Albërie Hadërgjonaj: Vitet ikin, nuk e ndaloj dot plakjen!

Nëse ju duket si ‘ora e së vërtetës’, nuk gaboheni! Është moment i një rrëfimi që i ngjan ‘katarsisit’ të shpirtit…Këngëtarja Albërie Hadërgjonaj flet për Mentorin e saj dhe tymnajën që qarkullon rreth e rrotull raportit të tyre. Gjithçka për jetën e re në Amerikë, projektet e afërta, marrëdhënia me të bijat Agnesën dhe Angjelinën, dhe periudhën e “artë” që po shijon në muzikë…

Albërie Hadërgjonaj vjen në këtë intervistë të sajën, për të zbuluar shumëçka nga ato që nuk dinim rreth jetës së saj private dhe atë publike. Albëria si bashkëshorte, me apo pa Mentorin, artistja flet për atë që fshihet pas marrëdhënies mes të dyve. Rreket të tregojë copëza të historive jetësore që kanë sendërtuar 40 vitet e saj! Një nga ato “çlirimet e shpirtit”, sa herë i duhet të flasë për dy bukuroshet, të bijat e mbara siç i etiketon ajo Agnesën dhe Angjelinën. Në podin e duhur profesional, një këngë e re dhe një album në realizim e sipër. Një projekt duke u “kopsitur” në biznes, si sipërmarrje e re dhe private e vetë Albëries që synon tanimë tregun ndërkombëtar. Prej disa kohësh është zhvendosur në SHBA dhe ajo e ka një arsye të qenësishme për këtë.

Albërie, si ndiheni në këtë fazë të jetës?

Jam e kënaqur me gjithçka arrij dhe bëj në çdo vit. Çfarë mund të them se si ndjehem?! Kur sa më shumë vite kalojnë e kuptoj sa e shkurtër është kjo jetë. Mundohem ta jetoj dhe të bëj atë që më bën të ndjehem mirë.

Për çka keni arritur deri më tani, kujt i jeni mirënjohëse?

Sigurisht nënës sime që na ka rritur me shumë sakrifica! Më ka mbështetur që në moshë të vogël me karrierën time dhe më pas në rritjen e vajzave, pa ndihmën e saj do ta kisha shumë të vështirë t’i ndiqja studimet dhe karrierën. Pa dashur të le mbrapa ndihmën e bashkëshortit tim, i cili më ka mbështetur me gjithçka. Jam mirënjohëse miqve të mi të fushës së artit, të cilët kanë punuar me mua ndër vite, pa të cilët nuk do të kisha pasur mundësinë të rritesha artistikisht.

Jeni duke shijuar një periudhë të “artë” sa i takon karrierës artistike.

Unë e dua muzikën pa limit dhe përpiqem të sjell më të mirën. Në këto vite muzika ka marrë kahje tjetër. Para 15 vitesh mendoheshim shumë para se të bënim hite, sepse ishim shumë më pak këngëtar se sa sot. Kënga duhej të kishte fabul me domethënie, e më pas melodi. Ndërsa, sot me teknologji janë më në trend ritmet…Kënga e fundit është bërë për një ditë, sepse koha ime ishte e limituar. Është një këngë pop folk, verore, e cila është pritur mirë dhe më gëzon ky fakt.

Sukseset më të mëdha artistike i keni pasur me baladat, si një rikonfirmim i zhanrit muzikor që ju përqaset apo jo?

Në zemrën time dhe në karakter kam baladat. Unë kam shumë këngë ndër vite dhe sukseset e mia kanë qenë shumë më të mëdha me baladat. Por, meqenëse ne artistët (këngëtaret) nuk kemi dhe nuk i gëzojmë të drejtat autoriale, atëherë duhet të jemi në treg dhe të servirim këngë për shijet e masës. Është e vetmja mundësi të përfitosh nga puna dhe lodhja që bën. Në një mbrëmje rinore apo koncert askush nuk do këngë të qeta, njerëzit duan të kërcejnë dhe të argëtohen. Kjo është arsyeja që unë vitet e fundit sjell këngë komerciale, por nuk harroj që herë pas here të bëj këngë festivalesh.

Një pjesë e mirë e karrierës suaj është e përqendruar tek performancat nëpër evente private, ‘night clube’. Është kjo një mënyrë fitimprurëse për artistët shqiptarë? Kjo është mënyra e vetme e përfitimit nga puna dhe investimet që bëjmë në këngë dhe klipe…

Po është e vërtetë që jam pjesë e eventeve që organizohen nga shqiptarët në vende të ndryshme të botës…Edhe kjo ka lezetin e vet, gjithashtu përfitimet. Jam me fat që kam mundësi të këndoj edhe këngën popullore, jo vetëm atë të lehtë dhe moderne.

Është afërmendsh e ditur që paratë në tregun tonë muzikor, nuk bëhen nga shitjet e albumeve. Jeni e të njëjtit mendim?

