Analiza ekonomike – Viti i vështirë 2019
Nga Enio Civici
Mbetet pas një vit i cili ka ngjasuar shumë pak me normalen. Pothuaj fundi i një dekade relativisht sfiduese për rrugën e brishtë dhe të kërcënuar të zhvillimit të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. E fokusuar në luftën politike dhe paqartësinë e rrugës europiane, Shqipëria e vitit 2019 ishte cirku i debateve të zgjatura dhe jo eficente të partive politike shqiptare dhe shumë pak “agora” e përplasjeve të ideve të përqendruara në rritje ekonomike. Të kërkoje politika zhvillimore në vitin që po lëmë pas ishte një mision pothuajse i pamundur. Por edhe në këtë ambjent armiqësor ndaj ndryshimit pozitiv, përsëri nuk ishin pak ato institucione, sipërmarrës apo individë të cilët insistuan në frymën e duhur që duhej të dominonte ajrin e Shqipërisë. Nën fuqinë e kësaj fryme ishte dhe SCAN.
Nëse kujtojmë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti, ato do të renditeshin në këtë formë: mbyllja e lojërave të fatit, “djegia” e mandateve të opozitës, protesta të shumta në rrugët e kryeqytetit, surpriza e hidhur e moshapjes së negociatave me BE, zgjedhje vendore monopartiake, një “boom” turistik i papërballueshëm, ligje të çuditshme fiskale dhe partneritet publik-privat i pamasë e jo transparent, nisja e fluturimeve të Air Albania, tregues fiskal të zvogëluar, stanjacion i pagave dhe pensioneve, forcim shpresëdhënës i tregut financiar, funksionimi i stadiumit të ri kombëtar, dy tërmtete shkatërrimtare dhe vrastare, krijimi i spak si një hap më shumë i reformës në drejtësi. Këto janë vetëm disa nga ngjarjet themeltare të vitit që po lëmë pas, por në gjithësinë dhe ndërlikimin e tyre pasqyrojnë dinamikën ekstroverte të një shteti dhe shoqërie që dëshpërimisht po kërkon të dalë nga periudha e ashtuquajtur “tranzicion”. 2019 mund të quhet dhe viti i sfidës, të cilin shqiptarët duket se e kaluan, ndoshta jo me sukses, por patjetër duke fituar eksperiencën e një shteti jo dhe aq të ri por që ekziston nën konceptin e demokracisë, tregut të lirë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Viti 2019 solli disa nga zhvillimet më të rëndësishme në afërsisht një dekadë për sistemin bankar shqiptar. Pas përpjekjesh disavjeçare, kreditimi iu rikthye rritjes me ritme domethënëse, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në vlera njëshifrore, për herë të parë që nga viti 2009. Segmenti i individëve vazhdoi të udhëhiqte rritjen e kreditimit, në ndjekje të një tendence pozitive disavjeçare. Por, ai që i ka dhënë shtysë më domethënëse kreditimit këtë vit ka qenë segmenti i biznesit, që i është rikthyer rritjes pas një periudhe disavjeçare në rënie. Ndërkohë që tregu financiar vazhdon të jetë i dominuar nga bankat, edhe këtë vit vijuan përpjekjet për të zhvilluar tregjet e kapitalit. Bursa Shqiptare e titujve, ALSE, hyri në vitin e dytë të aktivitetit në tregtimin e titujve të qeverisë shqiptare dhe me licensimin tashmë bursa është gati për t’i shërbyer shumë shpejt edhe kompanive private. Ashtu si në vitet e tjera, sektori financiar dhe ai bankar më në vecanti mbajtën flamurin e stabilitetit dhe rritjes në vendin tonë.
Nuk mund të parashtrohet ngjashëm cështja kur flasim për financa publike. Viti 2019 u karakterizua nga zvogëlim i të ardhurave në buxhetin e shtetit si një tregues i qartë i dobësimit të aktivitetit të operatorëve ekonomikë në treg. Arsyet ishin sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare. Edhe pse nuk ishin të pakta tentativat nga ana e qeverisë për “shëndet të mirë financiar” të biznesit dhe individëve, përsëri rezultatet ishin jo të plota. Për pasojë vuajtën jo vetëm treguesit kryesor makroekonomikë si rritja apo inflacioni por gjithashtu potenciali i nënvlerësuar i ekonomisë tonë në terma thellësisht mikroekonomikë.
Në anën tjetër panorama ishte e turbullt dhe në rrafshin e investimeve publike apo përmirësimeve infrastrukturore. Pak nga rrugët e parashikuara në buxhet përfunduan dhe pjesa tjetër e tyre u përfshi në vorbullën dhe debatet e praktikave të njohura si PPP. Gjithsesi, shoqëria dhe ekonomia shqiptare arritën të sigurojnë një linjë ajrore shqiptare, një stadium të ri kombëtar, disa akse më në fund funksionale si dhe pritshmëritë për modernizim të mëtejshëm të rrjeteve të transportit.
Për sa i përket ekonomisë reale, ajo e cila është më e prekshmja e familjeve shqiptare, shumë pak ndryshoi në 2019-ën. Viti që lamë pas regjistroi ngrirje të nivelit të pagave si dhe arriti të sigurojë vetëm indeksim të pensioneve. Taksat ndaj punës apo të ardhurave personale vazhduan të rëndojnë “brezin” e profesionistëve ndërsa kapitali dhe biznesi arriti të siguronte një zvogëlim të taksës së dividendit duke e konsideruar një frymëmarrje më shumë për të gjithë punëdhënësit në Republikën e Shqipërisë. Edhe pse politikat publike në shërbim të rritjes së të ardhurave të shtetasve, e për pasojë rritjes së mirëqenies së tyre, nuk shkelqyen ne vitin 2019, përsëri ata pak u goditën në aftësinë e tyre për të gjeneruar të ardhura. Shqiptari i mesëm në vitin 2019 kishte pothuaj të njëjtën pasuri si më parë, me pak mundësi për ta rritur por pothuajse me aspak kërcënime për ta humbur.
Këto dhe shumë aspekte të tjera të jetesës në Shqipëri përbën boshtin e debateve ekonomike dhe politike të vitit 2019. Sigurisht që nuk janë pak por ende zveniten nën ritmet e terminologjive dhe praktikave moderne me të cilat po përballet dhe po përshtatet i gjithë planeti. Por edhe këtu Shqipëria e gjeti rrugën në vitin 2019. Si kurrë më parë, me lajme herë pozitive dhe herë negative, vendi ynë ja doli të ishte në krye të edicioneve të lajmeve të të gjithë botës. Një vëmendje e cila në të ardhmen duhet të kthehet në burim force dhe inovacioni si formula e vetme e suksesshme për një shtet dhe shoqëri të vogël, konkuruese vetëm me ide.
Edhe pse po lëmë pas një vit shumë të vështirë, nuk duhet të shohim dritëhije në objektivat për vitin e ardhshëm. 2020 premton të jetë njësoj sfidues si ai që lamë pas, por këtë herë me më shumë eksperiencë të fituar. Reforma në drejtësi, konsolidimi dhe zhvillimi i tregut financiar, paqja dhe stabiliteti politik, rritja e mirëqënies së shtetasve, zvogëlimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve si dhe udhëheqja largpamëse kundrejt rajonit dhe Europës duhet të jenë shtyllat mbi të cilat do të ngrihet Shqipëria e vitit 2020. Për këtë le të punojmë të gjithë, me besim dhe sakrificë, për të treguar se jemi një popull dhe shtet i të ardhmes.
Material i përgatitur nga portali SCAN