Akademia e talenteve të rinj, perspektiva kulturore e Luginës së Preshevës  

“Nuk ka tjetër Akademi si kjo e “Stoa”-s, në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar. Jemi lider i një misioni të tillë, i cili veç kënaqësisë dhe privilegjit, na sjell edhe përgjegjësi dhe angazhime për të kultivuar, afirmuar e begatuar jetën kulturore jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë, shprehet me krenari, në prag të festave të motmotit,  prof. Bejzad Avdiu, në Bujanoc.

 Nga Sevdail Hyseni

Në rajonin e Luginës së Preshevës, ka vite që vepron Akademia “Stoa”, një shoqatë kulture dhe edukative, e cila përmendet për realizimin e një varg emisionesh me personalitete të shquara shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

 Rrënjët e Akademisë “Stoa”, gjenden thellë në antikitet. I pari, i cili i vuri themelet një akademie të tillë është filozofi grek Platoni. Pas vdekjes së tij, pasardhësit, e njohur si predikues të rrymës filozofike “stoikët”, formuan Akademinë “Stoa”.

I frymëzuar nga këto ide përparimtare, të cilat flenë në shpirtin e lashtë të një populli, në të cilin shpaloset historia e lavdishme e shqiptarëve nga pellazgo-ilirët e deri sot, Bejzad Avdiu, në Bujanoc, mori guximin dhe formoi Akademinë “Stoa”.

Qëllimi dhe misioni i  Akademisë “Stoa”, është organizimi i kurseve me të rinjtë e talentuar, të Luginës së Preshevës, në fushën e filozofisë, letërsisë e të gazetarisë. Talentet e Akademisë, zhvillojnë intervista me personalitetet e shquara të jetës sonë arsimore e kulturore.

 “Nuk ka tjetër Akademi si kjo e “Stoa”-s, në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar. Jemi lider i një misioni të tillë, i cili veç kënaqësisë dhe privilegjit, na sjell edhe përgjegjësi dhe angazhime për të kultivuar, afirmuar e begatuar jetën kulturore jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë, shprehet me krenari, në prag të festave të motmotit,  prof. Bejzad Avdiu, kryetar i Akademisë “Stoa” në Bujanoc.

Akademinë “Stoa”, e përbëjnë, kryesisht, talentet e rinj, nga Lugina e Preshevës, kuptohet më të zotët, më të talentuarit, më të informuarit në fushën e artit e të oratorisë. Ata me një formim të tillë kulturor, të prirë nga prof. Bejzad Avdiu, marrin pjesë në shumë takime me njerëz të kulturës, duke zhvilluar emisione speciale me ta.  “Këta të rinj janë shtegtarë të nxënies së dijes dhe përhapjes së saj jo vetëm në Luginë të Preshevës, por në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar”, thotë më kënqësi prof. Bejzadi.

Në çdo dy muaj të rinjtë e Akademisë e kanë në agjendë vizitat dhe takimet me njerëz të artit dhe kulturës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e diasporë.

“Jam i bindur thellë se në të ardhmen nga kjo Akademi, do të krijojmë një elitë intelektuale, e denjë për të dhënë kontributin e tyre në fushën e filozofisë shkencës, gazetarisë etj. Vlen të ceket se një Akademi e tillë nuk gjendet askund në hapësirat shqiptare, ndaj privilegji na takon ne pa kompliment të punojmë edhe më shumë për të rrezatuar filozofi, dije dhe urti”, thekson me një bindje të thellë, prof. Bejzadi.

Akademisë “Stoa”, në agjendën e veprimtarive të saj, ka realizimin e emisioneve me shkencëtarë, shkrimtarë, publicistë etj. Gjatë këtyre takimeve, talentet e kësaj akademie organizojnë debate dhe zhvillojnë intervista. Deri tashti janë realizuar me dhjetëra takime të karakterit informativ, komunikues, letrar etj.

Në këtë drejtim veçohen emisionet me poetë, shkrimtarë e gjuhtarë si: Idriz Ajeti, Dritëro Agolli, Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Qerim Ujkani, Nazmi Rrahmani, Adem Demaçi Flora Brovina, Sali Bashota, Sabile Keçmezi Basha, Xhevahir Spahiu, Ylljet Aliçkaj, Gani Xhafolli, Sabri Novosella Maxhuni etj.

Akademia “Stoa”, me shtegtarët e rinj, do të vazhdoj edhe në të ardhmen të organizojë emisione kulturore, arsimore e edukative me personalitete të njohura të kulturës sonë shpirtërore e materiale.

Të punojmë të gjithë nga pak për të vënë secili me mundësitë e veta nga një gur mbi themelet e kalasë sonë të përbashkët kulturore. Kultura, gjuha, arsimi janë elementet kryesore të një populli, pa të cilat zor se mund të ketë përparim qytetar e kombëtar. Kultura e leximit është bazë për formimin e personalitetit të njeriut, tërësia e arritjeve të një populli në fushën e zhvillimin shoqëror e mendor”, tha në formë mesazhi, prof. Bejzad Avdiu, në prag të festave të motmotit, me dëshirën e madhe, që kultura të reflektoj shëndetshëm në hapësirat tona kombëtare dhe më gjerë.

SHKARKO APP