Shumë e dhimbshme, por e vërtetë! Nëse në Shqipëri e Kosovë do të njiheshin të drejtat autoriale unë dhe shumë artistë të tjerë, do ishim më të vlerësuar financiarisht. E dhimbshme është sepse nuk është e thjeshtë të krijosh këngë të bukura. Të duhen shumë ditë dhe net pa gjumë. Një përkushtim shumë i madh, gjithashtu edhe shpenzime të mëdha. Kam shumë vite që këndoj dhe katër albume në treg, e shumë e shumë këngë që nuk janë të përfshira në albume. Dhe në fund nuk të shpërblehet mundi dhe pasioni. Shpresoj që shumë shpejt në vendin tonë të funksionojë e drejta autoriale.

Menaxhimin e karrierës suaj muzikore ia keni besuar vetvetes apo keni punësuar ndokënd që e përmbush këtë aspekt?

Kam shumë vite që e menaxhoj vetë punën time. Nuk është e thjeshtë ta bësh çdo gjë vetë. Të jem e sinqertë jam shumë e ngarkuar me punë të tjera përveç profesionit si artiste. E ndjej të nevojshme ndihmën e një menaxheri… Jam në bisedime me një mikun tim.

 

Albërie, kur keni kënduar për herë të parë në jetën tuaj?

Fëmijë, nuk e mbaj mend saktësisht moshën, por në shkollë fillore. Unë në moshën 12 vjeçare kam fituar çmim të parë në festival botëror në Zagreb. Kam përfaqësuar Kosovën mes shumë këngëtarëve nga e gjithë bota. Kështu që fillimet e mia kanë qenë shumë të hershme.

Çfarë kujtoni nga daljet publike të fillimeve të karrierës suaj?

Ah, sa shumë kujtime të bukura kam me festivalet e fundvitit…Pjesëmarrja ime e parë ishte në “12 në Hollywood” festival i këngës popullore. E mbaj mend si sot, më thanë çfarë këngësh popullore di dhe të pëlqejnë…Unë kisha ikur nga Kosova shumë e re dhe jetova në Amerikë disa vite dhe nuk mbaja mend këngë shqiptare. Ju thashë më pëlqen baresha e këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha…Më panë me habi dhe më thanë: është shumë e vështirë si këngë, por provoje një herë. Pasi fillova të këndoj ata më panë me habi dhe më thanë mirë se vjen në Shqipëri e me këtë zë që ke, do lësh gjurmë…Mu duk sikur kapa qiellin me dorë dhe i them Vera Grabockës: faleminderit shumë për këtë mundësi të madhe! Ishim shumë këngëtarë pjesëmarrës dhe unë hyra në finale. Lumturi e madhe, nuk e përshkruaj dot. Pastaj vite më vonë me këngën fituese të vitit ’98 “Mirësia dhe e vërteta”, këngë e Luan Zhegut, tekst i Arben Dukës. Historia është kjo: U sëmura keq dhe festivalin e kisha pas tre ditësh. Mjeku më tha që nuk bëhesh të këndosh për tre ditë, sepse nga ftohja u bllokova dhe u ënjta nga grykët si kurrë në jetën time. U shqetësuan të gjithë për gjendjen time, sepse unë duhej të prisja pak ditë dhe të operohesha. Nuk flisja dhe nuk ngrihesha nga krevati. Doktorët i kisha mbi kokë, gjithashtu Luanin dhe bashkëshortin tim. Unë besoj në Zot shumë dhe ju shkrova një letër, sepse nuk flisja dot. Unë do marr pjesë pasnesër kështu siç jam…Mora pjesë dhe fitova çmimin e parë dhe më pas kënga u fut në 100 këngët më të bukura të historisë së muzikës shqiptare.

Tashmë, keni edhe një konkurrente të re në muzikë. Vajza juaj Angjelina… Kolege apo rivale?

Jam krenare me arritjet që po bën në shkollë. Sa i përket muzikës, ime bijë është e bekuar me talent dhe me pamje. Ajo për herë të parë nxori një këngë me klip dhe pati mbi një milion klikime dhe ishte një sukses padiskutim. Më pas morri pjesë në “Top Fest” dhe u vlerësua si artistja më e mirë e re. Unë kam besim në vlerat e saj, pavarësisht impenjimit të madh që ka për shkollën, edhe në muzikë nuk i dihet. Rivale është fjalë që s’ka vend në mes nesh, por e di që përdoret në terma shakash.

Këtë periudhë po jetoni mes New York-ut dhe Tiranës…Duket sikur e keni zhvendosur jetën dhe karrierën muzikore në kontinentin e largët, por cila është arsyeja e qenësishme?

