Amaneti i fundit i aktorit Met Bega

 

Vajza e aktorit të vogël gjigand Meta Bega, Matilda, ka rrëfyer në një intervistë për "Shekullin" amanetin e fundit të babait të saj.

“Rea dhe Gledi, të ndjekin rrugën e artit. Dua që të bëhen artistë”, ky ishte amaneti i fundit që la Met Bega. Mbesa dhe nipi ishin njëkohësisht edhe pika më e dobët e aktorit.

“Amanetin që ai la ishte që fëmijët e mi të ndiqnin rrugën e artit. Do ta mbaj këtë amanet patjetër, aq më tepër që fëmijët e mi i kanë premisat”, rrëfen Matilda Bega.

Nga dëshira e tij edhe mbesa Rea ka filluar të merret me shumë aktivitete artiste dhe është spikatur që ka talent, si tek talent show “Power Kids”.

Sipas Matildës nipërit dhe mbesat e Metit kanë gjak artistik, të trashëguar nga ai.“Vajza ime nuk preket nga emocionet, nga kamerat, e do skenën, është krijuese.

Edhe djali im Geldi kush e shikon thonë ka mimikën e gjyshit. Edhe pse ai tashmë nuk është, babi e ka lënë te nipërit dhe mbesat shpirtin artistik”, ka rrëfyer vajza e tij Matilda.

Aktori i mirënjohur Met Bega u nda nga jeta disa ditë më parë pasi vuante prej kohësh nga Parkinsoni.

SHKARKO APP