Adrian Civici/ Nga punëtor në llaç e tulla, në pedagog e lektor në universitetet e njohura të Europës
Sajti “Memorie.al” ka publikuar një foto të panjohur të një prej ekonomistëve më të njohur të vendit, e cila i përket fillimit të viteve ’70-të, kur ai pas mbarimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, për shkak të problemeve biografike, iu privua e drejta e shkollës së lartë dhe fillimisht u detyrua që të punonte si punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit ’21 Dhjetori’ në Tiranë, ku prej lodhjes së madhe, teksa shikonte normisten e brigadës së ndërtimit që shënonte ditët e punës, ëndërronte që një ditë të shpëtonte nga ajo punë e rëndë dhe të bëhej si ajo…?!
Por falë vullnetit të tij dhe disa rrethanave të kohës që e favorizuan pas disa viteve, ai mundi që të ndiqte shkollën e lartë në Fakultetin e Ekonomisë Agrare në Institutin Bujqësore të Kamzës, ku u diploma me rezultate të larta dhe e emëruan aty si pedagog, ku dhe fitoi gradën Doktor i Shkencave, e më pas si Përgjegjës i Departamentit të Ekonomisë dhe Politikave Agrare dhe Dekan i Fakultetit të Ekonomisë Agrare në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Si ia arriti punëtori i ’21 Dhjetorit; që jo vetëm të bëhej një ‘normist’ dhe ekonomist i zoti, por pas viteve ‘90-të, me gradën Doktor i Shkencave Ekonomike, akorduar nga ENSA, Montpellier (Francë), për disa vjet me rradhë, ai dha leksione si pedagog në disa prej universitetet më të njohura të Europës, si lektor i asociuar në Universitetin e Lyon-it (ISARA), në CIHEAM – IAM Montpellier, Universitetin e Thesalisë, Greqi, Universiteti VALENCIA, Spanjë, IAM Bari, Itali, etj.
Prof. Dr. Adrian Civici ka dalë me lopatë në dorë, duke pozuar me ‘kolektivin’ e brigadës së ndërtimit në ndërmarrjen ’21 Dhjetori’ në Tiranë në fillimin e viteve ’70-të, të cilit në 2009-ën, i është akorduar nga Presidenca Franceze dhe Akademia e Shkencave të Francës, titulli “Kalorës i palmës së artë akademike”.