Arsyeja për të jetuar këtu është Angjelina. Ajo po studion dhe derisa të përfundojë studimet nuk do t’i largohem. Jemi shumë të lidhura bashkë dhe më duket se pa mua s’do ta ketë atë siguri që i duhet. Sa i përket karrierës muzikore, unë vazhdoj dhe punoj këtu, por guri i rëndë peshon në vendin e vet. Këtu është një komunitet i madh me shqiptarë dhe kjo e bën më të lehtë ta gjej veten në fushën time. Ka shumë evente dhe koncerte që organizohen dhe falë emrit kam qenë e kërkuar dhe e vlerësuar.

Çfarë marrëdhënie keni me vajzat tuaja?

Të shkëlqyera! Jam me fat që kam në jetën time Agnesën dhe Angjelinën. Kam vajza që më bëjnë krenare dhe të lumtur çdo ditë. Ato e dinë se për mua janë gjithçka. Nuk shprehem dot se sa e plotësuar jam me to dhe se sa me fat jam t’i kem aq të mbara të dyja. Di vetëm t’i falënderoj për sjelljet dhe dashurinë që më dhurojnë.

Për çfarë i këshillon më së shumti vajzat e tua?

Për gjithçka! Në jetë duhet të jesh jo vetëm e bukur. Të jesh femër me vlera në të gjitha pikëpamjet.

Shpesh jetën private e keni mbajtur larg vëmendjes mediatike, ndërkohë po përflitet një divorc i mundshëm mes jush dhe Mentorit. Cila është e vërteta?

E vërteta është që ne e duam shumë njëri-tjetrin! Kemi dy fëmijë që janë fryt i dashurisë sonë dhe asgjë tjetër nuk ka më shumë rëndësi se kjo, nuk dua të shtoj asgjë më tepër.

Jeni bërë nuse në moshën 16 vjeçare, e mandej nuk vonoi edhe statusi i nënës. Mos ndoshta hodhët hapa të nxituar në një moshë ‘të papjekur’?

Po martesat e hershme kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Vërtet isha e papjekur, por mora një vendim me zemër, çdo vajzë e dashuruar do kishte bërë të njëjtën gjë. Edhe sikur të mund të ktheja kohën pas, nuk do ndryshoja asgjë nga jeta ime. Çdo person përjeton momente të mira dhe të këqija, por kryesorja unë kam gjënë më të rëndësishme në jetë, vajzat e mia që i kam si shoqe dhe për ato ia ka vlejtur gjithçka, çdo sakrificë.

Në nënvetëdijen e një gruaje, ekziston që herët një model për burrin e jetës. Ndodhi kështu në rastin tuaj apo modeli u fashit?

Unë vërtet nuk kam pasur një model mashkulli në jetën time, ashtu siç thonë që çdo vajzë kërkon në jetë shembullin e babait të saj. Fatkeqësisht, babai im humbi jetën në një aksident kur mami im ishte shtatzënë me mua. Nuk kam pasur kurrë fatin ta njoh babanë tim. Gjithashtu me vëllanë kam diferencë shumë të vogël në moshë, që do të thotë nuk kam pasur në jetë një mashkull që e shihja si ideal. Babai i vajzave të mia ka qenë dashuria ime e parë, një dashuri e pastër, sepse ty dy ishim shumë të rinj. Por, kurrsesi nuk do të thosha që u fashit, sepse ai është një burrë shumë i pashëm dhe me shumë virtyte.

Mendoni se keni përmbushur një pjesë të pritshmërive dhe objektivave tuaja?

Unë jam përpjekur të jem e arrirë në jetë, por asnjëherë s’kam qenë e kënaqur me rezultatet në fund. Gjithmonë kam thënë që mund ta bëja më mirë. Megjithatë, kam qenë me fat që rreth vetes kam pasur profesionistë dhe njerëz dashamirës. E mira s’ka fund, por nuk do rresht së punuari për ata që më duan dhe e dëgjojnë muzikën time.

Ndiheni në formë të mirë fizike?

Më mirë se kurrë. Mendoj që kjo është mosha më e mirë kur ndjehesh e bukur dhe e fortë.

Çfarë bëni për të pasur hire fizike të kuruara? Dietë, palestër?

Ushqehem shëndetshëm, edhe sigurisht palestër. Të dyja bashkë dhe je në top-formë.

Shpenzoni shumë për trajtimet estetike?

E konstatoj që diskutohet shumë pamja ime, por unë i marr me shumë sportivitet komentet, sepse njerëzit diçka do thonë, ca nga xhelozia, ca nga shpirtligësia. Unë bëj trajtime për ta mbajtur lëkurën të ushqyer dhe asgjë më shumë. Më vonë nëse duhet diçka më shumë nuk do të hezitoj.

I druheni viteve që ikin, rrudhat…

Jo, aspak. Unë nuk e ndaloj plakjen, por rrudhave ju bëjmë derman (qesh).

Projektet që të presin?

Kam shumë ide në kokë, që nga momenti që jam vendosur në Amerikë. Përveç këngëve dhe klipeve që nuk mund t’i lë pas dore, kam në plan të hap një biznes, e aktualisht jam në një fazë diskutimesh.

SHKARKO APP