Amaneti i doktorit

Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Dr. Jorgji Jorgonit

Nga Dr. Nikolla Jorgoni –  Një pasdite, nisem nga Durrësi për në Tiranë, për t’i bërë një vizitë dr. Jorgji Jorgonit në shtëpi pas daljes nga spitali ku kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Me vinte shume keq, një mjek me emër, një specialist dhe profesionist shume i mirë, i munduar gjatë jetës, i përballur me një mori problemesh në jetën e përditshme, por që kishte triumfuar, po e mundonte edhe ky problem shëndetësor, që si pa dashje e kishte nënvlerësuar, siç thoshte ai gjatë bisedave.

Në ditët e para të Shkurtit të vitit 1968 dr. Jorgji Jorgoni operohet nga një sëmundje e rëndë. Operacioni doli me sukses, por gjendja shëndetësore  ishte kompromentuar dhe të linte të dyshoje se nuk do të shkonte mirë. Shërbimi mjekësor i bëhej në shtëpi. Në muajin e parë gjendja qe e mirë, por me vonë ajo u përkeqësua.

Kur hyra në dhomë ishte qetësi. Dhoma qe e pastër, e rregullt , çdo gjë në vendin e vet. Mbi komodinë qëndronte një buqete e madhe me lule te shumëllojshme që ja kishte sjellë e motra Aspasia. Lulet lëshonin aromë të këndshme qe përhapej në të gjithë dhomën. Të binte në sy një refleks drite me nuancë të kuqe që vinte nga dritarja nëpërmjet perdeve. Në dhomë dëgjoheshin tingujt e një melodie me tone te ultë, e cila qe e panjohur për mua.

Unë ju afrova krevatit ku qëndronte shtrirë doktori, e përshëndeta me kokë. Në atë moment mu duk sikur ai po flinte, por jo, ai hapi sytë duke më dhënë që të kuptoj që të ulesha aty pranë. Mbasi ulem, me një ndjenjë respekti dhe adhurimi, qëndrova aty për pak kohë pa folur. Doktori (xhaxhai im) lëvizi dhe filloi të flasë me zë te ulet.

Si je? Si jeni nga shtëpia? Babai ç’bën, ju përgjigja se jemi mirë dhe të bëjnë të falura e të urojnë shërim të shpejtë.

Por në vetvete qëndroja i merakosur nga gjendja jo e mirë e tij, e shihja te zbehtë e të pafuqishëm. Ai mundohej të fliste me zë jo të plotë, nganjëherë i mekej goja. Kjo i ndodhte edhe kur kishte qenë i ri. E kishte ndoshta nga emocioni, ndoshta i vinin shumë mendime në të njëjtën kohë, por ai kishte zakon të thoshte fjalën e duhur. Pra ishte i ngadalte në te folur, por i zgjuar në përgjigje. Doktor Jorgoni ishte poliglot, ai zotëronte gjuhe te huaja si greqishten e re dhe te vjetër, latinishten, gjermanishten, italishten, frëngjishten, fliste gjuhen vllahe.

I shtrirë në krevat, ai donte të fliste, të më inkurajonte dhe më pyeti: ke pothuaj tre vjet që punon si mjek, si të duket mjekësia? Dhe vazhdoi të flasë.

Mjekësia është një shkence humanë qe ka si  preokupim raportin midis ndërgjegjes, humanizmit, dashurisë, përkushtimit dhe sakrificës për njerëzit në nevojë dhe vuajtje. Më pyeti: a lodhesh, a të mërzisin vizitat  ore e pa ore? Ju përgjigja, e vështire por shumë se dashur, të jep emocione, te bën ta duash jetën të bën të sakrifikosh, të lë në pritjen e kthesës së shpëtimit të të sëmurit, të lë pa gjumë, ka shumë ankthe.

Pasi më dëgjoi me vëmendje, e duke dashur të ndryshojë muhabetin, i buzëqeshur më tha: a e ke dëgjuar me parë këtë muzikë?

Jo i përgjigjem, nuk kam njohuri te mira për muzikën. Me pëlqejnë më shumë muzika Italiane, këngëtaret italianë, kompozitoret si Verdi, Pucini, Belini etj por nga të gjithë më pëlqejnë këngët napolitanë.

Kjo që dëgjove t’i kur hyre në dhomë, ishte muzika e Bethoven.

Mjek ka sa të duash, por Bethoven ka një.

Pushoi se foluri dhe ra në mendime.

