Akuzat greke për Çamërinë, një gënjeshtër e konsumuar

 

Nga Hyqmet Zane

Masakrat në Çamëri pas 27 qershorit 1944 janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit te luftës antifashiste. Aq më keq, kur pas 71 vjetësh një ministër i jashtëm grek apo një kryeministër i Greqisë bën akuza antishqiptare ndaj çamëve si “bashkëpunëtorë me gjermanët”. Cilido qoftë ai që ndodhet pranë apo përballë këtyre zyrtarëve të Athinës duhet të dijë e të jetë i mirë informuar me faktet që janë të pakontestueshme në kohë dhe në hapësirë dhe të ketë kurajën t’i japë përgjigjen e merituar, duke i përgënjeshtruar, nëse bëhet fjalë për autoritetin e një kombi që ka merita të njohura zyrtarisht e ndërkombëtarisht gjatë Luftës II Botërore.

Kam rastin që edhe një herë të jem në krah të fakteve duke u tërhequr vëmendjen akademikëve të historiografisë, që të marrin mundimin të angazhohen dhe të mbajnë qëndrime të prera në rastet kur zyrtarë grekë bëjnë akuza, si ato të fundit të ministrit të jashtëm grek në Tiranë. Skam bindjen se për këto punë quhen akademikë nëse i kanë fituar këto tituj dhe emërtesa me vërtetësinë e fakteve.

Muaji gusht 1944 ka qenë edhe muaji që forcat e antishqiptare të Napoleon Zervës bënë masakra të papara dhe që u ndihmuan edhe nga situatat e fuqive ndërluftuese gjermanëve që po pësonin humbje pas humbjesh dhe aleatëve anglo-amerikanë që së bashku me rusët, po kërkonin edhe ndikimin në zonat e influencës. Por, sipas dëshmive të një shtetasi grek me kombësi shqiptare që ka parë me sytë e tij ato që ndodhën në atë muaj gushti të paharruar. Muharrem Adem Ismaili nga Gurrëza e Çamërisë, që më pas do të ishte edhe një dëshmitar i kriminalizimit që i bëri sistemi komunist edhe ndaj tij, ai më ka thënë në ligjëratë të drejtë se “për masakrat në Çamëri u njoftua edhe Enver Hoxha që në atë kohë ishte në Helmës apo diku aty rrotull. Kam dijeni se ia kanë shpjeguar situatën dhe masakrat çnjerëzore që po bëheshin ndaj çamëve dhe për habinë e të gjithëve, në vend që të urdhëronte dërgimin e dy apo tre batalioneve partizane që ishin më afër kufirit, dha urdhër që të mbyllej kufiri dhe të mos kalonin popullata çame këndej kufirit. Për mua ishte një tradhti, siç duket nën sugjerimet e këshilltarëve jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha të atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nacionalçlirimitare. Ishte një hakmarrje antishqiptare e motivuar me mospërzierjen në punët e brendshme të Greqisë. Ndërkohë që vëllezërit shqiptarë të Çamërisë po masakroheshin barbarisht, duket se Enver Hoxha gjeti rastin që të hakmerrej edhe për një gjë tjetër. Ai kishte dërguar kohë më parë Mustafa Matohitin dhe ndonjë tjetër që ishte nipër çam në krahinën e Çamërisë që të mundësonte krijimin e celulave komuniste në vartësi të PKSH-së. Por, me gjithë mirëpritjen dhe respektin që kishin për Mustafa Matohitin, kudo ku vajti ai, nuk pranuan idetë komuniste dhe nuk u formua ndonjë njësi celule komuniste, veç atyre që ishin formuar në Shqipëri me djemtë çamë të ardhur në shkolla më herët. Ka qenë e pafalshme kjo që bëri Enver Hoxha, ndërkohë që kur u desh, pas disa muajsh, forcat e mëdha partizane të organizuara në divizione u dërguan në Jugosllavi në ndihmë të jugosllavëve, por jo të kosovarëve. Çe do, ishte një tradhti që koha do ta zbardhë edhe më mirë se unë atë, por mjerë ata që besuan tek Enver Hoxha dhe palokomunizmi i tij”.

