Aktivistja e Shoqërisë Civile: Paketa ekonomike duhet të ishte më e lartë
Masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë qenë efektive. Aktivistja e Shoqërisë Civile, Eva Vatoci në një intervistë për Ora News tha se këto masa kanë bërë që numri i të infektuarve dhe i viktimave të jetë më i ulët se në gjithë vendet e tjera. Sipas saj, paketa ekonomike ka qenë e ulët dhe selektive.
Eva Vatoci: Për fat të mirë në Shqipëri nuk ka pasur shumë raste të humbjes së jetës, për faktin që shëndetësia ka qenë në nivelin e duhur dhe masat janë marrë shumë shpejt. E gjithë kjo ka bërë që numri i të infektuarve të jetë relativisht i ulët krahasuar me vendet e tjera. Doja të ndalesha tek rrethi i Tropojës. Në Tropojë kemi pasur vetëm 3 raste me COVID-19, ndoshta si rezultat i masave të marra dhe ndërgjegjësimit të popullsisë për izolimin dhe respektimin e të gjitha masave që janë marrë deri tani.
Qeveria ka bërë më të mirën e mundshme për pjesën e masave të marra ndaj qytetarëve të Shqipërisë. Kjo është një ndër arsyet madhore që numri i të infektuarve është më i ulët në krahasim me vendet e tjera dhe numri i humbje të jetëve është më i ulët nga ç’mund të jetë në vende të tjera në Evropë apo kudo në botë.
Në rrethin e Tropojës ka bërë punë të shkëlqyer policia, pasi kanë qenë gjithë kohës në gatishmëri. Ka qenë edhe ndihma e qytetarëve, të cilët kanë qenë të ndërgjegjësuar. Kanë qenë rastet tepër të rralla kur janë marrë masat apo është dashur ndërhyrja e policisë apo e pushtetit lokal.
Do kemi stil të ri jetese
Ne do kemi një stil të ri jetese sepse do jetojmë me frikën e një armiku të padukshëm që na rrethon çdo ditë të jetës tonë. Derisa të dalë vaksina kam përshtypjen se do merren masa në stilin e jetesës. Përsa kohë nuk kemi një vaksinë dhe ky armik jeton mes nesh ne do jemi të detyruar të jetojmë me maska, të pajisur me doreza, me masa mbrojtëse deri në daljen e vaksinës.
Të pezullohet puna në fasoneri
Duhet të ishte një vendim i marrë që në ditët e para. Në fasoneri ka numër të lartë punonjësish dhe mesa kam informacion unë janë të pambrojtur. Ky vendim duhet të ishte marrë që herët, por edhe tani nuk është von sepse do të ndihmonte në mungesën e përhapjes së pandemisë
Paketat ekonomik e ulët
Paga e luftës është masë e nevojshme, por duhet të ishin marrë edhe masa të tjera, pasi në Shqipëri nuk ka një sensibilizim të punonjësve që të kenë punë të rregullt. Gjithsesi duhet të ishte marrë edhe një masë tjetër që ndihma të ishte më e lartë dhe të ishte jo kaq selektuese sa i përket pjesës së punonjësve. Është pagë e ulët dhe nuk përfshinte të gjithë muajt. Mesa kam dëgjuar dhe lexuar paga e luftës nuk përfshin të gjithë muajt që kur ka vazhduar pandemia.