Ambasadorët amerikanë që nga viti 1991: Bilanci, pritshmëritë dhe karriera

Nga Afrim Krasniqi

Ambasadori amerikan Donald Lu do të largohet nga Shqipëria në korrik 2018. Emërimi i tij i radhës është në Kirgistan. Ai është nga të paktët midis nëntë ambasadorëve amerikane post 1990 në Shqipëri që merr emërim ambasador direkt pas mbarimit të mandatit në Shqipëri.

Midis ambasadorëve amerikanë që kanë shërbyer nga 1991 në Shqipëri Kristofer Hill ka pasur karrierën më të gjatë dhe më të suksesshme, duke u emëruar në poste të larta diplomatike amerikane në Maqedoni, Koreja e Jugut dhe në Poloni, si dhe në poste të larta të tjera diplomatike.

Karrierë të suksesshme ka pasur edhe James Jeffrey (Xhefri), i cili nga misioni në Tiranë kaloi në misionin e jashtëzakonshëm amerikan në Irak menjëherë pas rënies së regjimit të Sadam atje.

Vendosja e ambasadës amerikane më 1991 mbetet një ngjarje historike për Shqipërinë. Prezenca aktive amerikane ka qenë e mbetet një garanci për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.

Në tërësi ambasadorët amerikanë kanë qenë figura me rol thelbësor e ndikim të madh në jetën politike në Shqipëri. Ata kanë qenë e mbeten figurat më të referuara nga media, nga partitë politike dhe nga grupet kritike qytetare, si dhe njerëz me ndikim të madh në ngjarjet më të rëndësishme politike post 1991.

Mbështetja ose kritika amerikane ka qenë përcaktuese për suksesin ose dështimin e qeverive shqiptare, karrierës së liderëve më të rëndësishëm politikë dhe rotacionet politike në Shqipëri, edhe pse zyrtarisht pala amerikane, përfshirë ambasadorët, nuk janë votues dhe nuk pranojnë ndikim direkt në zgjedhje ose karrierën politike.

Zyrtarisht ndikimi i tyre është shprehur përmes deklaratave publike, raporteve zyrtare, vizitave të zyrtarëve të lartë amerikanë, lobimit pro ose kritik me qeveri e liderë politikë të caktuar, etj.

Nëse do të bënin një ndarje midis preferencave politike shumica e ambasadorëve kanë pasur e kanë mbështetje e simpati nga njëra palë politike (e majtë), pjesa tjetër nga pala rivale politike (e djathtë) dhe vetëm emra të veçantë kanë pasur e kanë mbështetje e simpati nga dy palët politike. Sipas traditës tonë politike simpatia nuk barazohet me meritat, por me përputhjen e qëndrimeve ndaj interesave të mazhorancave apo opozitave të caktuara politike gjatë mandatit të tij.

Ndaj edhe ky vlerësim është subjektiv dhe rrallë ndodh të ketë përputhje me vlerësimin e memories kolektive qytetare e shtetërore.

Tabela ilustrative mbi mandatet diplomatike të ambasadorëve amerikanë, afati kohor, karriera, ecuria më pas e saj, është shoqëruar për herë të parë edhe me tre elementë të tjerë: arritja më e madhe e Shqipërisë gjatë mandatit të tyre, dështimi më i madh gjatë ose kritika më e madhe gjatë mandatit, si dhe nëse shteti shqiptar ka nderuar kontributin e tyre me dekoratë.

Të dhënat janë të larmishme dhe treguese se shteti ynë ka shfaqur raporte preferenciale në varësi nga raportet midis Presidentit apo mazhorancave qeverisëse ndaj ambasadorit në detyrë, sic edhe një pjesë e atyre që konsiderohen dështime / kritika nuk janë faturë e përgjegjësi direkte e palës amerikane, por kryesisht janë përgjegjësi e faturë e palës shqiptare.

Ambasadori Lu ka qenë i vetmi ambasador që ka folur gjuhën shqipe gjatë ushtrimit të mandatit, kryesisht edhe për shkak të vonesës administrative që pasoi periudha nga emërimi tek marrja reale e detyrës së tij. Ambasadori Arvizu mbetet ambasadori me periudhën më të gjatë të shërbimit në Shqipëri. Ambasadori Limprecht pati ndarje tragjike nga Shqipëria.

Ka një tezë politike për vendet e vogla në tranzicion: sa më të fortë e ndikues të jenë ambasadorët në një vend sovran, aq më të dobta mbeten institucionet vendore dhe aftësia e vendit për të krijuar sistem funksional qeverisëse në plan afatshkurtër.

Roli i ndërkombëtarëve në vende të vogla është sa pozitiv aq edhe i kalkuluar me interesat e vetë aktorëve ndërkombëtarë, interesi që shpeshherë në vend të modelit demokratik si burim stabiliteti afatgjatë preferojnë edhe modelin e stabilitetit afatshkurtër në kurriz të demokracisë.

Por ndryshe nga tradita, në Shqipëri gjithashtu gjërësisht me të drejtë besohet se roli i ndërkombëtarëve, sidomos i SHBA e BE mbetet unik, jetik dhe përcaktues për progresin shtetëror dhe integrues.

Kjo edhe për shkak të teorisë së kompensimit, – kur një vend ka ambasadorë të huaj të fortë dhe ndikues kjo do të thotë se elitat e tij politike janë të dobta, të korruptuara dhe të paqëndrueshme, – një tezë që besohet nga shumica qytetare edhe këtu, në vendin zyrtarisht më anti-amerikan gjatë 1948-1990 dhe më pro amerikan pas 1991 e në vijim.

SHBA pati rol përcaktues në njohjen shqiptare 1920, në fitoren e Luftës së II Botërore, në rënien e sistemit komunist (1989-1990), në çlirimin e Kosovës 1999 dhe në futjen e Shqipërisë në NATO 2008.

Ndaj çdo ambasador e diplomat amerikan që vjen në Shqipëri, gjen mikpritje të madhe, por ka edhe pritshmëri të mëdha, shpeshherë më të mëdha sesa mundësitë, kapacitetet dhe mandati i tij.(ISP)

SHKARKO APP