Anastasia në Tiranë, një mesazh kurajoje për gratë shqiptare
Këngëtarja amerikane me famë botërore, Anastasia, do të performojë nesër në një koncert live, në Tiranë.
Në faqen zyrtare të këngëtares, është njoftuar se koncerti i saj në Tiranë do të jetë më 25 gusht, ora 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, kuAnastasia do të ndalet pas koncertit të Austrisë, në vijim të turit të saj “Resurrection”, të shtrirë thuajse në të gjithë Europën.
Është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e turit ndërkombëtar promovues të një artisteje të përmasave të tilla. Anastasia ka përgatitur një sërë performancash koreografike për të shoqëruar këngët e albumit që do të prezantojë. Dikur ajo ka qenë një balerinë e suksesshme, gjë që i jep mundësinë të ofrojë në skenë një shfaqje të mrekullueshme baleti dhe energjie. Një artiste e skenave live, një këngëtare e hiteve botërore, e cilësuar nga kritika si “zonja e vogël me zërin e madh” apo “këngëtarja e bardhë me zërin e zi”.