Alfred Peza: Për heronjtë e internetit dhe tradhëtarët e dovletit!
Nga Alfred Peza –
Nuk besoj se ka rajon tjetër në rruzullin tokësor sa yni, që ta ketë kaq ekzistenciale, lehtësinë e papërballueshme për të prodhuar përjetësisht tradhëtarë dhe heronj. Aq e theksuar është kjo, sa dikush që shpallet hero për një moment, e ka të pamundur që ti gëzohet këtij statusi të shumëndërruar nga gjithkush në Ballkan, sepse e di fare mirë se ky është caku, që vetëm një fije e ndan më pas, nga të shpallurit tradhëtar.
Arbën Xhaferri përcaktonte ndoshta më mirë nga kushdo tjetër këtë situate, që mer shpeshherë përmasa groteske, kur thoshte se jetojmë në një hapësirë ku fare kollaj “mund të ngrysesh hero dhe të gdhihesh tradhëtar”!
E tillë ishte edhe situata e krijuar orët e fundit, pas takimit të liderëve të Ballkanit Perendimor në Tiranë, në kuadër të asaj që njihet si iniciativa për të krijuar Minishengenin e 6 shteteve që e përbëjnë atë: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje Hercegovina.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi të merte pjesë, për shkak të një deklarate idiote të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, që mohonte masakrën e Raçakut. Pamjet e asaj skene të tmerrshme genocidi, bënë dy dekada e ca më parë xhiron e medias botërore duke shërbyer më së shumti si pika që derdhi kupën e krimeve serbe mbi popullsinë civile në Kosovë. Ishte masakra që çoi në marrjen e vendimit përfundimtar nga fuqive e mëdha dhe NATO, për të bombarduar ish Jugosllavinë dhe çliruar më pas edhe me ndihmën e UÇK-së, Kosovën.
Ky takim i tretë në Tiranë, ishte i planifikuar kohë më parë. Me gjithë dënimin e ashpër që i bëri Kryeministri Edi Rama dhe liderët e tjerë shqiptarë, europianë e botëror deklaratës së Vuçiç, me të drejtë Hashim Thaçi nuk mundi që ta kapërcente, për të qenë pjesë e tryezës këtë radhë.
Çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, për shkak të një historie shumë të dhimbshme në të shkuarën, shqiptarët nuk do ta ndryshojnë mendimin e tyre për serbët. As serbët për shqiptarët, e sidomos për Kosovën. As grekët për maqedonasit dhe turqit, e anasjelltas. As krotatët e sllovenët, për serbët. E kështu me radhë. Sikundër pothuajse shumë e shumë shtetet dhe popuj fqinjë për njëri tjetrin, kudo në botë.
Popujt i përjetojnë, historia i shkruan dhe arti e kultura i shndërrojnë në mesazhe universale ngjarjet dhe zhvillimet që përcaktojnë e shënjojnë jetët tona. Ndërsa udhëheqësit kanë për detyrë, që të marin vendime shpeshherë shumë të vështira e të dhimbshme sot, për të ardhmen më të mirë të popujve dhe shteteve të tyre. Në mënyrë që të krijohet një raport gjithnjë e më i relaksuar, në çdo fushë me fqinjët që nuk i kemi zgjedhur. Por, që na kanë rënë për pjesë, ti kemi.
Por në këto anë, ndryshe nga sa do të duhej të ishte, në vend të njerëzve të thjeshtë janë udhëheqësit e tyre, ata që i hedhin benzinën zjarrit të urrejtjes ndaj njëri- tjetrit, për nevojat e tyre politike të ditës. Sali Berisha e quan ish komandantin e luftës së Kosovës, sot tradhëtar. Ndërkohë që Presidenti i Kosovës nuk ia përton dhe e cilëson ish Presidentin dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë si argatin e Millosheviçit prej 3 dekadash.
Kur Edi Rama u bë udhëheqësi i parë shqiptar pas afro 70 vjetësh që shkonte në Beograd dhe ia kërkoi aty live, në prani të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç njohjen e pavarësisë së Kosovës, ai u shpall menjëherë hero. Ndërsa kur po ky Edi Ramë që prêt Vuçiçin dhe udhëheqësit e tjerë të Ballkanit perendimor në Tiranë, për jetësimin e një nisme të Kancelares Merkel dhe procesit të Berlinit, tani quhet tradhëtar i dovletit (shtetit), nga heronjtë e rrjetit.
Si shumë e shumë dalldi të tilla kolektive të orkestruara politikisht, nga ata që për të kaluar hallet e tyre politike të ditës shpikin heronjtë dhe tradhëtarët si bukën që hajnë, edhe kjo e radhës do të kalojë shpejt. Sepse furtunat në gota plastike, më shumë sesa për të dëmtuar ndokënd, krijohen thjeshtë për të kënaqur veshët e të zotëve. Ndaj, mos i kërkoni më kot tradhëtarë atje ku i shpikin, se ju dalin e ju teprojnë ato që e bëjnë atë punë me zell, edhe pa ia kërkuar kush.
Alpenews.al