Alket Islami, na tregon Shqipërinë që duam!
Alket Islami nuk është njëri nga djemtë e zakonshëm të këtij vendi. Është një prej atyre që na ka bërë ta duam Shqipërinë, sepse na e ka treguar gjithmonë nga lart. Sa më lart aq më e bukur, e më pak banale ngjan, ndaj Shqipëria që na tregon Alket Islami ndërmjet fotografisë nga ajri është Shqipëria që të mban këtu, të mban në shtëpi dhe të bën të besosh që bëhet, do t’ia dalim. /R.XH
Intervista
Rudina Xhunga: Alket Islami sa kohë pa u parë. Për të parë jemi parë, por sa kohë kanë kaluar që s’jemi parë në emisione. Që nga Valbona.
Alket Islami: Që në qershor të 2010-ës. Bëre bum atëherë Rudinë, sepse ishte emisioni i parë, me të gjithë ato eksponentët e zonës, për turizmin dhe që nga ai moment ato nuk kanë shterur duke marrë njerëz.
Rudina Xhunga: Mbas atij emisioni, nga ato magazinat ku fjeti stafi i emisionit, atje një lopë, atje një viç, ata bënë superhotele në Valbonë.
Alket Islami: Dhe të shikosh si është tani. Para një muaji isha me promovimin e parë të librit, atje ishte një dyndje me turistë, nga infrastruktura ata po fillojnë të bëjnë hotele. Të gjitha shtëpitë janë kthyer në bujtina dhe po fillojnë të punojnë me drurin. Kjo më pëlqen.
Rudina Xhunga: Në 2093 s’kishte telefon, s’kishte rrugë, vetëm çaj pinim gjithë ditën?
Alket Islami: Ishte vetëm një pemë. Dhe ne varnim celularët të pema, që të vinin valët. S’funksiononte WhatsApp, vetëm mesazhet.
Rudina Xhunga: Kjo është arsyeja pse unë doja ta sillja Alket Islamin te emisioni “Shqiptarët e mrekullueshëm”. Për të treguar që njerëz që e tregojnë Shqipërinë bukur, janë ata që e zhvillojnë Shqipërinë. Ne folëm në Valbonë, kur nuk kishte asgjë. Përpos të tjerave kishte një frikë të madhe.
Ne bëmë atë emision. Ndryshuam jo thjesht jetën e një njeriu që donte të bënte hotel. Por ndryshuam jetën e gjithë zonës. Kështu ndryshon edhe Shqipëria, duke e treguar. Prandaj ti je një shqiptar i mrekullueshëm sepse e ke treguar Shqipërinë nga lart, dhe sa më lart të shkosh aq më e bukur duket. Pastaj këtyre banaliteteve të jetës së përditshme nuk kemi ç’u bëjmë, janë pjesë.
Alket Islami: Normal. Megjithatë unë jam treguar gjithmonë i kujdesshëm. Dhe ju po të ishit në vendin tim nuk do të nxirrnit fotografi, një problem, apo një dëm, një pisllëk. Gjithmonë këto evitohen, hyjnë në arkiv thjeshtë për t’i parë, jo për t’i ekspozuar. Sigurisht që i takoj atij target grupi që promovon vendin. Dhe që nga moment që kam shkrepur fotografimin e parë dhe kam bërë botimin e parë, deri tani jam munduar që të sinkronizoj veten time dhe të kem dateline për botime, sepse i jam futur kësaj fushe dhe nuk dua ta lë. Ne sot jemi për herë të parë këtu, ju erdhët për herë të parë dhe shikoni çfarë vendi është! E zgjodhëm këtë vend të mrekullueshëm për të improvizuar pak Alpet, pavarësisht se jemi në malësinë e Tiranës. Ku shquhet nga mbrapa Petrela, Dajti, etj.
Nuk janë vetëm Alpet, ato janë pjesa më potenciale e Shqipërisë.
Rudina Xhunga: “Alpet shqiptare nga ajri” Ky është libri i fundit.
