Analizë/ Kur dhe si do të mbarojë pandemia e koronavirusit?!

Me rastet e konfirmuara të Covid-19 që tejkalojnë globalisht 1 milion e më shumë të prekur, si dhe me vendet që hyjnë në bllokim total për të ngadalësuar pandeminë, pyetja që lind është: “Kur do të përfundojë gjithçka?”

Përgjigja varet kryesisht nga paqartësitë në lidhje me të panjohurat që na paraqet gjithnjë e më shumë ky virus, duke vonuar kështu dhe procesin e një vaksine të mundshme. Një faktor tjetër, tejet i rëndësishëm, që përcakton dhe fundin e kësaj pandemie është kostoja që Covid-19 shkakton si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe ajo politike.

  1. Pra, si mund të përfundojë kjo gjendje e krijuar?

Ekziston një konsensus se pandemia do të përfundojë vetëm me vendosjen e të ashtuquajturit imunitet të tufës. Kjo ndodh kur njerëz të mjaftueshëm në një komunitet mbrohen nga një patogjen që lufton virusin. Mirëpo ka dy mënyra për të arritur në të tilla rezultate. Njëra është imunizimi. Studiuesit do të duhet të krijojnë një vaksinë efektive kundër koronavirusit, ndërsa rruga e dytë lidhet pikërisht me imunitetin e tufës, ku lindja e një patogjeni zhvillon një rezistencë më të madhe në organizmin e një pjese të madhe të komunitetit.

  1. Si të mbërrijmë deri aty?

Për shumë vende, strategjia është bllokimi i lëvizjeve për të ngadalësuar në mënyrë efektive përhapjen e pandemisë, mbylljen e bizneseve dhe shkollave, ndalimin e tubimeve dhe izolimin e njerëzve në shtëpi. Qëllimi është parandalimi i një shpërthimi të madh të infeksioneve që mposhtin sistemin mjekësor, duke shkaktuar vdekje të tepërta ndërsa kujdesi është i racionuar. “Rrafshimi i kurbës” kërkon krijimin e kapaciteteve për testime, për gjurmimin e kontakteve të atyre që janë të infektuar dhe për trajtimin e të sëmurëve, duke zgjeruar ambientet spitalore, përfshirë ventilatorët dhe njësitë e kujdesit intensiv.

  1. Kur mund të lirohen kufizimet?

Askush nuk duhet të presë që t’i rikthehet shpejt normalitetit. Autoritetet në Kinë filluan të rihapin qytetin e Wuhan, ku filloi pandemia, dy muaj pasi u izolua tërësisht nga bota, duke shënuar kështu masat më të rrepta të marra kudo tjetër. Zëvendës shefi i mjekësisë në Angli, Jenny Harries, tha se masat e bllokimit duhet të zgjasin dy, tre ose, në mënyrë ideale, deri në gjashtë muaj. Annelies Wilder-Smith, një profesore e sëmundjeve infektive në zhvillim në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, rekomandon që kufizimet të vijojnë të jenë të rrepta, derisa rastet ditore të bien vazhdimisht për të paktën dy javë.

  1. Por çfarë do të ndodhë deri atëherë?

Një grup specialistësh të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara, bëjnë thirrje për një fazë të ndërmjetme në të cilën shkollat ​​dhe bizneset do të rihapen, por tubimet do të ishin akoma të kufizuara. Njerëzit do të vazhdojnë të mbajnë distancën nga njëri-tjetri, dhe ata me rrezik të lartë do të këshillohen që të kufizojnë kohën e tyre në publik. Nëse rastet fillojnë të rriten përsëri, kufizimet do të forcohen. Raporti i tyre, i publikuar nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve të Biznesit, është me siguri më optimist sesa e ardhmja e parashikuar nga studiuesit në Imperial College London, ku modelet e tyre sugjerojnë që për të paktën dy të tretat e kohës deri sa të vendoset imuniteti i tufave, të gjitha familjet do të duhet të zvogëlojnë kontaktin me shkollat, vendet e punës ose publikun me 75%. Në çdo rast, disponueshmëria e përhapur e testimit është e rëndësishme në këtë fazë. Në zemër të planit amerikan: të paktën 750,000 teste në javë.

  1. Pse është kaq i rëndësishëm testimi?

Ky virus po shkakton kaq shumë dëme, jo sepse është i rrezikshëm por sepse është i padukshëm, duke infektuar kështu shumë prej atyre që vijojnë ende punën e tyre të përditshme, duke e përhapur kështu virusin padashje tek të tjerët. Ky fakt e bën jetik testimin në masë të popullsisë, për të gjithë ata që shfaqin simptoma.

  1. Sa kohë kërkon prodhimi i një vaksine?

Dhjetëra kompani dhe universitete në të gjithë botën po punojnë për të, por nuk ka asnjë garanci se kur do të prodhohet. Zhvillimi i vaksinave normalisht është një proces i gjatë dhe kompleks që përfshin vite të tëra testimi për të siguruar që vaksina të jetë efektive. Në luftën me koronavirusin, disa nga studiuesit synojnë të prodhojnë një vaksinë nga 12 deri në 18 muaj, me një qëllim jashtëzakonisht ambicioz. Shkencëtarët mbështeten në teknologji të reja, si ato që shtojnë material gjenetik viral në qelizat njerëzore, duke i nxitur ata të bëjnë proteina që nxisin një përgjigje imune. Disa specialistë të vaksinave besojnë se qeveritë, qytetarët dhe investitorët duhet të jenë realistë dhe mos abuzojnë me optimizmin e tyre, pasi nuk është e qartë nëse metodat që po përdoren për prodhimin e tyre do të funksionojnë.

  1. Po në lidhje me rrugën e dytë për imunitetin e tufës çfarë ndodh?

Së pari, do të ndodhte vetëm nëse shërimi nga një infeksion i lë njerëzit me imunitet të qëndrueshëm. Ende nuk dihet nëse ndodh kështu me koronavirusin e ri. Pjesa e një popullate që duhet të ekspozohet ndaj virusit për të vendosur imunitetin e tufave është gjithashtu e panjohur. Në përgjithësi, është e lartë, për shembull 75% për difterinë dhe 91% për fruthin. Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë amerikane, vlerësoi shifrën në 60% në shkurt. Koha që do të duhet për të arritur në pragun e nevojshëm do të varet nga masat që qeveritë vendosin në përgjigje të pandemisë. Pa kufizime të rrepta, do të kishim një numër më të lartë vdekshmërie si dhe sisteme shëndetësore të mbingarkuara. Disa studime supozojnë se numri aktual i infeksioneve është shumë më i lartë se rastet e konfirmuara. Nëse kjo është e vërtetë, vendet janë më afër imunitetit të tufave nga sa supozohet.

  1. A ka skenarë të tjerë të mundshëm?

Nëse do të jemi me fat, virusi mund të zbehet me fillimin e verës në hemisferën veriore, ku paraqiten dhe shumica e rasteve, skenar i cili bazohet në krahasimin me shpërthimin e gripit sezonal i cili zhduket me ndryshimet stinore. Mirëpo, në raport me koronavirusin ky skenar mbetet ende për tu parë pasi ende nuk dihet se çfarë roli do të luajë moti i ngrohtë në zhdukjen e këtij virusi, ndërkohë që supozohet gjithashtu se edhe nëse shpërthimi zvogëlohet, mund të rikthehet sërish në vjeshtë. Pikërisht, nga gjithë këto të panjohura, studiuesit besojnë të arrijnë zbulimin e një terapie ultra efektive ose një kure të mundshme.

Burimi: Bloomberg

/ SCAN

SHKARKO APP