Amaneti…

Nga Agim Xhafka

Eshtë ngjarje e ndodhur para ca vitesh. M’u kujtua sot nuk di për ç’shkak.
Zëri në celular: “Ladi vdiq” më dërrmoi! Pas ikjes së babait ky ishte lajmi më i helmët. Ecja dhe dridhesha,sikur më kishte kapur korrenti.
-Kur?-pyeta.
-Sot. Para dy orësh,në një spital të Milanos. E griu kanceri.
-Varrimi nesër?
-Jo,jo.Pas tre ditësh. E la amanet të varrosej në Atdhe.
-Në Atdhe?! Po ai Atdhe e vrau? Ai atdhe e rrënoi,e hëngri të gjallë. E varfëroi,e mjeroi,e…
Dhe vazhdoja e flisja e të flisja gjithë mllef. Se më erdhi si film jeta e tij 20 vitet e fundit.
Për lexuesin po sqaroj se Ladi ishte bashkëshorti i kushërirës sime. Por nga që Ladi qe flori unë me shaka thoja se atë kisha kushëri,jo nusen e tij.
Ai,pas mbarimit të së mesmes erdhi nga Korça në Tiranë. Filloi punë minator në Valias. Zgafellist,i thoshim me shaka. U martua dhe familja iu shtua me nje vajzë e një djalë. Jeta rrodhi si e të gjithëve deri në vitin 1992. Më tej u mbyll miniera e Ladi e pa veten në rrugë. E atje,në tortuar tek shkolla teknologjike ose pallati me shigjeta sot,nisi të shesë vaj për makinat,futur në shishe Coca Cola. Nxirrte lekët e bukës. Sa herë më binte rruga andej e shihja ngulur te vendi. Qoftë dimër,shi,erë,ftohtë. Qoftë verë,zheg e pluhur të helmuar. Më tej i ngel pa punë edhe gruaja e…hallet shtohen. Fëmijët rriten. Nga viti në vit ranë shitjet e të ardhurat. Por buzëqeshja i ngeli njësoj. Optimist i lindur. Dhe një ditë mësoj se Ladi iku në Itali.
-Si iku?-pyeta.
-Me gomone. Natën nga Vlora.
Nuk i la rrugë tjetër Atdheu. Në moshën mbi 40 vjeç,pa ditur fare gjuhën iu bashkua një kushëriri në rrethinat e Milanos e bëri punët që nuk kishte bërë kurrë.Murator,pllakaxhi,armator e…buzagas përherë. Punëtori i i drejti nuk humbet. Pas ca kohësh mori gruan,fëmijët dhe jeta ia shpërblen mundin. Jetojnë me nder në një apartament modest. Fëmijët rriten. Fillojnë universitetin dhe punojnë. Epo erdhën ditë të bardha më në fund. Hyri gëzimi dhe tek shtëpia e tij. Por…stresi dhe mërzitia e dikurshme ia kishin helmuar shëndetin. Sëmundja iu zgjua vrulltas dhe pas ca muajsh la porosinë:
-Më varrosni në Tiranë. E le amanet. Në Tiranë…
Historia e tij nuk është kaq vetjake. Eshtë një gjeneratë që e ka këtë biografi. Që doli zbuluar në luftën për jetën. Me ëndërra,por pa arsimim,pa financa,pa shtëpi e pa siguri. Që si në xhungël atdheu veç i kafshonte e i dëbonte. Ndaj morën vrapin të rinj e mesoburra që të mbijetonin,se vendi po kthehej në një varrezë të gjallësh.
Por ja që Ladi e të tjerët prapë duan të prehen në këto gërxhe e amullira. Se e dinë që Atdheu nuk ka faj. E dinë që ai i do. Se atdheu qenka si nëna. Bërtet,por bërtet nga që lodhet. E nuk harron t’u gatuajë,t’i lajë e t’i mbulojë natën kur flenë. Se i ka në zemër,i ka në gjak. Andaj amaneti del vetiu…Më çoni te dheu im,se ai dhé ka vlagën e ëndërrave të perjetshme. Atje rehatohem…

SHKARKO APP