Aktorja dhe ish-deputetja e PD: Teatri duhet shembur, kushtet janë mizerabël (VIDEO)

Aktorja e njohur e skenës dhe e filmit, por edhe ish-deputete e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, është pro shembjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar. Ajo ka deklaruar se gjendja e Teatrit është mizerabël dhe se vetëm aktorët e dinë se si punojnë aty, në ato kushte.

”Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër, moj shpirt. Nuk ka rëndësi fare se çfarë”, është shprehur Bulku.

Deklaratën e saj, ish-deputetja e PD në vitet 2009-2013 e ka dhënë për një emision televiziv në janar 2018, të cilën po ju’a risjellim të plotë më poshtë edhe me video: “(Godina e teatrit) duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës. Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar, me parametra të tjerë. Unë them që të ndërtohet një teatër me parametra që të jetë një teatër shumë i mirë. I takon, derisa është një Teatër Kombëtar. Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër, moj shpirt. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Mirë është në atë vend, sepse akoma është infrastruktura, se aty, sido që të jetë, është një unazë e vogël, që njerëzit vijnë edhe në këmbë”.

rajmonda bulku

SHKARKO APP