Gjate bisedës, xhaxhai me modesti më këshilloi që të mos bëja gabime edhe atëherë kur i sëmuri te duket se është mirë. Duhet të dëgjosh me vëmendje ankesat e tij, mos t’i nënvlerësosh se i sëmuri vuan dhe shpresat i mban tek mjeku. I sëmuri ka gjithmonë të drejtë. Zoti te jep jetën, por mjeku e zgjat atë. Me foli për kujdesin qe duhet te kem në dhënien e ndihmës se parë. Asnjë ekzaminim që i bëhet të sëmurit s’duhet lënë pas dore, sepse atë qe mund ta nënvlerësosh aty mund te jete problem i te sëmurit. S’duhet të largohesh nga i sëmuri pa qenë i sigurt për gjendjen e tij shëndetësore. Duhet te jesh i qete dhe i papërtueshëm. Duhet të injorosh kënaqësitë personale, ndofta familjare, kur e kërkon detyra. I sëmuri kërkon një buzëqeshje-jepja, kërkon një fjalë shprese-jepja. Nuk duhet të tregohesh i lodhur përpara tij, nuk duhet të shprehesh shqetësim për gjendjen e rëndë që kalon i sëmuri, por duhet t’i hyjsh punës nën dritën e dijes dhe eksperiencës së fituar.  Atëherë behet detyra si mjek dhe i sëmuri shpreson se do të behet mirë.

Ki kujdes nga paraja, ajo nuk është gjithçka. Njeriu nderohet nga të mirat qe bën e jo nga leku qe ka. Megjithëse leku është që të nxjerr nga situatë te vështira, është emri i mirë që të nderon e të shpëton. Edhe në qofte se ke humbur pasurinë, është dija që ke fituar dhe kjo te bën te pasur. Është emri I mirë qe mbetet, e që të nderon ty , familjen tende  e fëmije tuaj. Ja kjo është jeta, kape atë mos e lësho, se ajo është e shkurtër, kur mendon se ke arritur diçka aty ajo mbaron. Ka vetëm një rrugë, ajo është dashuria, është drejtësia. Beso në veten tende, në zemrën tende, në dijen e fituar se ajo do të zhvillojë intuitën në rrugën qe t’i sapo e ke nisur.

Dëgjo bir, sa më tepër të kujdesesh për të sëmurin aq me afër zotit je. Në punën tende si mjek nuk është e keqe e madhe t’i bësh një te mirë   mosmirënjohësit, por është fatkeqësi e madhe të marrësh shërbime nga i poshtri.

Unë qëndroja pa folur, por sytë dhe mendjen e kisha te xhaxhai dhe mendoja sa i forte është, e di përfundimin e sëmundjes dhe nuk i trembet syri. Do akoma te beje te mira për familjen, për emrin e mirë qe ka ajo. Nëpërmjet fjalës do te lere amanet dhe përpiqet te më thotë eksperiencën e jetës se tij.

Me pas xhaxhai më thotë- dëshiroj të ndjekësh rrugën time. Ta mbash gjallë emrin e mirë të familjes, atë emër qe na kanë lënë baballarët tanë e që po përcillet brez pas brezi.

Vura re që ishte i djersitur, në ballë dukeshin bulëza djerse. Si duket ishte lodhur se foluri dhe po qëndronte në heshtje.

Gjate kësaj kohe me kaloi ndërmend e gjithë jeta e tij, qe e njihja bisedave te bëra në familjen time, me tim atë, me gjyshen etj. por edhe nga njohja sado pak e jetuar. Kujtesa me çoi në fillimet e formimit studentor dhe të formimit si mjek që, me karakterin e tij, me guximin e tij, arriti majat e larta të mjekësisë. Ai ishte një mjek shkencëtar, shembull në punë e jetë, në shoqëri dhe në familje. Ai themeloi për të parën herë pediatrinë shqiptare dhe e futi atë në rrugën e mjekësisë bashkëkohore.

Ky ishte dr. Jorgji Jorgoni, i cili përfundoi studimet e larta në Vjenë në vitin 1930 dhe aty u specializua në pediatri me vlerësimin maksimal (e gjithë periudha e studimit në mjekësi). Atij i propozojnë të punonte në spitalin e Vjenës, por ai refuzoi për te ardhur  në vendlindjen e tij, për të rimëkëmbur mjekësinë e prapambetur, për te cilën ky vend kishte aq shume nevojë.

Pas çlirimit punon si shef në spitalin pediatri të Tiranës, me vonë punon në poliklinikën qendrore dhe së fundi drejtor në shtëpinë e fëmijëve në Tiranë.

E gjithë jeta e tij ka qenë shembullore. Në shtëpinë e tij kishte një dhomë biblioteke, muret e se cilës plotësoheshin me etazhere që mbanin libra nga me te ndryshmit. Ai ishte enciklopedist, atdhetar, human dhe e ndjente me shpirt profesionin e tij.

Njihen raste kur doktor Jorgoni u thoshte familjareve që ishin në gjendje të keqe ekonomike  se –“ sot kam ditën qe i bej vizitat falas”.

Ndërkohe qe mendoja, mu kujtua një episode në kohen e luftës, ku del në pah atdhetarizmi I tij. Kur  nazistet gjermanë e futen në burg, oficeri gjerman i tha:

Firmosa pushkatimin për ty, por nuk e  dija që ditke gjermanisht, do të kisha përdorur si përkthyes.

