Akademia e Shkencave shpallet Monument i kategorisë I

Godina e Akademisë së Shkencave, ndërtimi i së cilës daton në vitin 1860 nga Zija Toptani, e ku sot zhvillon aktivitetin e saj Akademia e Shkencave, është shpallur monument Kulture i kategorisë së I.

Një vendim disi i vonuar për njohësin e trashëgimisë kulturore Vaso Tole, por që sipas tij, ka ardhur për shkak se duhet kohë për të studiuar një sërë dokumentash deri në arritjen e një vendimi të tillë.

“Çështja e mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore ësshtë çështje që ha kohë, pasi për të shpallur monument kulture të kategorisë së parë duhet të provosh përmes dokumenteve dhe studimeve që kjo godinë ka vlera për shtetin, për trashëgiminë kulturore dhe popullin në përgjithësi”, tha Vaso Tole, Sekretar i Akademisë së Shkencave.

Parlamenti i parë shqiptar i nisi punimet pikërisht në këtë sallë në vitin 1920. Më pas godina u përdor si selia e qeverisë së mbretit Zog, pallati i tij mbretëror e që prej vitit 1972, shërben si selia e Akademisë së Shkencave.

Një sërë elementësh janë ruajtur të paprekur që nga koha e mbretit Zog si: shkallët, lampadarët, tavanet e zbukuruar, si edhe një pasqyrë e kohës, vendosur në katin e dytë të godinës. Tole shpjegon rëndësinë që i jep kësaj godine shpallja monument kulture i kategorisë I.

“Do të thotë që kjo godinë ruhet në të gjithë përbërësit e saj, si të jashtëm dhe të brendshëm, ruhet në volumet e saj dhe me statusin që i jep ligji për trashëgiminë kulturore, kjo godinë do i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese të bërë nga instituti i monumenteve dhe asnjë element i saj nuk mund të preket apo cënohet pikërisht për shkak të statusit që ka tani e tutje”, tha Tole.

Në kryeqytet, krahas Akademisë së Shkencave, monumente të kategorisë së parë janë edhe Ura e Tabakëve, banesa e Sarajeve dhe shumë pak banesa në qendër të Tiranës.

SHKARKO APP