“Anemia në sëmundjet kronike të veshkave” botim me vlera shkencore i Dr.Arjan Hamitit

Profesorë dhe akademikë të shquar vlerësojnë veprën shkencore që ju vjen në ndihmë Mjekëve të Familjes

Nga Halil RAMA

Botimi më i ri i Dr.Arjan Hamitit është një udhërrëfyes, që nëpërmjet informacionit dhe përshkrimit të praktikave mjekësore bashkëkohore, do ndihmojë Mjekët e Familjes dhe specialistët në diagnostikimin e hershëm të të sëmurëve me anemi në Sëmundjet Kronike të Veshkave. Për rëndësinë e kësaj vepre flet qoftë dhe prezenca në promovimin e saj në Akademinë e Shkencave e dhjetra profesorëve e akademikëve në fushën e mjekësisë, si: Nestor Thereska, Isuf Kalo, ish-Presidenti i RSH Bamir Topi, Rektori i Universitetit Mjekësor, Prof.Arben Gjata, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, Zëvendësministri i Arsimit dhe Sporteve Rauf Dimraj, Zëvendësministrja e Punës e Çështjeve Sociale, Vjollca Braho, Prof. Agron Ylli, Prof. Xheladin Ceka, Prof. Medi Ali Mehmeti, Prof.Arben Ivanaj, Prof. Edmond Pistulli, Dr. Llesh Rroku, Dr. Panajota Konomi, nënkryetarët e Bashkisë Tiranë, Abaz Hado e Andi Seferi, si dhe disa personalitete të tjera të botës akademike nga hapësira mbarëshqiptare.

Vlerat njerëzore çmohen kështu nga njerëzit e mençur. Kjo sentencë, bashkudhëtare e historisë së njerëzimit, gjeti mishërim të plotë gjatë këtij promovimi ku elita intelektuale mjekësore vlerësoi veprën shkencore të një prej personaliteteve më në zë të mjekësisë shqiptare.

Së pari, Prof.Nestor Thereska, si recensent i librit, do të vlerësonte veprën e Dr.Arjan Hamitit në një aspekt elitar, por dhe dimensionin njerëzor të tij në Shekullin e sotëm që njihet si “Shekulli i Veshkës”. Duke u ndalur më konkretisht në meritat e autorit, ai vlerësoi informacionin teorik por dhe studimin skurpuloz në praktikën mjekësore, rezultatet dhe konkluzionet, rekomandimet dhe referencat që përbëjnë targetin që duhet arritur në kurimin e anemisë. Si i tillë ky libër u vlerësua edhe nga prof.Isuf Kalo, që sipas tij është një udhërrëfyes për klinikat më të mira.

Ndërsa ish-Presidenti i RSH, Bamir Topi vlerësoi kontributin në aspekin social, shoqëror dhe politik, si një dimension i ri i Dr.Arjan Hamitit. Kjo për faktin se megjithë angazhimin si Administrator dhe veprimtar shoqëror, Dr.Hamiti nuk i është ndarë profesionit. Sipas z.Topi, libri “Anemia në sëmundjet kronike të veshkave” është një analizë thellësisht shkencore për një sëmundje që shpesh neglizhohet. Ndërkohë, Presidenti e themeluesi i PDIU, Tahir Muhedini, pasi i shprehu mirënjohjen për konributin në mbrojtje të çështjes çame,  e lidhi rëndësinë e veprës së tij shkencore me auditorin e shkëlqyer në të cilin ajo u promovua.

Si doktor i shkencave mjekësore, por dhe si administrator i Njësisë Administrative Nr.10 të Bashkisë së Tiranës, Arjan Hamiti demonstron një model të ri sjelljeje dhe përkushtimi ndaj bashkëqytetarëve të vet. Këtë e dëshmon edhe me këtë vepër dinjitoze shkencore, të mbështetur në të dhënat statistikore, të cilat janë ballafaquar me standardet të bazuara në K-DOQI  standard dhe evidence shkencore. Në libër shtjellohen disa aspekte të trajtimit të anemisë, por disave, si psh vlera “target” për Hemoglobinën iu kushtohet një rëndësi e veçantë. Kjo për faktin, se gjatë përvojës së tij si mjek, në praktikën mjekësore e veçanërisht në atë laboratorike, Dr.Arjan Hamiti ka vërejtur se kjo patologji (SKV) paraqet një problematikë aktuale, sa shkencore dhe ekonomiko-sociale.

Dr.Arjan Hamiti, i diplomuar për Mjekësi, që para 30 vitesh, i specializuar për “Mjek laborant” dhe që mban gradën “doktor i shkencave”, vjen me këtë botim, pas një përvoje të vyer si mjek në spitalin e Librazhdit dhe si shef i Shërbimit Spitalor-Peqin; si Shef Laboratori në Poliklinikën Nr.6-Tiranë dhe si mjek në DRSH, Tiranë. Ai ka kryer disa kualifikime në fushën laboratorike, si në përdorimin e aparaturave bashkëkohore laboratorike të zhvilluar nga Banka Botërore dhe nga qeveria italiane. Nga viti 2004 e në vazhdim është pedagog i jashtëm në Fakultetin e “Shkencave Mjekësore Teknike”, Tiranë. Për veprimtarinë bamirëse ndaj komunitetit të dhënë pranë Klinikës Mjekësore “HIPPOCRATI” është dekoruar me Titullin “Ambasador për Paqen”, nga Universal Peace Federation. Personaliteti dhe karakteri i tij në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos dinjitoz për më shumë se tre dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të shkencave mjekësore. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, si intelektual bashkëkohor, demokracinë e konsideronte sfidë ndaj sistemit që u shemb; sfidë në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje. Thelbi i mendimit dhe veprimit të tij ishte vetëm konkurrenca në vlera. Ai besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme. I qetë, i pjekur, shumë i kulturuar nuk pajtohej me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore, por mbante qëndrim. Shpërthyes dhe autoritar në ndëshkimin e tij individual, sepse përherë qëndronte në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit. Kuptohet ai ishte individ dhe jo institucion, por idetë dhe praktika e tij mund t’i shërbenin shumë një institucioni, një misioni. Këto cilësi i manifestoi dukshëm edhe si Shef  i KEMP-it, Tiranë në vitet 2006-2013. Aktualisht, me botimin e ri synon të vlerësojë korrelacionin biomjekësor të Anemisë në Sëmundjet Kronike të Veshkave dhe trajtimin bashkëkohor të Anemisë tek të sëmurët me SKV. Për Dr.Arjan Hamitin, “Është e qartë, që trajtimi me Eritropoetinë (ilaç, sot i rimbursueshëm nga shteti) duhet të konsiderohet tek të gjithë grupmoshat, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës por, me depistimin dhe diagnostikimin e hershëm të SKV tek moshat e reja, përdorimi i Eritropoetinës merr një rëndësi të veçantë”. Në bazë të rezultateve të studimit jepen disa rekomandime për trajtimin e Anemisë tek të Sëmurët Kronikë të Veshkave që kanë si qëllim të ndihmojnë mjekun e shërbimit primar apo sekondar në identifikimin e të sëmurëve me SKV dhe të atyre që kanë nevojë për një mjekim specifik të Anemisë.

SHKARKO APP