A kemi këllqe për sirianët?

Bedri Islami

Për shumë vetë, mes tyre dhe miq të mi të afërt, do të jetë e çuditshme kundërshtia ime private ndaj një çështjeje kaq të nxehtë, deri në përvëlim.

Do të ishin të habitur, pasi, si është e mundur që një njeri, i cili jeton prej 26 viteve jashtë vendit të tij, në një vend tjetër, ku ka gjetur mirëkuptim, është punësuar, ka shkolluar djemtë dhe ka ndërtuar një jetë solide, të jetë kundër.

Po e marr të mirëqenë se për shkak të angazhimeve europiane, Shqipëria do të jetë vendi i strehimit të 600 mijë emigrantëve, të cilët mund të jenë në të shumtën sirianë dhe jo ushtarë të ISIS-it; do të jenë njerëz që kanë lënë vendin e tyre për shkak të luftës civile ose politikave të tjera, të cilat rëndojnë dhe rrezikojnë jetën e njeriut.

Nuk jam kundër sipas budallallëqeve se këta emigrantë sirianë do të rriten, do të marrin nënshtetësinë, do të formojnë partinë e tyre, do të marrin qeverinë dhe një ditë, vendi ynë do të qeveriset nga sirianë apo kurdë. Arsyetim i tillë, edhe kur bëhet nga njerëz të mençur, ka një pasvijë të fuqishme mllefi ndaj çka do që bën qeveria, edhe sikur ajo t’u thotë çdo mirëmëngjes “shendet”.

Do të jetë i çuditshëm reagimi im, pasi dy dekada më parë, kam qenë pjesë e asaj ka ndodhur me shqiptarët e Kosovës, ku lënia e atdheut të tare ishte e njëjtë me sigurinë e jetës, megjithëse e dinin se kthimi do të ishte po aq i shpejtë sa edhe largimi. Ashtu edhe ndodhi.

Nuk jam ksenofob. As më ka shkuar ndonjëherë në mendje të jem i tillë, aq më tepër, edhe po të kisha qenë dikur, jeta e puna e përbashkët në mërgim, ku shumica e bashkëpunonjësve kanë qenë të huaj, do e kishin hequr këtë mendim absurd.

Edhe sot, në Institucionin ku bëj pjesë, janë të punësuar nga 22 vende të ndryshme të botës, që nga vendasit, austriakë apo gjermanë, dhe deri nga thellësia e Afrikës. Për më tepër, njeriu që do të më zevendosojë pas muajit nëntor, kur është koha e kalimit në punë të pjesëshme, është një egjiptian.

Pra, asgjë nga pasvijat që mund të mendohet nuk ka të bëjë me qëndrimin tim. Për më tepër, i takoj një kombi, i cili, nga të gjitha trevat e tij, ka rreth një të tretën të larguar nga vendi i tyre.

Ka një dallim thelbësor ndaj asaj që predikon opozita, për 600 mijë apo edhe 50 mijë luftëtarë të ISIS-it dhe emigrantëve, disa nga të cilët kanë ikur pikërisht nga frika e tmerrit që kanë mbjellë këta terroristë të një niveli të pashoq. Ish luftëtarët janë gjithnjë një minë me sahat për secilin shtet, për më tepër ata mund të ishin në Shqipëri një minë në shpërthim e sipër, të cilën asnjë qeveri nuk do të mund ta ndalte.

Megjithatë jam i bindur se një plan i përmasave të tilla, për 600 mijë emigrantë të strehuar këtu,  nuk ekziston dhe, nëse do të fillojë një ditë që kjo ide të marrë formë, do të kishte disa stade të rëndësishëm, përsëri i qëndroj asaj që thashë që në fillim; le të mendojmë se kjo do të ndodhë një ditë.

Përse nuk do të mbështesja një nismë kaq të thellë, shumëplanëshe, në përmasa të jashtëzakonshme, edhe për një vend shumë më të stabilizuar se Shqipëria, me resurse më të mëdha dhe pushtet të konsoliduar?

