Alfred Peza: Për të gjithë ata që e kanë marë koronavirusin si lojë!

Nga Alfred Peza –
Me koronavirusin duket sikur ka një sjellje publike, të ndryshme nga ajo e pas tërmetit të shtatorit, e sidomos pas atij rrënimtar të 26 nëntorit. Nga paniku e frika kolektive, e cila u shndërrua fatmirësisht në një solidaritet të pashembullt popullor për të përballuar tragjedinë që prodhoi fatkeqësia natyrore, duket sikur një pjesë jona po e përjetojnë ardhjen e koronavirusit, jo si një të keqe të madhe për njerëzimin, por si një lojë me veten dhe me Shqipërinë.

Përsa i përket qytetarëve të thjeshtë, përveç atyre që kanë mbetur pa çati mbi kokë, të tjerët fatmirësisht i harruan tashmë makthet me dridhje toke, a me dhimbje koke. Ndryshimi mes tërmetit dhe koronavirusit, është se i pari bie si gjyle topi dhe shkatërron gjithçka e dëmton shumëkënd, në pak sekonda. Ndërsa epidemia e re, përhapet pa u ndjerë si murtajë dhe avitet pranë nesh dalëngadalë si grami në vreshtë, derisa të na ketë pushtuar.

Kur bie tërmeti, pasojat e tij ngaqë janë të menjëhershme, përjetohen si të ishin një hall i përbashkët kolektiv. Ndërsa koronavirusi, duke qenë se nis e godet në heshtje njerëzit një e nga një, duket si një problem individual që ne të tjerëve ende të shëndoshë, nuk na përket. Por, e sigurtë është se pasojat e të dyjave në fund, janë njësoj. Me ndryshimin se tërmeti pasi bie, rindërtimi dhe rikthimi i jetës normale si pasojë e tij, vazhon me muaj e me vite. Ndërsa koronavirusi zgjat e zgjat në kohë, derisa të arrihet të izolohet, të mbahet nën kontroll dhe pas muajsh e vitesh të shuhet.

Pra tërmeti e ka shkakun bashkë me tmerrin në fillim dhe riparimin e pasojës, më pas. Ndërsa koronavirusi e jep pasojën në fillim, e në fund mjekësia mund tia dali që të gjejë edhe shkakun. Tërmeti nuk parashikohet, koronavirusi nuk ndihet. Tërmeti nuk mund të parandalohet, ndërsa koronavirusi mund të eleminohet, vetëm pasi të parandalohet. Tërmetet mund të përsëriten në kohë dhe në hapësirë, ndërsa epidemia e koronavirusit nëse arrihet që ti gjendet ilaçi, nuk përsëritet më.

Ndaj është kjo edhe arësyeja se përse, si në rastet e tërmeteve ashtu edhe në këtë të koronavirusit, për shkak se jemi të gjithë të barabartë përpara të keqes, të panjohurës tinzare dhe pasojave shkatërrimtare, njerëzit bëhen të gjithë bashkë. Profesionistët dhe ekspertët e fushave, bëhen bashkë. Politikanët në mazhorancë dhe në opozitë, bëhen bashkë. Mediat profesionale të lira, të pavarura e opozitare bëhen bashkë. Bëhen solidarë.

Koronavirusi as nuk zgjedh, e aq më pak, të përzgjedhë. Ai nuk seleksionon. Nuk përjashton askënd, për asnjë arësye dhe për asnjë dallim. Diferencë. Cilësi. Status. Apo hierarki. Të gjithë jemi njësoj imun përballë fatkeqësisë që i ka rënë njerëzimit. Pa dallim shtetesh, kombesh, popujsh, racash, feje, krahine, gjinie, moshe, besimi politike dhe ideje.

Mirëkuptohen në këtë fazë fillestare ku ndodhet përhapja e virusit në Shqipëri, qytetarët që ende nuk janë aq të ndërgjegjësuar për efektet e asaj që mund të vijnë ndoshta nesër, në jetët tona. Edhe kur vazhdojnë po njësoj si më parë, që të rrijnë nga mëngjesi në darkë, nëpër kafenetë e mbushura plot. Nëpër restorante a mejhane. Në palestra, parqe a lulishte. Nëpër autobuzë, furgona, oborret e lagjeve apo sheshet e fshatrave e qyteteve. E sidomos për fëmijët e të rinjtë që nuk shkojnë tashmë në shkolla, e gjitha duket në fund të fundit, ndoshta si një lojë. Si një nga ato lojërat e pushimeve të verës a dimrit, që erdhën krejt papritur, edhe tani në prag të pranverës.

Të gjitha këto sjellje, lojëra dhe qasje grupesh të vogla, apo më të mëdha shoqërore janë të mirëkuptuara në një vend që ka jetuar historikisht përkrah rrezikut. Le të mundohemi që ti shohim anën pozitive, kësaj sjellje kolektive publike. Për aq kohë sa ende shpresojmë, që e keqja nuk është ulur këmbëkryq dhe të jetuarit të gjithëve në një karantinë si Italia fqinje, do na kursehet. Nga mjekësia. Nga strukturat e specializuara. Nga bërja e të gjithëve bashkë, kundër të keqes së madhe që kemi përballë.

Loja optimiste e njerëzve, që kërkojnë ta sfidojnë koronavirusin sipas mënyrës “alla shqiptarçe”, është e mirëkuptuar. Por, që të bësh lojëra politike në kurriz të shqiptarëve vetë, siç po tentojnë liderët e opozitës sonë me këtë situate, kjo është e pafalshme. Është kriminale. E kur e mendon se edhe Lulzim Basha, ka hyrë në garë me të pakonkurueshmin Sali Berisha në këtë lojë, atëherë kupton se ajo po shkon shumë larg.

Është e kuptueshme loja e tij me maskat. Edhe sjellja një ditë si politikan i mirë që dëgjon, e një ditë tjetër si Luli i dikurshëm, që nuk shikon. Ajo që nuk po mësojmë dot ende, është se sa qytetarë ka arritur që të shpëtojë nga koronavirusi Task Forca e PD? E sa të tjerëve u është gjendur pranë dhe u ka dhënë ndihmën e parë, Task Forca Presidenciale? Sepse nëse predikuan fillimisht se i kanë ngritur ato si qendra ndihme e shpëtimi, nuk mund të sillen dot tani, si të ishin përgjegjësit e agjensive funerale.

SHKARKO APP