A ngrihe të bësh zakon, Kapedan, more Sali !…

-Përsiatje nga cikli “ Antiharresa “ –

Nga Kristo Mërtiri – 

A e dini cili top shemb kështjellën më të fuqishme në botë ? Atdhedashuria !,-do të përgjigjej menjëherë bilbili i gjuhës sonë, Naim Shqipëria. Se poeti ynë kombëtar u tret si qiriri në kërkim të mirësisë, urtësisë, diturisë dhe njerëzishmërisë, përsosjes morale. U tret, kulloi, u dogj e u përvëlua për mëmëdhenë ! Nuk e ndau asnjëherë Urtësinë nga Trimëria. Dhe nuk jetoi kurrë jashtë historisë e politikës. “…Poeti ynë i madh për shqiptarizmën krijoi vetëm një Perëndi, Perëndinë shërbyese të Shqipërisë”. Duke ia nënshtruar patriotizmit. Cdo prishje harmonie e tmerronte : “Shokë! Kemi në mes tënë/ Shumë armiq e tradhëtorë!/ Popo! Mos u qoftë thënë!/ Vec që s’kanë gjë në dorë !”…Në fund të fundit, këta zuzarë të cdo kohe e sistemi, “nuk i do as nëna e vet”! Mirëpo nuk thosh kot vëllai i tij, rilindasi tjetër i pavdekshëm, Samiu, dëshira për Liri dyfishon shpirtin e një kombi. Meditime të tilla prushndezura në vigjilje të cdo 28-29 Nëntori, rrjedhin natyrshëm e gurgullojnë si burimet e maleve tona hijerënda. Bashkë me këngët për trimat dhe trimëritë e tyre, që populli ynë i seliti e lartësoi përjetësisht në panteonin e bukur të Lirisë e Pavarësisë.

Sa për titullin e shkrimit, cilindo që e ha sadopak “meraku”, le të durojë pakëz caste leximi. Mbi 4o vjetë më parë, atje në malet përmbi Tragjasin e Vlorës, në stanet plot këmborë e zile, u ngjita me njeriun e mirë tërbaçiot, Shate Gjondeda. Ka kohë që i ka kapërcyer të tetëdhjetat. Pleqërinë po e shtyn me gëzime e hidhërime në vetmi, në Orikum. Të dy kujtojmë atë natë të paharruar nën sharqet e çobanëve të kopeve dhe fare pranë yjeve nëpër kupën qiellore të Labërisë. Unë isha ende student në Degën e Gazetarisë. Nuk po zyrtarizohesha akoma si dhëndër në Vlorë. Dashuri e zgjatur jo për fajin tim…Kur u miqësova, Shates ia rrëfeva gati tërë kalvarin djaloshar. Më dëgjonte e më përqafonte çiltër. Kuvenduam shtruar e këmbëkryq me barinjtë e kooperativës. Diku e ruaj ashtu të zverdhur edhe bllokun me shënime të nxituara, bllok që ma fali Thimi Nika i paharruar, në redaksi. Për mua nuk ishte gjë e vockël botimi i atij reportazhi të gjatë në gazetën “Zëri i Popullit”. Aq më tepër student i zakonshëm, ku bëja praktikën mësimore cdo fundjavë. Nuk mund të matesha aq herët me firmat më të dëgjuara publicistike të kohës, brenda e jashtë Redaksisë. Megjithse më trajtonin si shok e vëlla më të vogël, ku vërtet mësova mjaft nga secili. Por nga ajo natë në malet përmbi Tragjas, dëgjova edhe një këngë popullore labe, për herë të parë dhe të fundit. Ndoshta nuk ka patur fatin të promovohej nëpër festivale, në mikrofona a përballë kamerave televizive. Si në monizëm dhe në pluralizëm. Nuk e di, a këndohet e plotë në Tragjas a gjetkë ?

