Alfred Peza: Kush e do Edi Ramën, armik të Kosovës!

Nga Alfred Peza – Nëse Friedrich Nietzsche do të ishte sot gjallë, e të ndiqte absurdin e një lufte propogandistike që po zhvillohet në mjedisin shqiptar, për ta shpallur me çdo kusht e çmim Edi Ramën armik të Kosovës, me siguri që do ta modifikonte një nga shprehjet e tij të famshme.

“Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq!”,- ka shkruar ai. Por këto ditë, kjo shprehje ka marë një trajtë tjetër nga ata që po e sponsorizojnë nga Shqipëria, këtë luftë të pisët politiko- mediatike në Tiranë e Prishtinë. E ajo fare mirë mund ishte: Ka liderë në Shqipëri që kërkojnë veç vegla, për ti treguar njerëzimit, se Edi Rama është armiku i Kosovës!

Pyetja e parë që të lind është: Përse nuk e cilësuan Edi Ramën armik të Kosovës, as në fillim të tetorit kur u zhvillua takimi i parë për Minishengenin Ballkanik Ballkanik, në Novi Sad. E as në fillim të nëntorit, gjatë takimin të dytë të kësaj nisme, të zhvilluar në Ohër. Përse u kujtuan që Edi Rama u duhej armik, vetëm tani që kur u zhvillua takimi i tretë, në Tiranë.

Përse nuk e thonë këtë as shqiptarët e Malit të Zi, meqë Presidenti Milo Gjukanoviç mori pjesë në këtë takim? Nuk e thonë as shqiptarët dhe faktori i tyre politik në Maqedoninë e Veriut, meqë Kryeministri Zoran Zaev, ishte gjithashtu pjesë e kësaj tryeze!

Atëherë pse tani dhe jo më parë, Edi Rama u duhet armik i Kosovës? A ka lidhje e gjitha kjo vetëm me futjen e tyre, në strehën e fundit të të gjithë maskarenjve, që është nacionalizmi? Apo thjeshtë po përdorin “naivitetin” e Ramush Haradinajt, që tu kryejë shërbimin e fundit, përpara se Albin Kurti të mari zyrtarisht detyrën e Kryeministrit të Kosovës?

E gjithë kjo çmenduri, ngado që ta rrotullosh, me siguri që ka lidhje veç me një hall shumë të madh personal të atyre që po e sponsorizojnë, e që u ka rënë në kokë ditët e fundit. Është një nga ato halle, që mund të ta sjelli veç një armik i pashmangshëm. E nëse vijojmë ti qëndrojmë logjikës së Nietzsche-s, atëherë ai na mëson se “arma më e mirë kundër një armiku, është një tjetër armik”.

Po çtë jetë vallë ky armik I ri që u ka dalë sponsorëve të fushatës për shpalljen e Edi Ramës armik, pikërisht në kohën kur në Tiranë do të zhvillohej takimi i liderëve rajonalë për Minishengenin Ballkanik? Është fare e thjeshtë për ta gjetur në këtë rast. Mjafton që tu rikthehesh lajmeve të atyre ditëve, e të feskosh memorien, për tu kujtuar se në të njëjtën kohë me takimin, u krijua edhe SPAK. Ose me më shumë fjalë: U krijua Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E mbani mend besoj se SHBA dhe BE e përshëndetën disa herë brenda ditës këtë hap kulmor për sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri! Sepse pas krijimit të SPAK, nuk ka më asnjë forcë e marifet, që e ndal ngritjen e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë në vend.

E mbani mend besoj gjithashtu, se në Tiranë u zhvilluan ato orë, edhe takime të çuditshme me ata që janë shpallur prej kohësh “armiqtë” e tyre botërorë! Nuk po e bëni dot lidhjen? Mirë. Prisni se po ju ndihmoj pak. Janë po të njëjtët që akuzohen jo vetëm si arkitektët e reformës së drejtësisë në Shqipëri, por tani edhe si dora e padukshme, që po lëviz fijet e realizimit të projektit të Minishengenit Ballkanik.

Pas kësaj, besoj se të gjithë jeni pak më të qartë. Mirëserdhët në botën e një teorie të re konspirative “Made in Albania”. E cila e do Edi Ramën me çdo çmim, armik të Kosovës. Se për teorinë e parë, në lidhje me armikun e demokracive të hapura, ka plot që po punojnë prej shumë kohësh: Edhe në Ballkan, edhe në Europë.

E gjithë kjo skemë duhet pranuar se është pak më e sofistikuar se ato të dikurshmet e Enver Hoxhës, që fillimisht të shpallte armik dhe pastaj të gjente “provat” për të të dënuar. Ndërsa tani, në përpjekje për tiu shmangur përballjes me armikun e tyre real, kërkojnë që të shpikin një edhe më të madh imagjinar. Problemi i vetëm që kanë në gjithë këtë histori, është se për ta çuar lojën e tyre deri në fund, i tradhëton një detaj i “vockël”!

E për këtë fajin e kanë vetë, nuk ua ka Edi Rama. Sepse u është dashur që të futen, shumë herë në luftë brenda këtyre viteve me të. Ndaj ai është më i qetë se çdo herë tjetër sot. Sepse siç thoshte Napoleoni: “S’duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës.” Alpenews.al

SHKARKO APP