Alket Islami: I gjashti në radhë. Duke llogaritur një volum tëAzerbajxhanit dhe një volum të Kosovës.
Rudina Xhunga Uau ç’është kjo foto?
Alket Islami: Është Shoshan.
Rudina Xhunga: Ua çfarë mrekullie!
Alket Islami: Unë jam habitur nga mëngjesi këtu. Në orën 6, Valbona ishte zgjuar dhe ishte gjithë mjegull.
Rudina Xhunga: Ishte në verë?
Alket Islami: Po në verë, në qershor. Qershori i Valbonës.
Rudina Xhunga: Në të gjitha stinës besoj.
Alket Islami: Po, po.
Rudina Xhunga: Ku është ky vendi i jashtëzakonshëm?
Alket Islami: Berishë, në Liqenin e Fierzës. Liqeni i Fierzës ka këto lloj ishujsh, këtë lloj natyre.
Rudina Xhunga: Ka pak fotoshop këtu, apo kjo është Shqipëria?
Alket Islami: Fare, fare, fare. Mos harrojmë që Liqeni i Fierzës dhe i Komanit, por më tepër Fierzës, krijon këto lloj kontrastesh largimesh uji, sepse është liqen që nuk mbahet gjithmonë nën ujë. Ndërsa Komani, është liqen që mbahet gjithmonë me ujë. Pra plot. Ndërsa Liqenit të Fierzës, në periudhën më të thatë mund t’i gjesh tokën, edhe varreza të vjetra që dalin në pah, edhe fshatra që janë përmbytur, siç doli edhe Kukësi, i vjetër, del edhe diçka tjetër, në këtë liqen. Pra unë jam munduar dhe i kam gjetur dy momente atij liqeni. Është liqeni dhe me ujë dhe pa ujë.
Rudina Xhunga: Këtu jemi në?
Alket Islami: Në Valbonë.
Rudina Xhunga: Këtu jemi ngjitur atëherë?
Alket Islami: Këtu kemi qenë te Fusha e Gjësë. Kjo është foto e vjetër, sepse këtu është bukuria e këtij libri, hyri në arkiv. Këtu është bërë rrugë tani, është bërë urë, që kalojmë në Fushën e Gjësë.
Rudina Xhunga: Kur kemi qenë ne me Alketin, u ngjitëm. Madje unë atëherë, njoha dhe lëndinat në majë të maleve. Ec e ec, dhe nuk kishte të mbaruar. Ose na çoje në ujëvara, o s’ka. Ishim një grup fantastik i Top Channel. Jemi akoma dhe e kujtojmë të gjithë.
Rudina Xhunga: Këtu jemi në Shkëlzen. Si janë bërë këto foto?
Alket Islami: I kam bërë unë disa. Disa i kam bërë unë me helikopter, ku kam qenë me fotoreporterin e Neës 24, në vitet 2000, kur ishte dhe kriza, kur ishte dëbora e madhe dhe çonim ndihma për fshatra në nevojë. Bëja edhe foto, edhe filmimet për televizionin. Nuk i harroj ato vite të jashtëzakonshme dhe heroizmin e pilotëve për të çuar qoftë ndihmat ushqimore, qoftë medicinale në fshatrat ku kishin nevojë.
Në këtë libër jam munduar të fus pjesën lindore të alpeve. Sepse Alpet Shqiptare janë 2200 kilometra katrorë. Llogarite çfarë sipërfaqeje e madhe dhe këto i kemi ndarë me Lumin e Shalës. E gjithë pjesa lindore është e skanuar në këtë album. Që do të thotë se në volumin e dytë do të kemi pjesën perëndimore të Lumit të Shalës, lumi që buron në Theth dhe që futet në Liqenin e Komanit.
Rudina Xhunga: Çfarë mrekullie ke bërë! Çfarë është kjo?
Alket Islami: Shkëlzeni nga mbrapa. E gjithë pjesa e ultësirës në luginën e Bajram Currit, Kruma, deri në Kukës. Edhe pjesa e Kosovës. Është e gjithë mjegullnaje e mëngjesit.
