Alfred Peza: Luli po ju dëgjon, por nuk po ju kupton!
Nga Alfred Peza –
Me moton e hashtagut të ri #PotëDëgjoj, Kryetari i PD Lulzim Basha ka ristartuar punën në terren, duke dashur të krijojë idenë e nisjes së një etapë të re në jetën e tij politike, pas afro 7 vjetësh në opozitë. Duke besuar se deri në zgjedhje e reja të radhës në qershorin e 2021 shqiptarët do ti harrojnë dështimet e derisotme, ai është nisur përmes një shtegu të ri, me shpresën se do të ngjitet në majën e pushtetit pa qenë i detyruar si gjatë 2019 për tu çjerrë në mitingje, e të këndonte siç di veç ai, edhe himnin e flamurit në përfundim të tyre.
Strategjia e grupit që ka marë përsipër marrëdhënien e tij të re me mediat profesionale, rrjetet sociale dhe publikun, synon të na e shesë Lulzim Bashën e vjetër si një “mall” tjetër, duke na e paraqitur të mbështjellë me ambalazh të ri. Me petka të reja. Me qasje të re. Më njerëzor. Më të thjeshtë. Që tenton të vendosë një raport të ri. Një komunikim më të drejtpërdrejtë e të natyrshëm me qytetarët. Duke e nisur të gjithën këtë, me pranimin dhe kërkimin e faljes, për gabimet e vjetra.
Ne gjithë sforcimin duket aq pak vetvetja, sa ka nisur të na mari malli që tani për Lulin e dikurshëm, qoftë edhe ashtu duke fjetur gjumë e duke gërhitur ëmbël. Në secilën prej produkteve të reja propogandistike që janë prodhuar, ndihet një dorë që nuk e njeh aspak as Lulin, as realitetin shqiptar, as raportet e tij brenda PD e opozitës. Ndaj ka edhe një kimi të munguar, mes të gjitha këtyre komponenteve, me njëra- tjetrën.
Edhe kur niset ta pijë kafen e mëngjesit në lokal, edhe kur kthehet nga pazari me qesen e domateve në dorë, edhe kur poston videon duke u sjellë vërdallë si kali në lëmë përmes qytetit, edhe kur shkon tek një dhomë konvikti në Qytetin Studenti, tek shtëpia e një të panjohuri për ti hapur frigoriferin pasi i thotë se nuk kishte trokitur “për të bërë politikë”, Luli vetëm stonon. Vetëm aktron. Vetëm përpiqet që të shfaqi përballë shqiptarëve, atë që këshilltarët e huaj besojnë se ata duan që të shohin, tek lideri i tyre i munguar në opozitë.
Gjuha e trupit, gjestikulacionet, ulje-ngritjet e zërit, veshja dhe sforcimi për ta shitur si diçka krejt spontane një produkt që është i gjithi i montuar pas më shumë dublash se vetë kasti i aktorëve të filmit “I love Tropoja”, e tradhëtojnë keqazi Lulzim Bashën në sipërmarrjen e tij të re.
E gjitha kjo që po tentohet të shitet si një operacion makiazhi me produkte “bio”, nuk është gjë tjetër veçse një prodhim i klonuar kompanish “PR” që kanë bërë gati me kohë jo vetëm skenarin e shkruar, por edhe fjalët e tekstit të folur e të titruar, poshtë çdo postimi. Jo vetëm pyetjet, por edhe përgjigjet në komunikimin live me “qytetarët” në facebook, ishin të përgatitura më parë. Çdo lëvizje “e natyrshme” dhe “jo për të bërë politikë”, është pjesë e një “one man show” politik me aktorë, me skenar, me kamera, mikrofonë dhe regji profesionale.
E si të mos mjaftonin të gjitha këto, si për ironi të fatit, i kanë zgjedhur për hashtag, slloganin që i shkon më pak profilit të tij si lider politik: #PotëDëgjoj. Një kryetar partie që akuzohet se nuk i ka dëgjuar kurrë deri më sot themeluesit, kontributorët dhe simbolet kryesorë të partisë së vet 30 vjeçare, vështirë se besohet që do ta bëjë këtë sot apo nesër, me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.
Një lider që akuzohet se nuk ka dëgjuar strukturat drejtuese të partisë së tij, drejtuesit lokalë, anëtarët dhe militantët e thjeshtë, vështirë të besohet se do ta bëjë këtë, me votuesit që nuk i ka parë ndonjëherë deri më sot, apo që nuk e kanë votuar kurrë më parë Partinë Demokratike.
Qasja e re e Bashës duket si një përpjekje e sforcuar për të kopjuar në kushtet e reja, metamorfozën që pësoi Sali Berisha përpara zgjedhjeve të 2005, kur e riktheu Partinë Demokratike në pushtet pas 8 vitesh në opozitë. Pasi iku me plumba si President në vitin 1997, ai u rikthye në pushtet me vota si Kryeministër i Shqipërisë, duke u kamufluar bukur pas “qimes së ndryshuar”.
Nisur nga kjo lloj qasje publike e paraardhësit të tij dhe nga fakti se prej 24 vjetësh me radhë në Shqipëri rrotacioni politik nga e majta në të djathtë dhe anasjelltash, është bërë rregullisht çdo 8 vjet, duket se e kanë shtyrë Lulzim Bashën që të zgjohet nga gjumi, me shpresën se pas një viti do e plotësojë më në fund ëndrrën e tij të vjetër, për tu bërë edhe ai Kryeministër.
Hashtagu i zgjedhur prej tij #PotëDëgjoj nuk e di pse më kujton filmin “Rrugë të bardha”, me aktor kryesor, të madhin Rikard Ljarja. Ndoshta ngaqë filmi doli nëpër kinematë e Shqipërisë, pikërisht në vitin 1974, kur edhe ka lindur Lulzim Basha vetë. Në rolin kryesor është personazhi i Dedës, fillrojtësit të fshatit që shkonte mes përmes dëborës për të lidhur telat e telefonit, që ti bënte njerëzit ta dëgjonin njëri tjetrin, të komunikonin gëzimet dhe të qanin hallet mes tyre.
Në fund të filmit, Deda ashtu si edhe Luli ynë që endet i vetmuar në ftohtësinë e dëborës elektorale, përfundon i ngrirë në majë të shtyllës. Duke na kujtuar me këtë rast, edhe një batutë mes aktorëve në mes të filmit të vjetër: Është se çna është, është një lider politik që u thotë shqiptarëve që po ju dëgjoj, por nuk po ju kuptoj, kush ështëëë…?
Luuliiii…