Alfred Peza: Një verë e artë për të rizbuluar… Shqipërinë!

Nga Alfred Peza –

Ka lindur një garë e re në Shqipëri dhe për Shqipërinë. Një garë e veçantë. E bukur. E thjeshtë. Natyrshëm. Pa sforcim. Pa arbitër. Pa rregulla loje. E pa ngutur. E pa ngucur nga askush. Sa individuale aq edhe familjare e kolektive. Përmes rrjeteve sociale. Mediave online. Mediave tradicionale lokale, rajonale dhe kombëtare.

Është gara për të promovuar veten tonë. Imazhin tonë. Identitetin tonë. Natyrën tonë. Urbanistikën tonë. Arkitekturën tonë. Trashëgiminë tonë. Atë që sot po na e tregojnë edhe të tjerët, duke na promovuar viti pas viti e stinë pas stine, si një nga destinacionet me interesante turistike të Mesdheut , Adriatikut dhe Ballkanit Perendimor. Nga mediat ndër më prestigjozet ndërkombëtare, e deri tek agjensiste më të specializuara të udhëtimeve.

Deri pak vite më parë, dukej sikur nuk kishim as se çfarë ti tregonim dhe as çfarë tu dëshmonim. Vetes në radhë të parë, e sigurisht as të tjerëve. As miqve tanë shqiptarë. E aq më pak atyre të huaj. Ndoshta nuk po arrinim të shihnim atë që udhëtarët e huaj kishin parë historikisht në këto anë. Apo për shkak të izolimit komunist gjysëm shekullor, shihnim të idealizuar vetëm gjërat “e jashtme”. Të huaja. Jo shqiptare. Duke mos gjetur asgjë interesante, të bukur, normale, ekzotike dhe autentike për të ekspozuar. Për të dëshmuar. Për të treguar.

Pas tri dekadash ndryshimesh të vrullshme social ekonomike e shoqërore, kulturore e infrastrukturore, përtej luftrave politike të ditës, Shqipëria duket se ndodhet në prag të një boom-i në radhë të parë për kurimin e imazhit të saj. Na ka munguar shumë në të shkuarën, e na ka penalizuar po aq në perceptimin e përgjithshëm të medias, diplomacisë, politikës dhe opinionit ndërkombëtar.

Deri vonë, e ndoshta ende, për shumë apo pak prej tyre Shqipëria dhe shqiptarët janë ata njerëzit që rrëmbejnë anijet dhe pushtojnë portet e mësyjnë me skafe brigjet e perëndimit. Janë ata që dilnin në lajmet e para të CNN, BBC dhe Euroneës në vitin 1997 me kallashnikov duke gjuajtur papushim qiellin me armë. Një shtet pa institucione, në kaos dhe që shënoi mijëra viktima për shkak të trazirave nga falimentimi i skemave mashtruese piramidale.

E ajo tragjedi që u luajt në njëzeteca ditë apo javë, na ndjek ende nga pas, edhe pas njezeteca vitesh. E ndoshta mund të na shoqërojë edhe për ca kohë. Më e rëndësishmja nga të gjitha, është se ne vetë e kemi lënë pas, shumë pas këtë histori duke vrapuar siç veç shqiptarët dijnë, drejt së ardhmes përmes turizmit. Për të zbuluar, eksploruar, investuar dhe tashmë të shndërruar atë, në një nga kolonat kryesore të ekonomisë sonë kombëtare.

Gjithkush nisi të ndiqte pak vite më parë, reportazhet profesionale të Fatos Baxhakut në televizionet tona. Që na tregonin atë Shqipëri, që disa po e harronin, disa nuk e njihnin fare dhe shumë të tjerë u bënë kurioz për ta zbuluar. Më pas Alma Çupi me ekspresivitetin, çiltërsinë dhe energjinë e pashtershme profesionale, që nisi të na tregojë një Shqipëri të re që po lindte gërmadhash.

E pas tyre, gjithnjë e më shumë televizione, kuptuan se shqiptarët nuk janë vetëm ata militantët e dikurshëm që debatonin gjithë ditën, në kafe, në restorante, në mejhane, në lagje, në varrime e dasma, veç për flamujtë politikë. Për siglat e partive. Liderët e tyre. Për deputetët. Politikanët dhe kryetarët e bashkive, komunave e kryepleqtë e fshatrave. Por si pa kuptuar, larg kamerave kishte nisur të lindte një Shqipëri tjetër. E punës. E agroturizmit. E serave. E bujtinave. E haneve. E bareve. Restoranteve. Hoteleve. Resorteve turistike.

Një Shqipëri që ka nisur të harmonizojë bukurite e Zotit me ato të robit. Bukuritë e trashëguara me ato të rejat e krijuara nga puna. Nga talenti. Nga mundi. Nga djersa. Nga pasioni. Nga vizioni. Nga nevoja. Nga kërkesa. Nga oferta. Është ajo Shqipëria tjetër që detyroi edhe drejtuesit e emisioneve të debateve politike televizive, që ti lenë studiot e tyre në Tiranë për ti ekploruar, shijuar e treguar, kudo ndodhen sot në çdo cep të këtyre 28 mijë kilometrave katrorë.

E si për të vërtetuar shprehjen e njohur se jo çdo e keqe vjen veç për keq, tani që ra kjo pandemi dhe kufijte u mbyllën dhe lëvizja e lirë është kufizuar, kemi një mundësi të artë të gjithë për ta rizbuluar Shqipërinë e post komunizmit. Përmes turizmit patriotik. Duke pushuar shqip. Për të vizituar atë Shqipëri që ka jashtëzakonisht shumë gjëra për të ndryshuar, përsosur e bërë, derisa të jetë ajo që ëndërrojmë të gjithë. Por, që ia ka dalë, të na bëjë ta fotografojmë, filmojmë, vizitojmë, eksplorojmë e shijojmë si kurrë më parë!

SHKARKO APP