Rudina Xhunga: Unë kam qenë. E dua veriun dhe e pëlqej jashtëzakonisht shumë.
(Alket Islami kap çajnikun)
Alket Islami: Çajin që kemi këtu e kemi marrë nga lokali. I thamë që të na e japë me çajnik. Çaj mali ky.
Rudina Xhunga: E mban mend çajin e malit në Valbonë? Unë vetëm pija dhe qeshja, dhe më thoshin: “Çaj po pi ti?”
Po kështu është çaji i këtyre maleve, kështu janë fotografitë e këtyre maleve. Ky është Alket Islami që na i sjell afër dhe na i bën të vizitueshme. Sepse unë jam e sigurt se te ky vend që ne kemi ardhur tani do të vijnë shumë njerëz pasi të shohin emisionin.
Alket Islami: Këtu vijnë dhe pa diskutim që mbas kësaj do të vijnë akoma.
Rudina Xhunga: Këtë të bën tregimi i gjësë.
Alket Islami: Këtë të bën tregimi dhe pasioni që ti do e thuash. Mbaj mend kur ke drejtuar atë emisionin atje, ke qenë gjithë pasion, më shumë se ne të gjithë që ishim atje.
Rudina Xhunga: (Qesh) Nuk pushoja.
Alket Islami: Ai emision u ndoq shumë dhe pati feedback-un. Kështu që edhe këtu ku jemi ne namin do të bëjmë.
Rudina Xhunga: Kjo është: “Më trego Shqipërinë tënde” Secili e tregon në mënyrën e vet, kjo është mënyra që ka zgjedhur ta tregojë Alket Islami. Dhe unë sapo doli ky libri dola menjëherë ta takoja që të dija detajet.
Alket Islami: Rudina sa kohë ke pa qenë në Alpe? Që në 2010-ën?
Rudina Xhunga: Jo, jo kam shkuar. Por unë shkoj sa herë që ndërroj televizionin, bëj emision. Nuk rri dot pa shkuar, më pëlqen t’i tregoj në të gjitha mënyrat. Në Theth nuk kam qenë këto kohë.
Alket Islami: Do të kesh fatin të shkosh më kollaj sepse atje po rregullohet Qafa e Thores.
Rudina Xhunga: Kur?
Alket Islami: Është duke u punuar, nga Boga për në Theth.
Rudina Xhunga: E ke Thethin këtu?
Alket Islami: Është.
Rudina Xhunga: Po kjo mrekullia çfarë është?
Alket Islami: Kjo është çatia e Alpeve. Maja e Jezercës. Dhe janë të gjitha majat e maleve. Këtu shikon pjesën e Shqipërisë dhe atë të Malit të Zi. Mbrapa kësaj maje është Plava e Gucia, diku këtu është Thethi, Papluka. Ka qenë e gjithë Shqipëria në mjegull, në kohë të keqe.
Rudina Xhunga: E jashtëzakonshme! Ky libër nuk besoj se dedikohet turistit shqiptar, që i mungon Shqipërisë.
Alket Islami: Në fakt ky botim është bërë vetëm në anglisht. E di pse e bëmë? Ben Andoni është ai që më ka bërë tekstin. Beni është mërzitur çik me mua sepse unë i kam gjymtuar gjithë tekstin. Sepse na pruri shumë tekst. Dhe ca bëmë? Duke e futur taksin vetëm në anglisht, menduam se pse edhe ata që janë atje në zonë të fillojnë të kuptojnë dhe të flasin më mirë, me të huajt dhe vendorët. Toponimet janë në shqip, sepse nuk mund t’i tjetërsojmë në gjuhë të huaj.
Pra në fund të librit i vumë një kod, që ti mund të vendosësh telefonin dhe të del uebi, alps.al. Alps.al është një domen që e kemi marrë dhe do ta zhvillojmë vetëm me informacion. Që ti të kesh mundësinë të dish ku do të akomodohesh, çfarë do të bësh, do të hyjnë të gjitha guidat aty. Dhe mbi të gjitha teksti është i gjithi i Benit.
