Al Bano Karrisi, dashuria italiane për Shqipërinë

CEREMONIA/Promovohet libri “L’Amore Albanese per Al Bano”

Nga Zenepe Luka/Libri “Dashuri shqiptare për Al Bano”, përkthyer në gjuhën italiane nga Laura Kule, është promovuar në shumë qytete në Puglia. Në vitin 2012, u promovua për herë të parë në Komunën e Celino San Markos, ku mori pjesë edhe ish -Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi, më pas në Komunën e Frankovila, në Bari, Barleto, Mesagne në zonën arbëreshe Frashino e Civita, për të vijuar në San Pjetro, San Marcano etj. Librit i është kushtuar vëmendje edhe nga media italiane dhe në disa raste ka qenë i pranishëm edhe këngëtari Al Bano Karrisi. Protagoniste e organizimit të këtyre veprimtarive ka qenë “Mjeshtër i Madh”, pianiste e famshme shqiptare, Aksinja Xhoja.

Miqësia mes dy vendeve, Albania dhe Al Bano Karrisi

Me këtë qëllim është organizuar veprimtaria, në ambientet e shtëpisë së këngëtarit Al Bano Carrisi, në Celino San Marko. Mbrëmja e 12 gushtit, është cilësuar nga pjesëmarrësit si “Nata e Bardhë”në shtëpinë e këngëtarit Italian Al Bano Karrisi .Në qendër të aktivitetit ka qenë promovimi i librit “L’Amore Albanese per Al Bano”, por mbrëmja është bërë më intime, duke sjellë edhe surprizën, pasi bëhej edhe me rastin e ditëlindjes së autores. Nuk ishin të rastit pjesëmarrësit në këtë aktivitet, por të ftuar të veçantë, personalitete të policisë së Brindizit, miq të afërt të këngëtarit, si mjekë, shkrimtarë, historian deri edhe tek miket e afërta të tij, Monika Seta, gazetare dhe prezantuese e famshme e TV italiane dhe e famshmja Rita Dallachiesa.

Të pranishëm në këtë event, që i kushtohej miqësisë së Shqipërisë me familjen Karisi dhe popullin Italian, ishin të pranishëm edhe shumë miq të protagonistes, artistes Aksinja Xhoja, që e moderoi në mënyrën më perfekte aktivitetin. Miq, me të cilët ajo ka organizuar dhjetëra veprimtari kulturore, që kanë në themel promovimin e vlerave kulturore të dy vendeve dhe që kanë shërbyer e shërbejnë si ura miqësie mes dy popujve.

Ka qenë vetë Al Bano ai që prezantoi autoren e librit, duke e cilësuar si gjithmonë “Orjana Falaci albaneze” dhe më tej “Një grua, një histori”. Ky prezantim, ka bërë që pjesëmarrësit të duartrokasin gjatë dhe autorja të përkulet me nderim, përpara tyre.

Al Bano foli dhe për lidhjet e tij me Shqipërinë. Këngëtari flet me emocion për historinë e të atit, Carmelo, që erdhi ushtar në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, malli i tij për këtë vend dhe dashuria për ta riparë dhe takuar shqiptarët 40 vjet pas luftës. Më tej ai ka vlerësuar punën e shoqatës kulturore me emrin e tij, që festoi 20 -vjetorin këtë vit, që ka ndikuar me veprimtaritë e saj të thellojë miqësinë mes tij dhe Shqipërisë.

Gurthemeli i miqësisë është Karmelo Karrisi

Në fjalën e saj, mbushur me emocione, autorja e librit, themeluese dhe kryetare e shoqatës kulturore “Al Bano Karrisi”, është ndalur tek libri, që sjell për lexuesin Italian lidhjet e Shqipërisë me popullin Italian, ku gurthemeli është Karmelo Karrisi.

