A është Perëndimi duke perënduar

Nga Marjana DODA –

Ashtu si po zhvillohen ngjarjet politike dhe gjeostradegjike sot kudo nëpër botë, ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur njerëzit do të thonë: Na ishte njëherë Perëndimi!

Me fillesat në gjysmën e dytë të shekullit kaluar, si rezultat i kundërvënies politikave imperialiste, fashiste, naziste e komuniste, Perëndimi u krijua si një sistem vlerash nën ombrellën e Evropës Bashkuar në aleancë me SHBA, me synimin se do të sundonte demokracia, të drejat e njeriut, zbatimi ligjit, liria, barazia, refuzimi i diskriminimit dhe urrejtjes, si dhe se do të vendosej paqja kudo duke patur si roje të saj Organizatën e Traktatit të Atlantikut Veriut (NATO).

Para disa vitesh Perendimi udhëhiqte në vendosjen e një rendi botëror sa më demokratik e dhënien fund të Luftës Ftohtë, në vendosjen e marrëveshjeve kundër armëve bërthamore e ngrohjes globale, në marrëveshje për ruajtjen e klimës dhe tregëtisë lirë, në vendosjen e paqes dhe të drejtës kombeve të vegjël (në rastin me të mirë për ne shqiptarët në çlirimin e Kosovës). Dhe vetëm kaq. Tashmë duket sikur asgjë nuk është më si më parë.

Lëkundjen e parë ngrehina Perëndimore duket sikur e mori me ardhjen në krye të Shtëpisë Bardhë të Donald Trump, një biznesmen i sukseshëm, por ndoshta jo aq i tillë në politikë, pasi pikërisht pas një shekulli kur paraardhësi i tij, Presidenti Udrou Uillson e nxori Amerikën nga politika izolacioniste dhe inicioi krijimin e një organizate të vetme për vendosje të rregullit botëror, Lidhjen e Kombeve (pasuar nga OKB), për Trump, jo më shume si rezultat i tipit kontravers se sa rryma misterioze që mund ta orientojnë për një Amerikë izolacioniste, ka bërë që tashmë SHBA nuk janë më faktor kryesor ndërkombëtar si më parë, duke krijuar çdo ditë e më shumë një botë të pa sigurt.

Në qershor 2017 SHBA tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për Klimën, më 2 gusht 2019 tërhiqet nga marrëveshja e vitit 1987 me Rusinë për posedim e prodhim të armëve raketore, ndërsa më 19 gusht teston raketë balistike duke rritur kështu tensionet ushtarake mes dy vendeve. NATO-n e konsideron të vjetëruar dhe kërcënon aleatët për mospagim detyrimesh (ndoshta kjo në sajë të mentalitetit si biznesmen), OKB-n e konsideron si një mekanizëm burokratik, gjuhë urrejtje e raciste deri në vendosje muresh, si me Meksikën, ndërkohë që 30 vitemë pare (1989) SHBA shembi Murin e Berlinit, etj.

Në fushatën e tij për President, Trump kishte moton:”Amerika e para”. Ndoshta përballë qytetarëve amerikanë motoja e tij dhe ja vlen, pasi ata e votojnë, por përballë misionit historik të SHBA për vendosjen e rregullit botëror, ajo po humb çdo ditë e më shumë rolin e saj.

Vitet e fundit industrialistët e luftës ose “miqtë e djallit” sic preferoj ti quaj , po inkurajojnë liderë botërorë drejtë një Lufte të Tretë. Testet e raketave dhe armëve bërthamore në Korenë e Veriut, në Rusi, në Amerikë, në Iran, e gjetkë, nuk do shumë mend për të kuptuar se po lindin liderë të ç’ekulibruar.

Të mos harrojmë se 74 vjet më parë, më 6 e 9 gusht 1945 bombat atomike të hedhura në Hiroshima e Nagasaki, që shfarosën qytetet e humbën jetën u gjymtuan përjetë qindra e mijra qytetarë të pafajshëm, shënoi kapitullimin e Japonisë dhe fundin e Luftës Dytë Botërore, por nëse do ndodhë konflikt botëror me këto armë që po prodhohen nga një garë e pa shfrenuar, një ditë mumd të shfarosin shoqërinë njerëzore. Ndaj, dalja jashtë çdo kontrolli i prodhimit të tyre, ç’ka del në pah dhe me rolin në rënie dhe në izolacion të SHBA, mund të sjellin pasoja të pa parashikushme në të ardhmen.

