Anagnosti rikthehet në vendlindje me “Oskari dhe tezja Rozë”
Në skenën ku doli për herë të parë dhe u formua si aktore, në qytetin e saj të lindjes, u rikthye plot emocione.
Roza Anagnosti, e cila vetëm pak javë më parë festoi 75 vjetorin e lindjes në Shkodër, këtë herë erdhi përpara publikut të këtij qyteti me pjesën“Oskari dhe tezja Rozë”.
Me sloganin“Nëse asgjë nuk mund të na shpëtojë nga vdekja, të paktën dashuria të na shpëtojë nga jeta”, ajo solli një interpretim brilant, me mesazhe të forta përkrah aktorëve të rinj Françeska Hysi, Franc Bregu dhe Juxhin Plovishti.
Vepra tregon historinë e Oskarit, një djalë i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve sepse vuan nga leuçemia.
As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen, por është tezja Rozë, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, që fillon të bisedojë me të drejtpërdrejtë.
Për ta argëtuar pak Oskarin, ajo i propozon një lojë: të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vite.
Anagnosti e quan të rëndësishme që këtë vepër ta ndjekin dhe përjetojnë spektatorët, sepse mesazhi i saj është domethënës.
E natyrisht ngarkesa emocionale që ajo përjetoi në teatrin “Migjeni” e bëri dyfish më impenjuese këtë vepër.
Anagnosti: E kemi bërë me shumë dashuri sepse besimi është për të gjithë te Zoti, por besimin te njeriu, besimin që duhet të kemi te njëri-tjetrin. Ka mesazhe, është një autor francez me një psikologji jashtëzakonisht të hollë dhe futet në mënyrë të natyrshme gradualisht në botën njerëzore.
“Oskari dhe tezja Rozë”është historia e shkruar nga Eric-Emmanuel Schmitt dhe dramatizuar nga Chris Simion- Mercurian, e cila do të vijë në skenën e “Migjenit” edhe të shtunën në mbrëmje.
/Ora News