Rudina Xhunga: Ben Andoni është një tjetër shqiptar i mrekullueshëm. Çdo njeri që do, e tregon dhe zhvillon këtë vend. Mos kujtoni se shqiptarët e mrekullueshëm rriten në pemë. Janë këtu mes nesh.
Alket Islami: E di se çfarë më tha Beni? Na duhej një slogan për librin, dhe Beni e gjeti. “Eja në Alpet tona, eja në mit” dhe është shumë e rëndësishme kjo dhe interesante.
Rudina Xhunga: Këtë thoshim atëherë, kur ishim te Bjeshkët e Nëmura, nuk janë të nëmura, janë të bekuara. Të nëmura janë kur nuk vizitohen, të bukura janë kur vizitohen, kur zhvillohen. Unë kam një besim të pambarueshëm që ato do të zhvillohen.
Alket Islami: Ky është potencial. Flas për Alpet Shqiptare. Për mua Alpet janë pjesa më e rëndësishme e Shqipërisë. Sepse Alpet janë lakmi për të gjithë, për turizmin që vjen me outdoor dhe që futet klandestin nga Vuthaj.
Rudina Xhunga: Vuthaj është një tjetër mrekulli shqiptare. Unë kam qenë me Rexhep Qosen për të na treguar, sepse ai është vendi i tij, kam qenë me Pëllumb Xhufin.
Alket Islami: Ne aty kemi qenë, që çojmë guidat për t’i dërguar njerëzit në Liqenet e Jezercës. Është faciliteti më i madh. Nëse ti nga Valbona, për të shkuar në liqenet e Jezercës, të duhen tetë orë, kur kalon andej, në pyll të duhen vetëm dy orë.
Rudina Xhunga: Që të vijë kjo ditë dhe të jetë normalitet, ne thjeshtë nuk do të vijmë nëpër lokale. Sepse kjo është ideja në Shqipëri: “Ok është bukur, do të vete të ha bukë, misër, pula.” Jo ti do të vesh të ecësh, do të vesh ta njohësh, ta shijosh.
Alket Islami: Janë burimet e Ali Pashë Gucisë, në Vuthaj, janë ujëvarat.
Rudina Xhunga: Tek ujëvara është ai lokali i bukur, i mrekullueshëm. Kam qenë aty, kam xhiruar. E di ku nuk kam qenë? Në Tamarë.
Alket Islami: Shihe ku më shkoi dora në album. Pjesa që kam fotografuar nga fundni, nuk i përket pjesës lindore, hyn te ajo perëndimore. Kam dashur që të bëj miksim. Pra pjesa e Vermoshit. Ti nuk ke qenë në Tamarë, pra tregon që ti nuk ke qenë as në Vermosh. Sepse Tamara është porta e parë e Lumit të Cemit. Kur jemi në Han të Hotit, ti do të kalosh liqenet e Hotit, dhe është ajo Llogoraja e veriut. Fiks sikur zbret Llogoranë, por ti zbret Lumin e Cemit. Humb lartësi shumë dhe je në shtratin e lumit. Pastaj ngjit lumin për të shkuar në Vermosh. Është një perlë. Vermoshi është vendi që duhet vizituar më shumë. (Tregon foton në libër) Kjo quhet Velipoja e Vermoshit. Është fundi i Shqipërisë, është Mali i Zi, cepi i hartës lart dhe është ish-kufiri politik i Perandorisë Osmane me pjesën sllave që quhet Kulla e Mbretit. Pra është një zonë e jashtëzakonshme. Këtë foto jam munduar ta trajtoj në dy stinë, në pranverë dhe në vjeshtë. Pjesa e akomodimit, e kullave dhe e vjeshtës. Ne duhet të promovojmë vjeshtën në Shqipëri. Muaji ynë është vjeshta. Janë ngjyrat që nuk mbarojnë.
