Abuzimet seksuale ndaj të miturve, psikologia: Ndodhin më shpesh në zonat rurale, duhet ndërgjegjësim i shoqërisë

Përdhunimi apo abuzimi seksual ndaj të miturve është një fenomen i cili në mënyrë të vazhdueshme jep një tronditje për shoqërinë shqiptare, opinionin publik dhe të gjithë qytetarët.

Psikologia Nertila Bekteshi e ftuar në studion e Ora News u shpreh se ky është një fenomen i përsëritur në vendin tonë, dhe ky fenomen është më i shprehur në zonat rurale.

Bekteshi: “Për fat të keq ky është një fenomen në përsëritje, nuk është hera e parë që ne shokohemi. Ajo që ne duhet të bëjmë është të ndërgjegjësohemi, të jemi të vetëdijshëm për një shoqëri më të mirë. Kjo duhet të fillojë jo vetëm nga profesionistët, pro edhe nga familjarët . është një fenomen i cili për fat të keq nuk ka rrugëzgjidhje të menjëhershme. Ajo që ne vëmë re, është se ky fenomen është më i shprehur në zonat e thella. Pra ky ndërgjegjësim nuk duhet të bëhet vetëm në aspektin qytetar, por mobilizimi dhe vëmendja duhet të jetë gjithmonë në zonat rurale aty ku fenomeni ndodh shumë shpesh, pro për fat të keq nuk reklamohet.”

Përsa i përket shkaqeve që çojnë në këtë fenomen, psikologia u shpreh se edukimi është një nga arsyet kryesore, ndërsa roli i familjes është kryesori për ndërgjegjësimin.

Bekteshi: “Deformimet e tilla do të thosha që kanë të bëjnë me pjesën e edukimit, me pjesën e moszhvillimit apo marrjes keq të informacionit. Ajo që ne duhet të bëjmë është të ndërgjegjësohemi për të përmirësuar këtë lloj fenomeni. Rolin kryesor e ka familja, ajo duhet të gjejë hapësirën.”

Bekteshi u shpreh se strukturat shtetërore janë të ngritura dhe duhet ta bëjnë sa më mirë detyrën e tyre.

Bekteshi: “Strukturat shtetërore janë të ngritura, mirë apo keq në organizimin e tyre nuk do dija t’i vlerësoja, pro luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Reklamimi i herë pas hershëm, fushatat e sensibilizimit, njerëzit duhet të jenë vigjilentë dhe strukturat sigurisht ta bëjnë mirë detyrën e tyre.”

Abuzimi seksual ka pasoja të rënda psikologjike dhe mund të çojë deri në vetëvrasje sipas Bekteshit.

Bekteshi: “Është një frustrim dhe presion shumë i madh psikologjik, që ka pasoja për gjithë jetën. Ka një ngarkesë psikologjike deri në çmendurira apo mendime të vetëvrasjes apo të aspekteve të tjera të çrregullimeve mendore. Në mënyrë të prerë të dhënat nuk duhet të bëhen publike. Është një  cenim i individit që ka pasoja shumë të thella psikologjike për gjithë jetën, unë do të thosha të pashërueshme.”

Ndërsa thotë se duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet psikologut dhe mjekut psikiatër për të qetësuar viktimën e abuzuar.

Bekteshi: “Hallka e psikologut është një ndërmjetës shumë i mirë për të qetësuar apo për t’u ndodhur pranë, por ka raste që edhe mjeku psikiatër duhet të jetë në shërbim të viktimës së abuzuar.”

Psikologia Bekteshi shprehet se shoqëria duhet ta vërë në dukje fenomenin herë pas here dhe jo kur ndodhin problematika.

Bekteshi: “Është një rëndesë shumë e madhe për familjen, kosto shumë e madhe. Jo të gjithë e kanë guximin për të reklamuar dhe për të ekspozuar. Nga eksperienca besoj se njerëzit kuptojnë hallin e tjetrit kur i ndodh vetë. Ajo që është më e mira është që ne si shoqëri duhet ta bëjmë fenomenin të dukshëm, herë pas here edhe pa ndodhur problematika ne duhet të kujtohemi për këto situata.”

Ajo shton se edukimi seksual nëpër shkolla është i rëndësishëm, pasi konsiderohet tabu në vendin tonë.

Bekteshi: “Unë mendoj që është shumë e rëndësishme pjesa e edukimit seksual nëpër shkolla. Mësuesi duhet të gjejë hapësirën për të tërhequr vëmendjen për edukimin seksual, sepse kjo është ende tabu në vendin tonë. Për fat të keq ne nuk arrijmë ta kuptojmë ashtu si duhet.”

SHKARKO APP