Djaloshi i ri nga Celino San Marko,që e dërguan me mijëra të tjerë të luftonte në Shqipëri, e sfidoi shtetin e tij, duke flakur pushkën dhe mbolli miqësinë, dashurinë për vendin e shqiponjave që Ai e nderoi dhe shprehu gjatë gjithë jetës së tij. Fakti që Karmelo Karrisi, që në atë periudhë ndodhej në Shqipëri, i dërgoi lajm bashkëshortes, Iolandës që djali i porsalindur, do të quhej Albano dhe jo Oktavio, sikurse ishte menduar, tregon qartë forcën e dashurisë që kishte puljezi për shqiptarët.

Ishte fati i italianëve, por edhe i shqiptarëve, që kjo foshnjë e pagëzuar me emrin, që simbolizonte Shqipërinë fqinjë, të bëhej një këngëtar i famshëm, gjeniu i këngës italiane, për të lumturuar shpirtrat e dy popujve.

Dhuratat simbolike për këngëtarin

Ka qenë moment emocionues për Al Bano dhe pjesëmarrësit, dorëzimi i kopjes së noterizuar të dekretit të Presidentit, për marrjen e nënshtetësisë shqiptare të këngëtarit, që është duartrokitur gjatë nga të pranishmit. Po kështu i janë dhuruar nga shoqata Flamuri shqiptar, Shqiponja e qëndisur me gurët e çmuar të Minierës së Trepçes në Kosovë, qylafi me shqiponjën, që shqiptarët e vendosin në raste festash. Gjatë 20 viteve, këngëtarit i janë dhuruar shumë peshqeshe, që me kujdesin e tij, është shndërruar në një muze, por këtë herë, merrnin rëndësi, pse Al Bano, tashmë ishte shtetas shqiptar.

Vlerësimet

Artistja, moderatorja Aksinja Xhoja, i dorëzon këngëtarit Premio “Nikolin Xhoja’”, për kontributet që ka dhënë e jep në forcimin e miqësisë mes popujve shqiptar dhe Italian. Surprizë ka qenë për autoren e librit, dorëzimi nga Al Bano i medaljes “Mirënjohje”, që pas leximit të tekstit, e ka bërë atë të shpërthejë në lot. Në të thuhet: “Ia dedikoj zonjës Zenepe Luka, “Orjana Fallaci” e Shqipërisë, për kontributin e madh, që ka dhënë me shoqatën Kulturore “Al Bano Karrisi”, që ka shërbyer si urë miqësie mes dy popujve. Të falënderoj megjithë zemër dhe të uroj të gjitha të mirat e botës “Al Bano Karrisi”.

Medalja është shoqëruar edhe me një foto të përbashkët dhe librin “L’Amore Albanese per Al Bano”, ku këngëtari firmos shënimin: “E dashur Zenepe Luka. Falënderoj Zotin, që ekziston” Al Bano Karrisi.

Konkursi i talenteve të reja

Aksinja Xhoja, organizatorja dhe moderatorja e aktivitetit, i ka dhënë përmasa më të mëdha aktivitetit, duke organizuar Tieenaeger international (konkursin mbarëkombëtar të talenteve të reja, në disa fusha, si interpretime në piano, këngë, paraqitja e veshjeve etj. Në shtator konkursi bëhet në Romë dhe fituesit do të shkojnë në SHBA. Prekës ka qenë moment kur pianistja me emër në botë, interpretoi Serenatë të Shubertit, në nderim të Karmelo Karrisit, që e pëlqente shumë.

Kënga “Tanti auguri”

Ka qenë befasi jo vetëm për protaganisten e këtij aktiviteti, por për të gjithë të pranishmit përgatitja e një torte gjigante nga Al Bano, me kopertinën e librit, me rastin e ditëlindjes së autores, sidoqë kish kaluar një javë nga data. Më pas Al Bano ka marrë mikrofonin dhe nën interpretimin në piano nga mjeshtër i Madh Aksinja Xhoja, ka kënduar këngën “Tanti Auguri”.

