhani zbuluan së fundi se banorët e Albanias së lashtë, kanë qenë të krishterët e parë të Kaukazit, të evangjelizuar qysh në shekullin e parë nga apostulli Elysee. “Kisha më e vjetër kaukaziane është ajo shqiptare me emrin “Kish” në rajonin Sheki, si dhe tempujt Ganxhasar dhe Amaras në zonën e Karabakut janë edhe sot e kësaj dite vende ku gjallojnë pasardhësit e shqiptarëve të ndarë në fiset e gunave, gelëve, alpnasëve, legave dhe udinajve”, mund të lexosh në secilën nga guidat turistike të Azerbajxhanit në internet.

 

 

 

Nje objekt klulti i krishtere qe edhe sot ne Kakukaz njihet me emrin kish

 

A mund të kemi ardhur vërtet nga abhkazët e Azerbazhanit? A është Albania e Kaukazit vendi i origjinës së shqiptarëve të sotëm? Sipas vetë studiuesve lokalë, termi Albania i atjeshëm nuk duhet ngatërruar kurrsesi me Albanian e Adriatikut (këtë tonën). Ata pretendojnë se banorët e atjeshëm e kanë quajtur kështu fare rastësisht vendin e tyre ngaqë ai ishte tepër i thepisur me male dhe origjina e emrit të tij vjen nga “alp” që janë lartësitë dhe jo nga fisi i “albanëve” që quhej kështu për shkak se për latinët ata ndodheshin andej nga lind dielli (alba). Banorët e sotëm të atij rajoni e quajnë veten abhkazë dhe jo “albanë” dhe sikurse e vërente edhe Hahn më 1863, gjuha abhkaze ndryshon rrënjësisht nga ajo shqipe. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për emërimet e vendbanimeve sidoqoftë, të cilat ngrenë pikëpyetje shumë të forta. Koincidenca e Matit shqiptar dhe atij kaukazian si dhe shumë e shumë vendbanimeve, lumenjve, liqeneve etj., e lë pezull misterin e kësaj afërsie të çuditshme. Madje afërsi kanë edhe shumë emra njerëzish, sikurse vëren edhe Hahn. “Çdo shqiptar do të çuditej kur të lexonte në një nga veprat antike greke “Kserksi” që përshkruan luftën e këtij mbreti pers me grekët, përmendet Dotos si prijësi i matjanëve. Dote, ose Dodë është ndërkohë një nga emrat e rëndomtë shqiptarë në Mat. Kështu quhet p.sh. shefi i sotëm i mirditorëve Bib Doda, për shkak se emri i të atit ka qenë Dodë”, thotë studiuesi austriak.

 

Historianët dhe studiuesit kaukazë nga ana tjetër nuk mendojnë se ka vërtet ndonjë lidhje midis dy Shqipërive dhe i quajnë thjesht rastri të gjitha këto ngjashmëri. Por ekziston edhe një version tjetër.

 

 

 

Dhe është përsëri Hahn ai që hedh dritë mbi mundësinë e një shpjegimi të mundshëm të enigmës së Albanisë kaukaziane. Ai i referohet emrit të vjetër të Maqedonisë antike e cila në dokumentet e vjetër quhet pikërisht “Emathia”. Një element që njihet ky dhe që sipas albanologëve, tregon origjinën aspak greke por shumë shqiptare të maqedonasve si një popull vëlla me iliro-trakët antikë. Një emër që sipas shqipes së sotme do të përkthehej në “E madhja” si dhe që do të justifikonte prapashtesën “i madh” pas Aleksandrit të Maqedonisë, i cili edhe pa të, ka për nënë Olimbinë nga Epiri. Si dhe arsyen pse gjatë gjithë mesjetës shqiptarët identifikoheshin edhe me maqedonasit, e se madje heroit më të madh matjan Skënderbej, turqit ia vunë emrin pikërisht kështu, “Iskander”, për nder të paraardhësit të tij Aleksandër. Por sipas Hahn, Emathia mund të jetë pikërisht Mati i sotshëm shqiptar si dhe vendlindja e Aleksandrit, Pellasi i humbur, mund të jetë ndonjëri nga shumë gërmadhat anonime të antikitetit që ende presin të zbulohen në veri të Shqipërisë.

 

Por çfarë lidhje ka Emathia-Mati i Aleksandrit të Madh, me Albaninë e Kaukazit? Ndoshta faktin se i vetmi “ballkanas” që e përshkroi atë territor para Herodotit ishte pikërisht Aleksandri me etnicitet të diskutueshëm dhe me qindra mijëra ushtarët e tij? Ndoshta sepse sipas shumë versioneve, pas dështimit të fushatës së tij në Indi, garnizone “emathianësh” të Aleksandrit u hallakatën nëpër gjithë rrugën e kthimit për në Ballkan e madje shumë prej tyre u ngulën diku ku malet u kujtonin atdheun një pjesë malore e të cilit quhej edhe Albania? Ndoshta sepse edhe sot e kësaj dite, gërmimet në shumicën e vendbanimeve të Albanisë së Kaukazit nxjerrin në dritë monedha të pafundme, që tregojnë se ose shkëmbimi tregtar nuk ishte një ekskluzivitet i grekëve (lexo: “të qytetëruarve” të antikitetit pavarësisht nga etnia, ose se këta “të qytetëruar” kishin mbërritur deri këtu larg në malet e Kaukazit, për të habitur treqind vjet pas Aleksandrit të Madh dhe para Krishtit, historianin Herodot që i quajti ata barbarë. Por që lë fatmirësisht i pari dëshminë për ekzistencën e atij damari aq të lashtë, e tanimë të humbur që mund të na tregojë kush jemi në të vërtetë ne. Shqiptarët.

SHKARKO APP