A mund të gjejmë të paktën një si inxhiniere Luljeta edhe për ekonominë

Pas tërmetit të fortë që tronditi e shkërmoqi shumë gjëra , ende kemi nevojë për solidaritetin i cili na ndihmoi të kalojmë shookun parë, dhe si shoqëri gjithnjë do të kemi nevojë për të. Gjithnjë do të kemi nevojë edhe për inxhinierë, sizmolog e akademikë për të kuptuar ku gabuam. Por tani dy javë më pas duket se Shqipëria ka nevojë të bëjë llogaritë.

Qeveria thotë se në fillim të vitit tjetër do të llogaritet edhe fatura financiare por që tani të gjithë e kemi kuptuar se ajo do të jetë e lartë. Qeveria ka mbledhur 20 mld lekë por është e qartë që duhen shumë më shumë fonde. Siç ju trembën tërmetit , të gjithë po I tremben pyetjes se ku do të gjejnë këto para?.

Sa do me shkëlqim u shfaq solidariteti, vetëm ai, nuk mjafton tani. Ndoshta çdo ekonomi e zhvilluar do ta kishte të vështirë këtë barrë që krijoi katastrofa, por Shqipëria ka edhe shumë arsye të tjera për t’i ngulur këmbët thellë për të gjetur rrugën se si do të administrojë financiarisht jo vetëm të dëmet e së tashmes por edhe të ardhmes.

Specifika nuk lidhet vetëm me faktin se jemi një vend I varfër. Kjo është një trashëgimi e hidhur prej dekadash. Koha kur ra tërmeti, nga njëra anë, na gjeti të zbuluar financiarisht dhe me ekonomi anemike. Me një buxhet të dobët në të cilin mungojnë edhe të ardhurat e parashikuara. Borxhi publik është I lartë dhe krijon pak hapësirë për huamarrje shtesë përmes instrumentave tradicional. Por nga ana tjetër, një faturë tjetër ekonomike e financiare përveç asaj të dëmit nga tërmetit po fillon të formësohet. Po vihet re një rënie ndjeshme e konsumit të brendshëm për shkak të traumës së tërmetit.

Jo vetëm në Durrës por edhe në Tiranë ku është përqendruar zemra e ekonomisë së vendit dhe parkingjet private thonë se ka rënë puna pas tërmetit?! Edhe mjekët madje! Tregu imobilar ka ngrirë dhe turizmi është trembur.

Kjo sjellje konsumatore nën strehën e një parashikimi pesimist për rritje ekonomike të vogël por që ende nuk dihet se sa arrijë, do të sjell pasoja negative zinxhir që do të na harxhojnë jo vetëm paratë e së tashmes por edhe të së ardhmes?

Vetë mënyra se si ekonomia jonë është e strukturuar, pak prodhuese dhe me deficit tregtar të lartë shtynë që edhe donacione të dalin jashtë sërish si pagesa për lëndë të parë për rindërtimin. OECD ka parashikuar që tërmetet me pasoja siç ndodhi në Shqipëri, shkaktojnë papunësi. Dhe këtu pastaj jemi në pikën e rrezikut që kriza e tërmetit të lëkund e të prodhoj një krizë të themeleve ekonomike të familjes.

Mirëpo çfarë po ndodh. Ne ende nuk po shikojmë një tryezë institucionale, të nxituar qoftë edhe qeveria, ku të hidhen ide, të jepen modele se si Shqipëria duhet të paguaj pa u lënduar dhe të shpëtojë ekonominë e saj në të ardhmen

Në skenat mediatike ende gëlojnë bamirësit, që kanë nisur të replikojnë mes tyre se kush ka mbledhur më shumë fonde, zhurmojnë inxhinierët me gradë ushtari që presin urdhër nga gjenerali, janë dyzuar në karriget e institucioneve edhe ndërtuesit që janë ende në konflikt interesi.

Por asnjë ent i publik apo privat, asnjë shoqatë, asnjë individ që ka në dorë, ka ide ose di të hartoj politika ekonomike nuk ka mundur të ndërtojë një tryezë ku të përbashkët ku mbi të ofrohen rrugëdaljet dhe perspektiva post tërmet.

Gazeta është përpjekur që të përfshijë këtë diskutim të parën në axhendë por pavarësisht përkushtimit profesional dhe të përgjegjshëm të disa zërave sërish kërkohet një vokacion më I fortë dhe shkallë angazhimi më e lartë që idetë të prodhojnë veprime konkrete. Kur ra tërmeti shkalla e besimit të publikut tek shteti dhe qeveria ishte në pikë të ulët.

Por media zbuluan rastësisht inxhinieren dhe pedagogen Luljeta Bozdo, e cila edhe pse e vuri gishtin në plagën e hapur, nga që ishte e mençur dhe e ditur, në momentin më fatal arriti t’i bind shqiptarët që nisin të besojnë se në këtë vend ka njerëz të mençur që edhe pse të mbytur padrejtësisht nga llumi i injorantëve, mund t’i dalin vendit zot atëherë kur ai ka nevojë.

Qeveria e nuhati atë që i mungonte ndaj i ofroi fronin të cilin ia kishin mohuar asaj dhe shumë të tjerëve. Por tani që jemi në një moment tjetër a nuk mundemi dot të gjemë të paktën një si profesore “Luljeta” edhe në ekonomi. Ju sigurojmë që ka plotë, por ata ende po i mbajnë larg mëkatarët e pushtetit.

Në vend që të kishte një reflektim politik dhe gjithëpërfshirës maxhoranca gjeti endësin e saj më të mirë të historive të suksesit ekonomik, ish ministrin e financave Arben Ametaj, i cili thur optimizëm në eter edhe aty ku tabloja është e zymtë.

Por edhe pse sot u bë ministër shteti për rindërtimin , ai as qeveria e vetme nuk mund ta zëvendësoj dot profesore Luljetën nëse plot shqiptarë të zot e të ditur i mbajnë larg.(SI)

SHKARKO APP