BOX

Gazetarja e njohur

Rita Dalla Chiesa: Mund të marr edhe unë pasaportën shqiptare.

Ishte një kënaqësi e rrallë të takoje dhe bisedoje me dy yje të gazetarisë dhe Tv Italian,mike të këngëtarit,Monika Seta dhe e paarritshmja Rita Dalla Chiesa. Al Bano, ju kish folur për eventin dhe ato ishin të interesuara për librin, autorja ua dhurova me autograf dhe shoqatën në Shqipëri që kish emrin e mikut të tyre. Ato u befasuan nga gjithçka që panë e dëgjuan dhe Rita më drejtohet: Si mund të marr edhe unë nënshtetësinë shqiptare? I thashë se “me gjithë dëshirën dhe privilegjin që i bëhet vendit tim, më duhet t’ju them se duhen respektuar ligjin për nënshtetësinë, ku duhet të plotësoni disa kushte. Kushti i parë është që të keni dhënë kontribut për Shqipërinë, me prova të bindeni se e doni dhe punonin për këtë vend. Ju nuk e keni vizituar vendin tim, ndaj, nëse vërtetë e dëshironi, mendoni se çfarë mund të bëni në vitet që vijnë…”. Ajo buzëqeshi dhe u përgjigj: Sigurisht që do të mendoj, do të vij në Shqipëri. Ditët e qëndrimit tonë në Celino San Marko, u mbyllën me ftesën që na bëri Al Bano, për të ndjekur koncertin e tij në Casalabate naten, ku ishin të pranishëm mbi 10 mijë artdashës dhe ku përshëndeti edhe Shqipërinë.

Al Bano ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”

 

“Në Tiranë do të vij si një shqiptar”

Këngëtari i njohur në një rrëfim për “Koha Jonë” ka shprehur dhe vlerësimet e tij për marrjen e nënshtetësisë. Gjithashtu ai ka folur dhe për koncertin që do të zhvillojë më 17 shtator në Shqipëri.

“Ishte një veprimtari e bukur, organizuar dhe drejtuar nga mikja ime, pianiste e shquar, Aksinja Xhoja, me emocione, me miq të rëndësishëm të jetës sime, që ishin të interesuar për të njohur veprimtarinë e shoqatës kulturore, që ka emrin tim në Shqipëri, që e keni ngritur dhe e drejtoni ju, që unë, me bindjen time ju thërras Oriana Fallaci Albanese.

Është shumë pak, në raport me atë që keni bërë shoqata, që ka ndikuar fort në forcimin e miqësisë mes dy popujve tanë.

Al Bano, si ndjeheni që tashmë keni marrë nënshtetësinë shqiptare?

Jam shprehur edhe njëherë tjetër, kur më dhatë lajmin e bukur. Tashmë jam 24 karat shqiptar dhe për këtë jam krenar. Faleminderit Presidentit të Republikës, faleminderit që më sollët edhe Flamurin e shqiponjën, që tashmë duhet ti mbajë mbi tavolinë, pas jam shtetas shqiptar.

Si e prisni koncertin që do të jepni më 17 shtator në sheshin”Nënë Tereza” në Tiranë”?

Faleminderit shoqatës për ftesën, faleminderit Radiotelevizionit shqiptar dhe Bashkisë së Tiranës për mbështetjen. Mezi pres të vij, tani si shtetas shqiptar. Fiksova 17 shtatorin, pasi është data kur 27 vjet më parë, kur ende nuk kish rënë regjimi komunist, dhashë koncertin e parë në Stadium dhe Pallatin e Kongreseve. Po kështu është edhe me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës, më 4 shtator, nobelisten shqiptare, që e kam takuar dhe ruaj kujtimet më të shtrenjta me të dhe që mbaj në gjoks Medaljen “Nënë Tereza”, që më është akorduar nga ish -Presidenti Bamir Topi. E di që keni bërë një program interesant dhe unë mezi pres ta përjetoj. Ju faleminderit!

SHKARKO APP