Por përgjigja ishte:

Unë nuk e di gjuhen e Hitlerit, por di gjuhen e Hegelit dhe të Getes.

Xhaxhai pasi qëndroi një kohe pa folur lëvizi pak, piu një qetësues dhe pas pak filloi të flasë.

Do te kisha dëshirë që njeri nga djemtë e mi të kishte zgjedhur mjekësinë. Megjithatë nuk është ndonjë peng i madh por unë dëshiroj qe t’i nipi im, që ke emrin e vëllait tim Nikolla, të vazhdosh rrugën time te përkushtimit në mjekësi.

Nuk më vjen keq çfarë ndodhi. Jetës nuk e dihet, do te kisha vdekur në vitin 1944 në burg i dënuar me vdekje nga gjermanët, por fatmirësisht u arratisa e jetova edhe 24 vjet të tjera. Qëllimin tim e kam arritur, unë e jetova jetën, kujtimet ngelin mbrapa, ato prekin njerëzit, ju fëmijët tanë. Së fundi shkoj me mision të përfunduar prej vetes. Gjysh arrita te bëhem, jeta vazhdon.

Qëndroi pa folur, por sytë imbante nga dritarja, sikur priste ndonjë lajm, sikur donte të dëgjonte ndonjë zhurme…apo sikur priste njeri.

Në fakt djali i tij i dytë  Mihali i mungonte. Ai kishte shkuar me shërbim në Kinë për elektrifikim e vendit, kur gjendja e babait ishte e mirë, por që tani ishte renduar shume.

Doktori donte te kishte pranë tij edhe djalin e dyte në ato momente kritike te jetës se tij. E donte aty pranë për ti thënë dy fjale, fjalët e fundit te jetës, dy fjale sot babë e bir, dy fjale burrërie, dy fjale zemre e shpirti, dy fjale pengu, dy fjale besëlidhje midis tre djemve qe te qëndronin te lidhur se bashku dhe se fundmi dy fjale lamtumirë.

Mendja mund ti kishte shkuar tek i ati Perikliu, i cili nderoi jetë në kohen që Jorgji ishte për studime në Athinë, dhe fati i ndodhi Jorgjit qe në këto momente dramatike i biri, Mihali, te mos ndodhej pranë, çfarë koincidence.

Pas një qetësie që kishte pushtuar dhomën, doktori u ngrit pak nga krevati, kërkoi t’i rregullonin e mirë jastëkët dhe tha:

Behu i dobishëm, mos je kryelarte, kij kujdes se ka njerëz që duan të tërheqin në rrugën e tyre. Beso në atë qe te thotë zemra. Kujdesu për familjen.

Pasi u përqafuam me njeri-tjetrin u ndava i mallëngjyer, i trishtuar. Ishte biseda e fundit, ishin orët e fundit të një jete të mundimshme drejt majave të larta  të qënurit njeri i mirë.

Me 24 Maj 1968 u nda nga jeta dr. Jorgji Jorgoni. U largua nga familja, u largua nga profesioni qe nënat Tiranase e kërkonin mjekun e tyre, mjekun e te varfërve. U largua duke lënë një amanet për figurën e njeriut të mirë.

Në krye të kortezhit aq të madh me qytetare (nëna, baballarë, djem e vajza) qëndroja unë i nipi dr. Nikolla, mbaja në duar një jastëk të zbukuruar me kadife te kuqe ku ishin te vendosura dekoratat si: Urdhri i flamurit si dhe urdhrat e punës.

Ka kaluar një kohe e gjate afro 50 vjet nga dita e ndarjes nga jeta e dr. Jorgji Jorgonit. Në treg ka dalë një libër monografik bazuar në ditarin personal ,në kujtimet e fëmijërisë, shkollës, punës, periudhën e luftës  si dhe te jetës.  Hartues te këtij libri janë Prof. Lluka Heqimi dhe Prof. Thoma Kristo te dy mjekë të njohur. Ky qe një ngacmim që unë të kujtoj amanetin, fjalët e fundit te dr. Jorgonit:

  • Behu i dobishëm se njeriu punon, por janë njerëzit që të vlerësojnë ty,
  • Te qepurit mjek nuk do te thotë se je human, por humanizmi te bën mjek;
  • Mos harro dashurinë për njerëzit, ajo është një pasuri e madhe,
  • Dëshiroj të ndjekësh rrugën time,
  • Të mbash emrin e mirë që ka familja. Këto të përcillen brez pas brezi.
  • Nderi mbetet gjithmonë më i madh se shpërblimi.

Dhe kjo porosi është mbajtur. Për punë te mirë në fushën e mjekësisë jam vlerësuar si qytetar nderi i Durrësit si dhe nga presidenti i republikës për arritje shumë të mira në profesionin si mjek.

SHKARKO APP