Alfred Peza: Ai momenti kur Edi Rama i la të gjithë pa fjalë!

Nga Alfred Peza-

Jetojmë në një vend ku për njerëzit e politikës dhe jetës publike, është më e vërtetë se kudo tjetër shprehja: Nuk ke bisht, ta vendosin. Po e ke, ta heqin! E kjo vlen shumë herë më tepër, për ata të paktët që dëshmojnë më shumë se të tjerët lidership, protagonizëm, që sjellin produkte dhe një standard cilësisht ndryshe, në raport me të singjashmit e tjerë.

Por ka një moment si ai në fund të Konferencës së Donatorëve, të organizuar në ndihmë të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 për Shqipërinë në Bruskel, kur thjeshtë gjithkush mbetet pa fjalë. Mbetet pa film. Pa diçiturë. Pa epitete. Pa meme. Pa sharje. Pa bishta. E pa gjithçka tjetër negative për të thënë. Përmes të cilave, jemi mësuar gjithmonë këto 30 vjet, që të etiketohet gjithkush në këtë vend që bën një punë të mirë, sado e vogël qoftë ajo.

Me grumbullimin nga 100 shtete të shumës prej 1.15 miliardë euro për rindërtimin në Shqipëri, shumë kjo që e tejkalon edhe faturën e dëmeve të shkaktuara, Kryeministri Edi Rama ka korrur jo thjeshtë një fitore financiare. Por mbi të gjitha, një fitore të jashtëzakonshme politike qoftë në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në planin e brendshëm.

Edi Rama e ka fituar bastin jo vetëm me të gjithë ata që  bënë kritizerin, skeptikun, ironikun, shakaxhiun, opozitarin për opozitarizëm, sjellësin, ndjellësin dhe përfituesin e fatkeqësive. Mbi të gjitha, Edi Rama e fitoi bastin, me kohën. Me Shqipërinë. Ai sfidoi mendësinë e deridjeshme jo vetën thjeshtë për manaxhimin e një katastrofe natyrore, që i tejkalonte këllqet e një vendi të varfër si Shqipëria. Por, përmes Konferencës së Donatorëve, ai na ka ofruar përgjithmonë për të ardhmen,  modelin e shndërrimit të një fatkeqësie të tmerrshme, në një rast unik mundësish të jashtëzakonshme, për një fillim të ri dhe ndryshe.

Nëse “politika është përcaktuar si arti i të bërit të së mundshmes, të realizueshme”, ky shembull shërben si kazusi më përfaqësues për të gjithë ata që duan ta shohin të sendërzuar atë në praktikë.

Edi Rama korri një fitore të jashtëzakonshme politike në planin ndërkombëtar, jo vetëm se bëri bashkë një numër rekord shtetesh, që të kontribuonin financiarisht për projektin e rindërtimit në Shqipëri. Por mbi të gjitha, për ti bindur ata se vendi që ai qeveris, nuk është ai shteti që na kanë vizatuar historikisht një pjesë e mediave ndërkombëtare. E aq më pak ai shteti dhe ajo qeveria që për turpin tonë jo rrallëherë për shkak të luftrave të brendshme për pushtet, na kanë vizatuar tek të huajt, vetë opozitarët shqiptarë.

Në planin e brendshëm fitorja e Edi Ramës është një leksion për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjë diçka të mirë për dhe në këtë vend, edhe atëherë kur i kanë pothuajse të gjitha shanset dhe humoret e njerëzve kundër. Aq e dukshme dhe e pakritikueshme ishte fitorja e Edi Ramës kësaj radhe, sa për herë të parë ndoshta në këto 6-7 vitet e fundit, as liderët e opozitës nuk gjetën të thonë qoftë edhe një fjalë të keqe. Anipse nuk ia bëri dot goja që të thonin një fjalë të mirë për mazhorancën qeverisëse, të paktën nuk i kursyen ato, për të gjitha vendet që u treguan aq bujare me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndaj ky ishte pikërisht ai momenti, kur Edi Rama i la të gjithë pa fjalë. Si miqtë, votuesit e dashamirësit e tij. Ashtu edhe armiqtë, kundërshtarët dhe kritikuesit e përjetshëm të kujtdo e të gjithçkaje.

Kjo nuk do të thotë që nesër e tutje, ata nuk do ti gjejnë fjalët, apo bishtat për tia vënë edhe kësaj fitoreje. E rëndësishme është që 17 shkurti i 2020 do të mbahet mend me siguri gjatë, si dita që nisi të ndryshojë qasjen e të huajve ndaj nesh. Duke na u gjendur pranë, si rrallëherë në historinë e jetës sonë të brendshme. Por edhe si momenti kur bashkë me rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga një fatkeqësi natyrore, nisi të ridimensionohet qasja jonë ndaj mënyrës sesi mund ti menaxhojmë në të ardhmen, raportet tona me njëri tjetrin dhe sfidat tona të përbashkëta.

SHKARKO APP