Rudina Xhunga: Në vjeshtë bëra emision në Theth dhe menjëherë më mori në telefon piktori, Pashk Përvathi dhe më tha: “Më jep një adresë që të shkoj”. Bëri një nga ciklet më të bukura që kam parë. Mbas dashurisë për natyrën, më nisi dashuria për pikturën. Tani dua patjetër të kem piktura në vjeshte.
Alket Islami je njëri prej atyre që thotë: “Shqipëria bëhet!”. Që promovon idenë: “Rri në Shqipëri, rri në shtëpi!”.
Alket Islami: Patjetër! Jam në sëmundje e sipër tani, sepse promovuam një vajzë fantastike, një vajzë në fluturim, është bërë mjeshtre. Do të ikë në Amerikë. Ti e përgatit, nxjerr një shqiponjë të re, dhe me gjithë mend është me talent. Lorina, e përshëndes, do të ikë bashkë me burrin, zgjodhën të jetojnë në Amerikë. OK është zgjedhja e tyre, se unë po e bëj pak si shaka, por sinqerisht na vjen keq. Sepse mua më pëlqen që të jenë të gjithë këtu. Shqipëria ka nevojë për promovim dhe për njerëz që duhet të punojnë për turizmin. Ajo është ekonomia numër një që po vjen. E mban mend si thoshin ata në Valbonë, që do të vijë. S’kishin shtretër ata, por tani janë plot me njerëz. E di ku ka filluar tani emancipimi? Kjo është grada më e lartë dhe e fundit. Ngrohja, nëpër restorante, që t’i kenë ambientet të ngrohta. Dhe më bëri përshtypje kur shkova për promovimin e parë të librit, më 24 dhjetor në Valbonë, shkuam në një lokal, ishte i ngrohtë, s’kishte këmbë njeriu. Dhe i thashë, të lumtë. Unë do të them tani, shkoni te filani se është i ngrohtë, edhe kur nuk ka njerëz. Të heqin dorë nga ajo, që kur shkon ti të thotë ai: “Ja se do të të ngroh unë dhomën!” Nuk quhet nder.
Rudina Xhunga: Tani dua të më tregosh pak rrugën, se më the që ke marrë edhe Xhonin me vete. Dua të shoh pak sa është rritur Xhoni yt që e mbaj mend të vogël para 10 vjetësh në Valbonë.
Alket Islami: Xhonit sa kishin filluar t’i dilnin puplat në krahë.
Rudina Xhunga: Tani që fluturon, thotë që do të iki nga Shqipëria?
Alket Islami: Jo se ia pres puplat. (Qeshin) Ai do të jetë këtu dhe ka marrë një rrugë që mua më pëlqen. Ku ka prind që nuk është i lumtur që fëmija të ndjekë hapat e tua. T’i japësh pasionin, t’i japësh krahë, vullnet. Vullnet dhe pasion, se pastaj arrihen të gjitha. Po sigurisht që është fusha më e vështirë. Mos harrojmë që turizmi që ne bëjmë është nga më të vështirët, turizmi sportiv. Po fusim edhe sportivin, sepse merremi shumë edhe me gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Që të marrësh turistë, t’i fusësh në nivel sportiv është shumë e vështirë. Sepse nuk i sjell për qejf, por për kompeticion. T’i sjellësh për kompeticion do të thotë që i ke të përhershëm. Ky është sekreti i një gare. Se ty mund të të vijë një njeri për qejf, thotë: “Dua të shoh njëherë Thethin, sa lekë bën guida? “ Shkon edhe sheh. Por të vijë një i huaj gjithmonë, se është një kampionat në Shqipëri, me një emër brand, “Korça open air”, ose “Gjirokastra openair”, apo “Albania open”, “Llogora air game”. Të gjitha këto janë brande që, jam, s’jam unë këto janë thekur dhe njerëzit vijnë sepse duan të marrin çmim. Dhe të gjitha janë të futura në kalendarët e garave ndërkombëtare. Por që të arrinim te kjo ishte e vështirë, kaluam shumë peripeci, mërzitje, evente që nuk vinin njerëz. Por vullneti dhe pasion çfarë nuk bëjnë./dritare.net