Janë disa arsye:

1.Arsyeja politike. Përse mund të caktohet shteti ynë si vatër e një qendre grumbullimi masiv të emigrantëve? Është një vendim politik, i cili nuk mund të merret vetëm pse Shqipëria paska male dhe ata nuk mund të lëvizin lirisht; është një lëshim politik i qeverisë shqiptare në një këmbim favori tjetërlloj; është një zmbrapsje e nervozizmit politik europian, ku të djathtët skajorë po fitojnë terren pikërisht nga marshimi i emigrantëve drejt vendeve të tyre, apo një qëndrim fillikat,i menduar i politikës qeverisëse shqiptare?

Asnjëra prej tyre nuk e justifikon një përqendrim kaq të madh të emigrantëve të huaj në Shqipëri, edhe nëse flitet për një të gjashtën e tyre, pra për 100 mijë.

Herë pas here shteti shqiptar ka bërë lëshime politike për të zgjidhur hallet e saj të qeverisjes. Jo gjithnjë këto lëshime kanë qenë të favorshme dhe të qëndrueshme.

Krahasimi me vitet e para pluraliste, ku hapën të gjitha dyert për radikalët islamikë, i takon një kohe tjetër, dhe nëse asaj kohe, me urdhër të presidentit të kohës, u hapën këto dyer të shkallmuara, kjo nuk ka pse përsëritet, edhe pse jemi vend i NATO-s, edhe pse kemi detyrime politike ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare.

2.Arsyeja humanitare.

Ardhja e më shumë se gjysëm milioni emigrantë do të thotë që Shqipëria të shtohet në një të pestën e saj.

Të ardhurit janë njerëz si ne, kanë nevojë për një vend ku të jenë të sigurtë, të mos kenë rrezik për jetën e tyre. Por, si të gjithë njerëzit, ata kanë nevojë për një jetë normale, të dinjitetshme; ata nuk mund të qëndrojnë në baraka apo çadra provizore, pasi, në rastin më të mirë do të qëndrojnë disa pak vite dhe në rastin më të rëndë, mund të jenë këtu edhe një dhjetëvjeçar.

Pra ata duan strehim normal, shërbim shëndetësor normal, dritë, ujë, banesa, ushqim të garantuar, qoftë edhe një jetë modeste.

Për 600 mijë emigrantë do të duheshin të paktën 120 mijë apartamente banimi, pra një qytet i ri, me rrugët, sheshet, shkollat, kopshtet, qendrat spitalore; do të duhej një infrastrukturë e tërë.

Ndoshta ky do të ishte një rast i mirë për ndërtuesit, të cilëve ua do puna të fërkojnë duart, aq më tepër që financimi nuk do të bëhet nga shteti ynë, por nga një bashkësi e tërë ndërkombëtare, e cila, në këto raste, i lëshon pak duart, pasi kanë një hall më të madh mbi kokë se sa pjesën financiare.

A mund të ngrihet një qytet i tërë në pak vite, me gjithë çka kërkon ky qytet, qoftë edhe i ndarë në disa qyteza, anembanë vendit?

A do të ishte njerëzore që këta njerëz, të lënë në mëshirën e fatit, të kenë edhe këtu ndjenjën e përbuzjes për vetë jetën e tyre?

Nëse kjo do të bëhet hap pas hapi, cilat hapa do të hidhen së pari, për cilët, në cilën strategji është e mbështetur kjo?

  1. Punësimi

Secili nga ne që kemi marrë vendimin e jetës sonë për të qenë emigrantë dhe na është dhënë e drejta për të jetuar në një shtet tjetër, kemi qenë të bindur se shteti pritës do mund të ofrojë punë.

Kështu ka ndodhur me secilin prej nesh. Pas disa muajve jemi punësuar, pasi shteti pritës ka patur nevojë për punën tonë.

