Alfred Peza: Deti që ndan “revolucionin” nga “heqja e qeverisë më votë”!

Nga Alfred Peza:

Është dashur firmosja e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për reformën e re zgjedhore, që Lulzim Basha të artikulohet qartë para qytetarëve, për mënyrën sesi synon ta rikthejë opozitën në pushtet. I pyetur për qeverinë, gjatë takimeve me qytetarët në Elbasan, Kryetari i Partisë Demokratike u përgjigj: “Me votë do ta heqim!”

Në prononcimin e tij të parë publik, menjëherë pas daljes së “tymit të bardhë”, Kryeministri Edi Rama nuk harroi të shtonte: “Ah po, mbaroi edhe revolucioni!” Ishte një konkluzion për të gjithë atë tymnajë që opozita kishte ngritur, në tri vitet e fundit përmes betejave të saj opozitare, rreth mënyrës sesi premtonte se do vinte në pushtet.

“Revolucioni popullor për rrëzimin e qeverisë”, u hodh në treg si një kazus ekstrem, për të mbuluar qëllimin e vërtetë të djegies së mandateve të deputetëve dhe bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Loja me psikozën kolektive të militantëve për arritjen e fitoreve të shpejta politike, u zgjodh për ti nxitur dhe joshur ata, me ëndrrën e rikthimit të atypëratyshëm në pushtet.

Pas dalldisë së parë kolektive që krijon kjo qasje “in extremis”, me kalimin e javëve, nisi të qartësohej se “revolucioni” ishte thjeshtë një mit i rremë. Një retorikë “fake”. Një qasje e pavërtetë dhe jo realiste. Në kulmin e këtij debati, qëndrimet e palëve kishin shkuar aq larg, sa “revolucionarët” nuk mund të tërhiqeshin e të pranonin kollaj, se thjeshtë po i gënjenin opozitarët.

U sqarua se revolucionet nuk mund të programohen nga udhëheqësit politikë. Ato as nuk mund të nxiten artificialisht, nga dëshira e tyre. Sepse në fund të fundit, revolucionet demokratike që kanë ndodhur në histori, nuk bëhen nga vetë elitat. Ato gjithmonë nisin si një nevojë dhe shtysë e brendshme nga njerëzit e thjeshtë poshtë, për të rrëzuar elitat e vjetra, lart.

Sa më shumë qartësohej, aq më shumë kuptohej se “revolucioni”, ishte një shtysë artificiale e diktuar nga lart. Kjo u pranua edhe nga vetë liderët opozitarë më pas. Me kalimin e kohës, në vend që numri i qytetarëve pjesëmarrës në protestat e opozitës të shtohej, po pakësohej. Entuziazmi ra dhe pritshmëria po shuhej. Kjo çoi në dëshpërim. Sa më shumë binte fuqia e “revolucionit opozitar”, aq më shumë shtoheshin aktet e dhunës dhe flakët e molotovëve, mbi institucionet kushtetuese të vendit.

Lidershipi i opozitës përmes “revolucionit”, synonte ta detyronte mazhorancën, që të uleshin për një pazar politik. Historia e tranzicionit shqiptar na ka mësuar se këto pazare janë shoqëruar me amnistimin e të gjitha krimeve dhe korrupsionit të bërë nga udhëheqësit politikë, në periudhat që kanë qeverisur vendin. Kjo nuk ndodhi dhe zgjedhjet lokale u zhvilluan, pavarësisht kërcënimeve për bllokimin e tyre.

Në vend të rrëzimit të qeverisë Rama dhe rikthimit të shpejtë në pushtet përmes “revolucionit”, ndodhi e kundërta. Pas pushtetit parlamentar, opozita humbi për herë të parë, gjithë pushtetin lokal. Kjo i vuri vulën gënjeshtrës së “revolucionit”, duke lënë hapur, të vetmen rrugë që njeh sistemi demokratik: Rikthimit në pushtet përmes garës elektorale! Kushdo kuptoi se nga “revolucioni”, tek “heqja e qeverisë me votë”, është në mes një det i tërë…! E ai nuk kalohet dot me këmbë, por me zgjedhje.

Për hir të së vërtetës, flamurtari i idesë ka qenë Sali Berisha. Por, edhe Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta. Lulzim Basha edhe nëse nuk e ka artikuluar aq fort, qartë e prerë si ata publikisht, nuk pati guximin si lider politik që ti tregonte mbështetësve të vërtetën e thjeshtë: “Revolucioni” i premtuar opozitar, është një gënjeshtër e pastër politike!

Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë, për tu rikthyer në rrugën e arsyes. Kur kryedemokrati ia sqaroi në Elbasan, se opozita do ta heqi qeverinë me votë, qytetari e kuptoi. Sepse kushdo e di tashmë se ndryshe nga “revolucioni”, rruga e zgjedhjeve, nuk është një gënjeshtër!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest

SHKARKO APP