Saliun pse s’e dëgjojmë/

Kapedan, more Sali/

A ngrihe të bëç zakonë,/

Të març dyfekun në dorë,/

Të kaptoç malet me borë,/

Të hapsh hapsanat në Vlorë/

Kapedan, more Sali !…

Kur ia citova 3 ditë më parë në celular, mikut tonë të veçantë e “poet i vërtetë”, Ilirian Zhupa, u përgjigj pa vonesë me një pyetje kuptimplote:” -Mos është për kapedan Sali Vranishtin? Vetëm atij trimi të rrallë mund t’i këndohet kështu…”. Te burimi në Tragjas, qenka hedhur në kartë mbi 65 vjetë më parë ! ( Një nga mëhallalinjtë e mi tiranas te Brryli, qeshi dhe lëshoi romuze për Sali Berishën. “Doktorin Sali, mos e ngacmo. Si politikan, bëji ç’të duash !…”). Por le ta lëmë mënjanë politizimin ngatërrestar e vrastar. Për heronjtë e vërtetë popullorë që falën gjithcka në themelet e Lirisë e të Pavarësisë, historia i ka gdhendur me shkronja të arta. Fjala vjen, lexoni romanin “Ultimatum “, shkruar nga pena e kapedanit tjetër të Bregut të Detit e të Letërsisë Shqiptare, dhimbjemadhi Petro Marko. Jo rastësisht derdhi frymëzimin e tij si dallgë Dhërmiu për kapedanin e burrërisë e të trimërisë, Sali Vranishti (Murati). Jo rastësisht dy rrugë në Tiranë e në Vlorë, thërriten sot e gjith ditën me emrin e tij që u fal njerëzve krenari nga krenaria jonë kombëtare. Ç’ti falte më tepër dheut mëmë ai shqiptar i madh ?! Që nga kalaja e Janinës ku e syrgjynosën tradhtisht me zinxhirë në këmbë e duar dhe gjer te arratia e ardhja me dyfekun me gjalmë në Kuvendin e Drashovicës në përkrahje të Memorandumit të Gërces; që nga hapja e burgut të Vlorës dhe gjer te takimi i ngrohtë me Ismail Qemalin në Vranisht. Fjalët e tij melhem, i dhanë më tepër krahë kapedanit. Dhe ngriti shpejt Cetën e tij të famshme. Cetë që do e ndalonte hapin e tij sorkadh gjer në Delvinë : “Delviniotët e kërkojnë/ Kanë hall me Thimio Lolë/ Japin 300 napolonë/- Unë s’jam për napolonë…”. Kur isha korrespondent i përhershëm profesionist në Sarandë, mërmërija pjesërisht atë këngën e mësuar si student në malet përmbi Tragjas. Por edhe përfytyroja si më afër shpalosjen furtunë të fustanellave labe erë baruti të kapedan Saliut me shokë. “ Në Krane tek u përpoqnë/ zunë vend edhe qëllojnë./ Foli Saliu me gojë :/ Del o pusht të shom’ shoshoqnë/ se burrat futur s’qëllojnë!”. Dhe befas vërshoi një pyetje dhe një përgjigje jo pak drithëruese :”- Ti je Saliu që thonë ?!/ – U jam Saliu që thonë !”. Dhe më tej dihet c’farë ngjau : “Te Kocomili në brinjë/ ngule gjunë e shtrove synë…”. Sqarim më konçiz e më të sinqertë se kënga labe, vështirë të gjendet… Nuk ishte rastësi emërimi i tij si komandant i Sigurimit Publik, nga vetë Ismail Qemali. Ndërsa në Cakran e Myzeqe, i vuri kufirin te thana rebelimit esadist kundër Qeverisë së Vlorës. Mori edhe disa plagë pabesie pas shpine, por nuk u ligështua e as u tërhoq. Trojet amtare dhimbnin më shumë e më thellë se plagët e trupit ezhdërha. Prandaj bashkëpunoi me Çerçiz Topullin. Rreth kalasë së Kaninës, është edhe gjaku i Saliut në Luftën e Vlorës dhe gjer në Macukull e në Urën e Deshëve në Mat kundër serbëve apo në ballë të kryengritësve të Qershorit duke mbrojtur Qeverinë fatkeqe të Nolit. Në 1 nëntor 1924, bashkë me Bajram Currin i nxjerrin në “pension invaliditeti”(?!). Por nuk mungoi te Shkalla e Tujanit kundër forcave zogiste. Një dëshpërim i madh i ra si shtëllunga resh të zeza mbi majën e Cipinit. Në janar 1925, pas përmbysjes së Qeverisë, u kthye zemërplasur në Vranisht. U kthye me plagë të pambyllura. Kapedani 46 vjecar do të gremiste sytë përgjithmonë, fiks pas një viti që pikonte vetëm helme e maraze atdhetarie për Lirinë e Pavarësinë e vërtetë të vatanit…

Unë pata fat që shkova në shtëpinë e tij në Vranisht, nga fundi i viteve ’80 i shekullit që iku. Po kërciste rrokullima e sistemit. Gjeta djalin e tij të vetëm, xha Mamanin e dashur, me të cilin bëra edhe një bisedë të vecantë e kokë më kokë për ca pisa e pisllëqe brenda e jashtë ishgazetës tonë “Bashkimi”. Njeri mendjehapur, i zgjuar, i besës, serioz, me llafin dyfek e pa pikë uji të tepërt, burrëror, me karakter stëralli. Përballë tij mund të thoshje pa droje e pishmanllëk dhe me plot gojën e zemrën : Dardha bie nën dardhë !…( Mencurinë dhe burrërinë e tij të pastër si bora në male, unë e preka për herë të fundit nga afër në sallën e mbledhjeve të Muzeut Historik Kombëtar, në fillimet e trazuara të pluralizmit kur na morën gazetën e na nxorrën në rrugë. Por kjo është temë shkrimi më vete)… Ai burrë dikur kish lënë spaletat e kolonelit dhe iku nga Kryeqyteti vullnetarisht në 1966. Nuk i ra gjoksit dhe as më tha ndonjë fjalë për babanë, Hero i Popullit. Por unë në heshtje bëja vetiu lidhjen e ngjashmërisë së portretit të gjallë me atë të shtatores së bronxtë që hidhte shtat e dritë nëpër Lumin e Vlorës e më tej. Përfytyroja edhe plagët e tij që kulluan gjak të kulluar edhe në viset e mia, kur mbrohej me jetë Kongresi historik i Përmetit. Xha Mamanit i dridhej zëri e shpirti kur rrëfente për trimin që nuk e bën më nëna, për 24 vjecarin legjendë, Hysen Cino etj. etj. Gurra popullore e Vranishtit nuk pushon kurrë. Ndoshta më tepër se kudo, atje ka valle të kënduara, valle që merren të lidhura “si fishekë gjerdani”. Bijtë e këtij fshati i këndojnë Kurveleshit të sertë dhe Dëshmorëve të Labërisë që “fshinin gjakun me këmishë” kur i merrte plumbi në sisë. Por ata dinë t’i këndojnë bukur edhe “Jelekverdhës veshur-o” apo “Minushes me 7 nure”. Pa harruar kryeheroin Sali që “e hiqte vallen të rëndë”. Ndërsa në Tragjas e Delvinë nuk besoj të jetë përtharë ajo kënga burimore “ Ti je Saliu që thonë ?!/ Kapedan, more Sali !”…

SHKARKO APP