Disa vite më parë, kur u shtrua forcërisht çështja e emigrantëve, ish Kancelari Helmut Kohl pat thënë se “nëse nuk do të ishin emigrantët, shumë prej nesh do të ishin kamarierë”, në kuptimin se dikush do i bënte këto punë.

Përmes të huajve, të cilët punojnë më shumë në vendin pritës se sa në vendin e tyre, këtu nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët, janë ndërtuar shtetet e rrënuara nga lufta. Edhe sot, në një masë të madhe dërmuese, vendasit janë dominues në zyrat e shtetit, ndërsa të ardhurit janë ata që realizojnë produktet.

Çfarë punësimi mund t’u ofrojë Shqipëria? Ajo nuk është e përgatitur për punësimin e njerëzve të saj, e jo më të ketë një forcë të ardhur, që mund të bëhet dominuese në treg.

Ose do të qëndrojnë në banesat e tyre, sehirxhinj, me jetën që u ofron ndihma sociale, e kështu, pak nga pak, do të humbin dinjitetin e tyre, si çdo njeri që rri vite të tëra si i papunë.

  1. E ardhmja.

Çfarë do të bëhet me këta njerëz. Nëse do të jenë në një shkallë kaq të madhe, atyre u duhet arsimi në gjuhën amtare, një e drejtë themelore, u duhet shkollimi i mëtejshëm shkolla të mesme dhe ndoshta univeristet, nëse vitet e qëndrimit do të jenë të shumtë.

Por, një ditë, gjendja në vendin e tyre, do të ndryshojë.

Ata, duhet dhe do të largohen. Fillimisht në pjesë të vogla, por gjithnjë e më shumë masivisht, për më tepër se vendi ynë nuk është parajsë europiane. Të papunë, në një vend të huaj, që nuk është si BE, do të kthehen.

Çfarë do të bëhet me investimin gjigant për jetën e tyre? A do të kemi edhe ne, si në DDR, Gjermaninë Lindore, qytete fantazmë, që zbrazur plotësisht nga banorët?

5.Siguria

Njerëzit që do të mund të vijnë janë hekakeq, por nuk janë të gjithë engjëj. Për të garantuar sigurinë e tyre do të duhet një polici e re. Me cilët? Vendasit? E vështirë? Të ardhurit? Po ashtu, e vështirë! Shumë prej tyre janë të traumatizuar.

Si do të rregullohet siguria e jetës së tyre, por edhe siguria e banorëve vendas, që në shumë raste mund të kenë mentalitete të ndryshëm, jetë të ndryshme, bindje fetare  jo të njëjtë.

Me të ardhurit mund të ketë edhe radikalë. Një shumësi e tillë, gjithçka bën të mundur. Po ndaj tyre cili sistem do të funksionojë?

Të pakënaqur me vendin ku mund t’i sjellin, ata do të kërkojnë të largohen drejt Europës. Siguria e kufijve sidomos detarë do të jenë përsëri një “patate e nxehtë”.

Në fund, do të isha për pranimin gradual të emigrantëve, edhe si një dëshmi e qënies sonë europiane, edhe e mirënjohjes për faktin që mbi një milion shqiptarë janë tani në vendet e tjera; edhe për ndihmën që na është dhënë dhe do të jetë e pranishme, por, gjithçka duhet bërë gradualisht, aq sa është e mundshme për të mbartur dhe sa është e realizueshme.

Duke qenë një emigrant prej një çerek shekulli e më shumë e di fare mirë se më shumë se gjithçka të prek dhe të nxiros mospërfillja e atyre ku ke shkuar, heshtja që të rrethon, enigma e një dite tjetër, dhe të pik malli për vendin që ke lënë e ku e ke të vështirë të kthehesh.

Le t’ua kursejmë atyre që mund të vijnë këto ndjenja, që janë të njëjta me rrëshqitjen e dinjitetit në një humnerë pa kthim. Dita.al

SHKARKO APP