AMA monitoron mediat audiovizive: Kujdesuni për personelin, të ndalohet prezenca e publikut

Nisur nga situata e krijuar me koronavirusin, Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkon nga subjektet audiovizive që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin që angazhojnë brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit.

“Në këtë periudhë të ndalohet prezenca e publikut të përqendruar në programe televizive direkte ose të regjistruara. Në formatet informative apo forum, të mos ketë më shumë se 2 persona të pranishëm, duke respektuar distancat apo standardet që janë përfshirë dhe në udhëzimet që ka bërë publike së fundmi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, thuhet në njoftimin e AMA.

Po ashtu AMA thekson se shtimi i lidhjeve direkte, në distancë, mënjanon rreziqet e transmetimit të virusit.

“Angazhimi dhe puna voluminoze e redaksive audio dhe audiovizive për raportimin dhe mbulimin e zhvillimeve në terren, duhet të marrë parasysh dhe shëndetin e personelit gazetaresk dhe mbështetës, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, thuhet më tej në njoftim.

Duke vlerësuar shëndetin e qytetarit mbi gjithçka, AMA, thotë se nga data 12.03.2020 do të monitorojë transmetimet audiovizive dhe për rastet e evidentuara të neglizhencave apo shkeljeve të kërkesave të mësipërme do të fillojë procedurat administrative.

SHKARKO APP