Alfred Peza: Nuk është e thjeshtë që të jesh sot lider në opozitë!

Nga Alfred Peza-
ALFRED PEZA/ Nuk është e thjeshtë që të jesh sot lider në opozitë!
Redaktor1

Shqipëria ndodhet në kulmin e luftës ndaj koronavirusit, si pothuajse çdo vend tjetër në kushtet e pandemisë globale, ndaj nuk është ndonjë komoditet i madh që të jesh sot në krye të mazhorancës qeverisëse të vendit. Sepse në këtë kohë të jashtëzakonshme, nuk e ke luksin që të sillesh e të punosh, si në ditët e jetës së zakonshme.

Sot në kohë luftë, duhet shumë herë më tepër lidership dhe energji, sesa në kohë paqe. Sikundër duhen shumë herë më tepër burime njerëzore profesionale, që të koordinohen e të funksionojnë si një ekip fitues, në kushtet e kufizimit të lirisë së lëvizjes. Duhen aktivizuar e mirëmenaxhuar burimet e kufizuara teknike dhe ato financiare. Sikundër të gjitha këto duhen realizuar përmes një koordinimi perfekt ndërkombëtar, rajonal e kombëtar strukturash nga qendra në Tiranë, e deri tek qytetari në skajin më të largët të vendit.

Pakkush e vë në dyshim tashmë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama po e menaxhon më së mirë këtë situatë të pazakontë lufte. Besimi dhe mbështetja publike është në nivelet më të larta, edhe për shkak të mënyrës sesi mazhoranca e tij i ka përballuar miniaturat e kësaj situate në rastet e përmbytjeve, zjarreve por mbi të gjitha atë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ajo është pasqyra më e mirë sot, për të parë, mënyrën sesi do të administrohet deri në fund, kjo luftë edhe nesër.

Përveç këtij aspekti, mazhoranca socialiste ndodhet sot në pozitat më komode politike, qëshkurse ka ardhur në pushtet më 2013, jo thjeshtë se qeveris e vetme pushtetin qëndror e lokal, por sepse pak ditë më parë falë reformave të saj të thella ia doli që Bashkimi Europian tia hapi Shqipërisë dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim. Çka është jo vetëm shkalla më e lartë e arritjeve tona në procesin e integrimit europian, por edhe konkludimi i një ëndrre historike, si sendërzim i pjesës kyçe të projektit tonë strategjik kombëtar.

Në këto kushte, në Shqipëri është përmbysur si me magji në vetëm fare pak ditët e fundit, raporti mazhorancë- opozitë që për pak u duk sikur po na rikthente, në situatën e një viti më parë. U desh që të niste lufta kundër Covid-19 dhe në mes të saj të hapeshin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, situata politike të ndryshonte katërcipërisht.

Përpara kësaj Lulzim Basha e Sali Berisha sëbashku me aleatët e tjerë të PD dhe Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe LSI kishin bërë gjithçka vetëm e vetëm që Shqipëria, të kishte “zero shanse” për të marë çeljen e negociatave. E tani që ato u morën, të parët që vrapuan për ta përshëndetur, ishin pikërisht kryetari i opozitës dhe kryetari i shtetit.

Ndaj të jesh lider i opozitës sot në Shqipëri nuk është e lehtë, sepse do të duhet të dalësh e të bësh sikur gëzohesh, edhe atëherë kur je në kulmin e pikëllimit tënd politik.

Të jesh lider i opozitës sot në Shqipëri nuk është e lehtë, sepse do të duhet jo rrallëherë që të dalësh e të buzëqeshësh publikisht pikërisht edhe atëherë kur duhet të vësh kujën për dështimet e tua më spektakolare.

Të jesh lider i opozitës sot në Shqipëri është shumë e vështirë, sepse do të duhet që të shpallësh publikisht si fitore, humbjen e kauzës tënde kryesore.

Të jesh lider i opozitës sot në Shqipëri është shumë e vështirë, sepse do të duhet të ulesh në një tryezë me Edi Ramën e të deklarosh mbështetjen për të, pikërisht atëherë kur ti do më shumë se çdo gjë tjetër, që ai ta humbi luftën me koronavirusin.

Të jesh lider i opozitës sot në Shqipëri është një mision gati i pamundur, për aq kohë sa nuk mund të sillesh dot tani në kohë luftë, si deri dje në kohë paqeje, sepse do të humbje përpara shqiptarëve edhe atë pak besueshmëri që të ka mbetur.

Të jesh lider i opozitës sot në Shqipëri është një mision gati i pamundur, sepse nga njëra anë do të duhet që të sillesh përballë ndërkombëtarëve si të gjithë liderët normalë të botës së qytetaruar, e nga ana tjetër përmes vartësve dhe mediave të tua, të bësh gjithçka për ta nxirë nga brenda.

Por gjithësesi një meritë e madhe, i duhet njohur liderëve tanë në opozitë, pavarësisht të gjithave. Sepse vetëm atyre mund ti ketë ndodhur që të jenë kundër reformës në drejtësi dhe të jenë të detyruar që ta votojnë atë në Parlament. Të jenë kundër qeverisë, por të mos arrijnë që të artikulojnë dot asnjë fjalë kundër saj sin ë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për pandeminë por, as pas Konferencës së Donatorëve që i dha Shqipërisë 1.15 miliardë euro për rindërtimin nga tërmeti.

Ndaj kur të gjykoni pas kësaj luftë meritat e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, që i ka dhënë provat edhe më parë se do ia dali, mos rrini pa i dhënë ndonjë meritë edhe liderëve tanë në opozitë. Sepse nuk është aq e thjeshtë sa ju duket, që të jesh sot, lideri i opozitës në Shqipëri!

SHKARKO APP