Por, tashmë është e ditur edhe sipas një raporti të bashkëngjitur në Memorandumin e Komitetit Antifashist të migrantëve Çamë në Shqipëri të vitit 1947, të nënshkruar nga  Kasem Demi, Rexhep Çami, Vehip Demi, Dervish Dojaka, Teme Sejko, Tahir Demi, Hilmi Seiti për bashkëpunimin e ngushtë të forcave qeveritare greke me pushtuesit gjermanë. Ndër të tjera, në këtë Momerandum shkruhet “Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët të cilët në tërheqje, u lanë vendin forcave zerviste. Ja një fakt konkret : midis forcave zerviste dhe atyre gjermane: “komandanti zervist Theodhori Vito, i forcave të krahinës së Filatit, një ditë para hyrjes së forcave zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944 në katundin Fanaromen, 3 km larg Filatit, u takua me komandantin e forcave gjermane në tërheqje”. Pas këtij takimi shohim ende, pa u larguar mirë forcat gjermane nga Filati, forcat e Theodhori Vitos hynë në Filat. Kështu, një bashkëpunim i tillë u sigurojnë forcave zerviste krahët, duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjerë në të gjithë krahinat e Çamërisë”.

Përmes disa fotove që janë gjetur në arkivat greke nga një studiues si Arben Llalla, bëhet e ditur dhe jepen si dëshmi të pakontestueshme bashkëpunimi grek me gjermanët. Nga shënimet dhe fotot e gjetura nga ai, shihet qartë se si greket dhe qeveritarët e Athinës bashkëpunuan ngushtë me italianët dhe gjermanët. Ja se si shprehet Arben Llalla duke i shoqëruar fjalët e tij me fotot përkatëse : “Tashmë e vërteta dihet përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe iu hoq shtetësia greke. Pas shumë vitesh kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epirin grek, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët, erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vlleh dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacak u grabitën shqiptarëve të Epirit në Greqi, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoks nga Epiri emigruan për t’i shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan edhe mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, disa deputet dhe kryetar bashkive në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllahëve që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve. Mjaft të shikohet fotografia origjinale ku tregohet vllahët e Pindit me uniformë fashiste italianenë vitin 1942”.

Më tej zoti Llalla shton se : “Bashkëpunimi i Greqisë me italianët dhe gjermanët është nënshkruar më 21 Prill 1941, në Meçovo të Janinës. Meçova njihet se qendra e vllehëve. Ky bashkëpunim i nënshkruar nga Gjeneral Jorgo Çolakoglu (kryeministër në atë kohë) dhe Mitropoliti i Janinës Spiridn Vllehu. Që të dy këta ishin vlleh nga Pindi dhe donin të themelonin Principatën e Pindit, një projekt italian që në vitin 1917. Në foton duken gjeneralët grekë Çolakoglu dhe gjeneralët gjermanë duke nënshkruar bashkëpunimin e tyre.

Vllehtë e Greqisë për të mbuluar bashkëpunimin e tyre me italianët dhe gjermanët, iu vërsulën shqiptarëve në Çamëri për tua mveshur fajin atyre si bashkëpunëtor të pushtuesve. Në fotografi në kryeministri grek, gjenerali Jorgo Çolakoglu me origjinë vllahe bashkë në makinë me gjeneralët gjermanë në prill 1941”.

Janë të njohura faktet që kryeministrat grekë kanë bashkëpunuar me pushtuesit italianë e gjermanë, kanë qenë kryeministri grek Joani Metaksas,1936-1941, i cili kishte miqësi me Hitlerin, Jorgo Çolakoglu, (1941-1942), Konstandinos Logothetopulos, (1942-1943),  Joanis Rallis 1943-1944, në kohën kur edhe u krye masakra e bandave zerviste në Çamëri. Më shumë flet fotoja kur kryeministri grek Ralis nderohet siç nderonin Hitlerin me dorën lart.

Akoma më shumë thellohet e vërteta përmes fakteve e bashkëpunimit grek me italianët dhe gjermanët si pushtues dhe gjithnjë është përdorur karta e tradhtisë, e dinakërisë dhe e pabesisë për të akuzuar shqiptarët e Çamërisë. Ndër të tjera, duke dhënë shpjegime për një shkrim, Arben Llalla sqaron se “Gazeta greke “Tharros” e Trikallas, e Enjte, 2 Gusht, 1941, në kryetitullin e gazetës – “Tradhtarët dhe Tradhtia e Vllehëve të Pindit, Thesalisë dhe Maqedonisë”, i jep një argument të madh akademikëve shqiptarë që të shkunden nga rehatia personale dhe nga “zbulimet” e mëdha shkencore që kanë bërë në fusha të panjohura dhe t’i japin kombit të vërtetat historike.

Në këto kushte e gjeti Çamërinë dhe çamët muslimanë 27 qershori 1944 që prodhoi atë genocid njerëzor të paparë dhe që ende vazhdon të heshtet sikur të ishin kavie eksperimentale ata tre mijë burra e gra, pleq e plaka, fëmijë dhe të rinj që u masakruan dhe tre mijë të tjerë që vdiqën rrugëve deri ën Kllogjer. Çdo akuzë greke mbetet sot si një relike pabesie e zanatit të vjetër grek ndaj shqiptarëve dhe gjithë botës.

SHKARKO APP