Alfred Peza: “I love Tropoja” e Edi Ramës
Nga Alfred Peza –
Si një politikan atipik, Edi Rama e ka ditur që në fillim, se me rolin që do të luante në filmin e ri të Ermal Mamaqit, do ta çonte në ekstrem debatin rreth tij. Kjo me siguri, jo vetëm që nuk e shqetëson, por ndoshta e argëton më shumë se çdo gjë tjetër. Sepse, kjo është edhe gjëja që Edi Rama ka ditur të bëjë gjithmonë më mirë si lider. Të luaj në filmin e jetës së tij reale, veç vetveten. Duke u bërë kësisoj, aktori më unik në rolin e papërsëritshëm të Kryeministrit të Shqipërisë. Të një vendi, që ka ardhur nga një histori politike tejet e vështirë të mbushur veç të tjerash me një pafundësi paragjykimesh, klisheshë, steriotipesh, marrëzish e hipokrizish.
Të gjithë pothuajse, kemi bërë dikur të njëjtën gjë si disa tani, pas premierës së filmit “I love Tropoja”, kur e ka parë Edi Ramën që në ditën e parë në politikë. Atëherë kur ai mbante here çorape të verdha, e herë të kuqe. Herë brekushe, e herë opinga. Herë me veshje aq ekstravagante, sa asnjë lider tjetër në rruzull nuk do ti vishte dot. E herë me kostumin dhe gravatat më serioze, të kombinuara me atletet që sot janë bërë një trend botëror.
Shumëkush mund të jetë habitur fillimisht kur e ka parë në spotet e fushatës së parë për kryetar Bashkie në Tiranë, i rrethuar nga futbollistët e kombëtares kuqezi. Si këngëtar në videoklipin e këngës “Tirona” apo “Çohu”, me çunat e “West Side Family”. Apo kur i binte dajres me njerëzit e thjeshtë, apo ulej aty në mitingjet këmbëkryq mes tyre, në fushatat elektorale nëpër Shqipëri.
Të njëjtin debat Edi Ramën e ka shoqëruar dikur publikisht, edhe kur e panë me sopatë në dorë duke prerë me dorën e tij, shtyllën elektrike që i kishte zënë rrugën qytetit. Apor kur shfletonte librin e përrallave me Pinokun. Duke kënduar me megafon në dorë këngën që na ka rritur; “qingji vogël pse mendushëm”. E shumë episode të tjera të kësaj natyre, kur e thërrisnin në komisionin hetimor parlamentar, që drejtohej nga i ndjeri Sokol Olldashi.
Debate të tilla provokoi edhe habia që shkaktoi si ministër Kulture, kur leu muret e dikasterit me bojë të kuqe. Apo kur i bëri gjysmat e mediave të globit, që të shkruanin për një kryetar bashkie që përdori fasadat e pallateve të komunizmit si telajon e tij në natyrë, për të pikturuar kryeqytetin. Duke i kthyer kësisoj, optimizmin për jetën, Tiranës së zymtë. Sikundër ka shkaktuar habi edhe si Kryeministri që instalon një kosh basketbolli në paradhomën e zyrës së tij.
Edi Rama e di më mirë se kushdo tjetër sot, se politika është jo vetëm punë e projekte zhvillimi, përpjekje për rritjen e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit të vet, por edhe marrëdhënie me publikun përmes të gjitha mediumeve të mundshme. Ku arti i shtatë, siç njihet edhe ndryshe kinematografia, është pa as më të voglin dyshim, një nga mundësitë më të jashtëzakonshme për të depërtuar tek qytetari.
Duke ardhur nga një shkollë arti, Edi Rama asnjëherë nuk ka reshtur së eksploruari përgjatë jetës së tij jo vetëm pikturën, por edhe skulpturën. Jo vetëm gazetarinë e mirëfilltë, por edhe publicistikën. Jo vetëm televizionin, por edhe muzikën. E ndërkohë që në të rrallat orë kur gjen hapësira për të shkuar në atelienë e arteve figurative, ka deklaruar se ëndërron që kur të mos jetë më në politikë, ti eksplorojë limiteve të tij edhe në botën e modës.
Të gjithë ata që bëjnë sikur po habiten sot me Edi Ramën këtë radhë si aktor, mjafton tu kujtohet se ai e zgjodhi Ermal Mamaqin, si personazhin e tij për vitin 2019. Pasi siç tha, kishte ndikuar më shumë në jetën e tij. Arsyeja? I kishte mundësuar, relizimin e një prej ëndrrave më të kahershme: Të aktronte. “Zgjedh Ermalin sepse më ka bërë aktor tek filmi “I Love Tropoja”. Duke qenë se më dha mundësinë të heq edhe një merak timin që të luaja në një film”- deklaroi Rama.
Por, si të mos mjaftonin të gjitha këto, menjëherë sapo “I love Tropoja” u shfaq për herë të parë në ekranin e madh, u riciklua në publik një debat i ri me të gjitha argumentat e vjetra. Kjo situatë më sjell ndërmend të papërsëritshmin Faik Konica, në të famshmen “Këshilla një gazetari”, që e mbyll me fjalët:
“Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.”