Alfred Peza: Rënia e Murit të Berlinit dhe ura e re shqiptare, 30 vjet më pas!

Nga Alfred Peza –

Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntorin e 1989, është padyshim një nga ngjarjet më me ndikim të këtyre 30 viteve të fundit, në mbarë botën. E për rrjedhojë me ndikim gjithnjë e më të madh jo vetëm në Europë e ish Lindjen komuniste, por edhe në Ballkan e Shqipëri.

Është nga ato lloj momentesh në histori, që të japin mundësinë tani nga lërgësia e kohës, që të shohësh më qartë ku ishim, ku jemi sot në raport me ëndrrat e atëhershme, e ku duhet të shkojmë për ti bërë ato realitet.

Ajo barrierë që e ndau qytetin e Berlinit për 28 vjet më radhë, u bë simboli i Luftës së Ftohtë që ndau botën në dy pjesë, pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte kjo arësyeja se përse Presidenti Amerikan Kenedi do të mbante fjalimin e tij të famshëm: “Unë jam berlinez”. Ndërsa dy vjet përpara rënies së Perdes së Hekurt, Presidenti Regan, do ti bënte thirrje nga aty sekretarit të parë të BRSS, Gorbaçov që ta rrëzonte atë mur.

Ai mur ra pikërisht atëherë kur shpresat dukeshin më të venitura se kurrë e në vend të tij, popujve të ish lindjes komuniste si Shqipëria, iu dha një shans i ri për të ndërtuar urat e reja të munguara përgjatë historisë. Disa nga këto ura janë ndërtuar. Por shumë të tjera rrezikohen nga muret e reja që po tentohet të ngrihen edhe për shqiptarët në Ballkan, në raport me ëndrrën tonë për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se “9 nëntori, është data që reflekton momente të tmerrshme por edhe të gëzueshme të historisë sonë. Na bën të vetëdijshëm se duhet të përballemi me vendosmëri me urrejtjen, racizmin dhe anti-semitizmin. Na kujton të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe shtetin ligjor”.

Pas tri dekadash nga rënia e Murit të Berlinit, shqiptarët kanë dy shtete në Ballkan. Edhe në shtetet e reja të krijuara pas shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, shqiptarët gëzojnë më shumë të drejta se kurrë më parë në historinë e tyre. Megjithatë, jemi dukshëm ende shumë larg realizimit të projektit tonë kombëtar, që me siguri do të kërkojë edhe shumë mund e sakrifica të tjera përgjatë këtij shekulli e mijëvjeçari.

Në këtë përvjetor të 30 të rënies së simbolit të një epoke të shkuar ndarjesh, lufte të ftohtë, një bote ideologjike të mbushur me izolim në dy kampe qartësisht të ndara armiqsh për vdekje, në Ohër u takuan Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë dhe Presidenti i Serbisë. Ata u ritakuan për Samitin e Zbatimit të 4 lirive të BE: lëvizjen e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve! Një kartolinë simbolike, për evolucionin e pamendueshëm të zhvillimeve në rajonin tonë jo në kohën e Murit të Berlinit, por deri edhe pak vite më parë.

Shqipëria që dikur kishte dalë me tërsëllima nga Traktati i Varshavës, prej një dekade është sot një shtet anëtar i NATO-s, armikes së saj më të madhe të dikurshme. Rreth tri javë më parë, vetoja e presidentit francez Macron që është konsideruar një gabim historik nga lidershipi ndërkombëtar, i mohoi për momentin Shqipërisë vendimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria sot nuk është ai vendi që të gjithë ëndërrojmë për vete dhe për brezat e ardhshëm. Por, pa as më të voglin diskutim, Shqipëria në të gjitha aspektet është ai vend që 30 vjet më parë, as që e kishim ëndërruar se do të bëhej sot. Jo vetëm në aspektin e lirive individuale, demokracisë dhe mundësive social- ekonomike që ka sjellë sistemi dhe bota ku jetojmë. Por, edhe në aspektin e dinjitetit njerëzor dhe të jetuarit në një epokë ku e mundshmja, mund të bëhet e realizueshme për shumëkënd.

Ky përvjetor i rrëzimit të Murit të Berlinit, përkon edhe me përvjetorin e 75 të çlirimit të Shqipërisë, duke na dhënë të gjithëve mundësinë që të reflektojmë për shumëçka. Zhvillimet politike të këtij viti, kur për herë të parë në historinë e demokracive moderne të botës së qytetarëuar, opozita shqiptare doli nga sistemi politik, parlamentar dhe demokratik i vendit, na bëjnë që të jemi shumëfish më koshientë për rreziqet që na kanosen dhe mundësitë për tejkalimin e tyre.

Reforma në drejtësi, me sa duket pritet që veç të tjerash ti japi mundësinë Shqipërisë që të nxjerrë në pension një elitë të vjetër, të korruptuar e të kriminalizuar të klasës së saj politike. Një pjesë e tyre, ishte në anën tjetër ose majë murit të Berlinit, atëherë kur ai u shemb. E sot, me mbetjetet e tij, po kërkojnë që të ngrenë një mur të ri mes shqiptarëve. Vetëm ndërtimi i një ure të re bashkëpunimi mbarëkombëtar, do ti hapin një prespektivë të re Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, për 30 vitet e ardhshme!

Alpe News

SHKARKO APP