Lëkundjen e dytë ngrehina e Perëndimit e mori me Brexit, që sipas shumë analistëve shënon fillimin e fundit të Bashkimit Evropian. Çuditërisht dhe këtë proces e inkurajoi Donald Trump, i cili mbështeti hapur për lider të Konservatorëve dhe Kryeministër Boris Johnson, duke e konsideruar atë “Trumpi Britanik”. Pse jo, me shumë pika të përbashkëta në karakterin kontravers, arrogantë, racistë. Ultimatumi i Johnson për të dalë nga BE brenda 31 tetorit, qoftë dhe pa marrëveshje, ka tronditur jo vetëm Britaninë e Madhe por dhe BE-në. Por kumbari Trump në takimin e G 7 -ës në Biarritz të Francës, më 25 gusht e inkurajojë sërish se; “Britaninë e pret një marrëveshje e madhe tregtare me SHBA dhe nuk e ka më zinxhirin rreth kyçit, ndërsa Johnson është njeriu i duhur i Brexit”. Dhe Jonhnson si Trump doli me moton se; “dëshironte ta bënte Mbretërinë e Bashkuar vendin më të bukur për të jetuar ne tokë”, pa menduar se vendi po po rrezikon të futet në recension.

Krijimi i boshtit anglo-amerikan, duke shpërfillur dukshëm BE është precedent i rrezikshëm në prishjen e balancave të sigurisë në botë, pasi boshte dhe aleanca tjera po shtohen dita-ditës, si; aleanca ruso-kineze-iraniane, aleanca ruso-turke, që vec BE-së i ka krijuar tronditje të madhe NATO-s me blerje sistemi raketor në Rusi, aleanca ruso-koreanoveriore, aleanca ruso-serbe, etj. Zhvillimet politike nëpër botë po krijojnë aleanca të tjera dhe përballë një BE të dobësuar e një Amerike të vetëizoluar, me gjithë përpjekjet e binomit Merkel-Macron që po e mbajnë me oksigjen, Perëndimi vështirë të përballet me ç’ekulibrat që po krijohen.

Lëkundjen e tretë ngrehina Perëndimore po e merr si rezultat i fenomenit në rritje të shpërbërjes së vetë BE-së. Fill me shfaqen e Brexit u fol se dhe Greqia është gati për një Grexit të ri, ndërsa në Itali politikat neofashiste e raciste të Legas me Matteo Salvinin krijojnë pasiguri, ashtu si e djathta ekstreme në Francë me Marine Le Pen që fiton popullaritet përballë fenomenit të problemeve që dalin nga emigrantët, apo të një Gjermanie që po kalon në staniacion dhe hap dyert për emigracionin, të një Hollande skepitike që është kundër zgjerimit të unionit, me një Danimarkë të shpërfillur nga Trump për ti blerë në mënyrë arrogante ishullin Greenland sikur të blinte një truall për gradaçielë, etj.etj.

Me tendencën e shpërbërjes BE-së dhe politikën izolacioniste e pragmatiste të SHBA, po rigjallen urrejtjet nacionaliste dhe e djathta ekstreme po shënon rritje, siç ndodhi dhe në zgjedhjet e fundit në Parlamentin Evropian, ndaj Perëndimi nuk do jetë më union vlerash, por do ketë rritje të gjuhës së urrejtjes dhe racizmit, kufizim të të drejtave të njeriut si rezultat i qëndrimit jo njerzor të disa shteteve ndaj problemeve të emigracionit, në zhvillimin e proteksionizmit tregtar nga fuqi të mëdha, në zëvendësimin e pluralizmit në qasje fashiste e nacionaliste që po dalin gjithnjë e më shumë si kërcënim.

Ndaj sot po jetojmë një botë të trazuar dhe gjithnjë e më të pasigurt. Dhe një i quajtur Perëndim, si një aleancë ekonomike, politike e ushtarake, tashmë po duket se hallkat e zinxhirit po i këputen një e nga një. Ndaj pyes: A mos valle Perëndimi është duke Perënduar?!

SHKARKO APP