Analiza/ A po e infekton edhe demokracinë koronavirusi? Dy kërcënimet e mundshme që paralajmërohen
Pyetja e momentit është nëse nga koronavirusi po infektohet edhe demokracia. Në një kohë që të trembur nga përhapja e pandemisë, njerëzit thjesht zbatojnë masat drastike të marra nga qeveritë e vendeve ku ata përkasin, shtrohet pyetja çfarë do ndodh më tej?
A rrezikohemi që këto masa drastike, funksionale në këtë situatë të jashtëzakonshme, mund të na shoqërojnë edhe më tej, në ndonjë tjetër moment që vetë qeveritë mund ta cilësojnë si “cënues”?
Frika se disa nuanca diktature (nga e cila veçanërisht Europa ka shpëtuar kohë më parë) gjejnë hapësirë për t’u rikthyer, ekziston për të gjithë. Zgjedhjet janë shtyrë në shumë vende të botës, parlamentarët e kanë kanalizuar punën online, gjykatat merren vetëm me çështje thelbësore, liria e lëvizjes është pezulluar apo kufizuar drastikisht, e ndërsa njerëzit punojnë nga shtëpia.
Shqetësime të ndryshme janë ngritur për masat e planifikuara nga qeveria hungareze, që do të “sundojë” me dekret të pacaktuar, gjendjen e jashtëzakonshme të koronavirusit. Ndërsa rrjedha normale e jetës ka kaluar në plan të dytë,po ashtu janë ngritur shqetësime nëse të drejtat themelore të njeriut po shkelen.
Michal Simecka, një eurodeputet sllovak u shpreh për EUobserver se është e ligjshme, proporcionale dhe e kuptueshme që qeveritë po marrin masa emergjente, në një moment kur çdo orë është me peshë për jetën e njeriut. Por, në planin afatgjatë, Simecka paralajmëroi dy kërcënime të mundshme.
“Së pari, është një pretekst i përsosur për politikanët që të centralizojnë pushtetin. Së dyti, kërcënues është fakti nëse këto masa do të tërhiqen mbrasht kur kjo periudhë pandemike të përfundojë” shtoi eurodeputeti sllovak.
“Ky lloj pushteti i jashtëzakonshëm ka tendencë të ngjitet edhe më lart. Kur politikanët kanë këto fuqi në duar, ata mund të hezitojnë të kthehen në proceset demokratike. Duhet të jemi vigjilentë” tha Simecka në një telefonatë nga Bratislava.
Aktualisht rreth 15 shtete anëtare të BE-së kanë prezantuar gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa vendet e tjera morën masa të rrepta, por kanë shpallur një emergjencë kombëtare.
Qeveria e Partisë Ligji dhe Drejtësia në Poloni ka refuzuar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, për shkak të zgjedhjeve presidenciale të caktuara në 10 maj, që nuk dëshiron t’i shtyjë.
Mbështetja për presidentin aktual, Andrzej Duda, i ka qenë në rritje që nga shpërthimi i pandemisë, ndërsa kandidatët e opozitës nuk mund të bëjnë fushatë.
Ekspertët paralajmërojnë se përpjekjet për të zbutur shpërthimin e pandemisë por edhe nevojën për të mbrojtur normat demokratike nuk duhet të bien ndesh me njëri-tjetrin.
Megjithatë, nervozizmi për potencialin e masave të reja është përhapur kudo.
“Ne po shohim një numër masash që çmontojnë kontrollet dhe ekuilibrat që garantojnë vazhdimësinë e demokracisë” tha Sergio Carrera nga Qendra për Studime të Politikave Europiane për EUobserver.
Carrera tha se kriza aktuale prek kaq shumë aspekte të të drejtave të qytetarëve – lirinë e grumbullimit, privatësinë, të drejtën për të lëvizur brenda vendit dhe në shtetet e Bashkimit Europian, të drejtën për jetën familjare – sa që efektet e përgjigjeve të politikës në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtat themelore, do të duhet të ndiqen nga afër, në mënyrë që ato të mos shkojnë shumë larg.
“Është gjithashtu e rëndësishme që shoqëritë të mos humbasin pikëpamjet kritike dhe zërat mbi mënyrën se si qeveritë po veprojnë në emër të koronavirusit” shtoi Carrera.
Sipas tij, të gjitha vendet që kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme duhen monitoruar nga afër, ku një pjesë e monitorimit duhet të bëhet nga komisioni i BE-së, veçanërisht në aspektin e lëvizjes së lirë.
Nga ana tjetër, masat që vendet anëtare po të Bashkimit Europian kanë ndërmarrë nuk do të kishin qenë të mundura pa mikpritjen pozitive të qytetarëve, tha një tjetër ekspert, Uwe Puetter, për EUobserver, duke vlerësuar në këtë mënyrë, edhe pushtetin e vetë qytetarëve, për t’u dakordësuar me masat drastike.
Puetter tha gjithashtu se ishte i shqetësuar për masat e propozuara në Hungari – dhe se për shkak të menaxhimit të krizës koronavirus, nuk ka asnjë reagim nga Bashkimi Europian, i cili mund të jetë i rrezikshëm.
Komisioni i BE-së, deri më tani ka thënë se po monitoron zhvillimet në Hungari, por nuk ka pranuar të komentojë propozimet specifike./ SCAN