Anijet e mbytura të Perandorisë romake në detrat shqiptare, pjesë e projektit te Universitetit te Oksfordit

Zbulimet nënujore në detrat shqiptare janë tashmë pjesë e një projekti mjaft ambicioz të drejtuar nga Universiteti i famshëm i Oksfordit në Angli.Ky projekt ka si qëllim krijimin e një data base të të gjitha anijeve të periudhës së Perandorisë Romake të zbuluara deri më sot në Mesdhe.

Mbledhja e informacionit të vendodhjes së këtyre anijeve të mbytura si dhe studimi i objekteve tregtare apo civile të zbuluara në to, janë pjesë e këtij studimi.

Krahasimi i materialeve të zbuluara në anijet e mbytura jep mundësi për të kuptuar hapësirat tregtare të Perandorisë romake, mallrat si dhe qytetet e specializuara në prodhimin e këtyre mallrave.

Po kështu këto të dhëna tregojnë lidhjet e tregtarëve romakë me hapësirat jashtë kësaj perandorie e sidomos Persinë antike dhe rrugën e famshme të mëndafshit, e cila sillte mallra ekzotike nga Kina e largët.

Në Projektin e Universitetit të Oxfordit tashmë janë vendosur edhe anijet e mbytura të periudhës romake, të zbuluara vitet e fundit nga ekspedita shqiptaro­amerikane e kërkimeve nën­ujore.

Anijet e identifikuara nga shkencëtarët amerikanë apo roboti i anijes Herkules, tregojnë se brigjet e Ilirisë antike kanë qenë mjaft të frekuentuara nga tregtarët e kohës, duke shkëmbyer mallra të ndryshme. Është hera e parë, që zbulimet nën ujore shqiptare pasqyrohen në projektin e Universitetit të Oxfordit duke bërë të mundur tërheqjen e vëmendjes nga mjaft shkencëtarë dhe arkeologë që studiojnë periudhën romake. Këto zbulime janë bërë të mundura nga Fondacioni Amerikan RPM Nautical Foundation, Instituti i Arkeologjisë dhe Qendra Shqiptare e Kërkimeve Detare.(Express)

SHKARKO APP