Ansambli Mirdita, ky altar vlerash dhe traditash burimore

Nga: Albina Gjergji

 

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani ka dekoruar me titullin, “Mjeshtër i Madh” Ansamblin “Mirdita”, si një nga ansamblet më emblematike të trevave shqiptare. Me motivacionin, “Për ndihmesë të veçantë në ruajtjen, interpretimin dhe përcjelljen ndër breza të folklorit të Mirditës”, ky titull u akordua nën një ceremoni speciale, organizuar nga Presidenca. Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani në këtë ngjarje shumë domethënëse për artdashësit vlerësoi kontributin e madh që treva e Mirditës ka përcellë brez pas brezi, të cilët me artin dhe traditat burimore kanë pasuruar fondin e artë të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar. Në fjalën e tij, Presidenti inkurajoi Ansamblin “Mirdita” që të mos reshtë përpjekjet për të çuar më tej këtë traditë të shkëlqyer të krijuar dhe t’i shërbejë me devotshmëri, siç ka bërë deri më sot, nxitjes dhe promovimit të vlerave kulturore të zonës së Mirditës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Emocionet e forta të kësaj ngjarjeje kulturore kanë qenë të pranishme tek të gjithë pjesëmarrësit pa përjashtim, tek emigrantët artdashws që kishin ardhur enkas për këtë datë, tek të rinjtë e të rejat, pjesë e ansamblit, tek të vegjlit që këndonin e kërcenin me prindërit e tyre, tek personalitetet e ftuara, individë kontributorë e veçmas Nikolin Jakaj, apo Gjon Mëlyshi. Por… më të forta këto emocione kanë qenë te drejtuesi i këtij Ansambli, i cili jetën e tij duket se ia ka dedikuar pikërisht kësaj krahine dhe vlerave të padiskutueshme të vendlindjes së tij, Mirditës. Pikërisht, lidhur me vlerësimin që z. Nishani i bëri Ansamblit “Mirdita”, për Titullin që iu dha pas vdekjes, kompozitorit, Dorian Nini, këngëtarit Fran Vorfi dhe Kol Picakut, z. Marku ndan me lexuesin e gazetës “Koha Jonë” eksperiencën e bukur të asaj dite, si dhe na jep leksione të vërteta mbi vlerën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore-artistike.

Ansambli “Mirdita” para pak ditësh u nderua me çmimin “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Na flisni pak për emocionet e kësaj ngjarjeje dhe si e përjetuat ju personalisht?

Për të qenë realist, më shumë se kurrë jam ndjerë me emocion të fortë. Sepse nuk kishte të bënte thjeshtë me mua si drejtues i këtij ansambli unikal në Shqipëri për ta marrë në anën formale zyrtare atë titull, por me një histori të gjatë të shkruar me mund e sakrificë nga qindra bartës të folkut, apo drejtues të kulturës ndër vite, ndaj ato momente kisha një barrë të madhe përgjegjësie, por pse jo dhe me fat. Dua ta besoj sentencën se, “dikush nga lart të shikon për punën që bën”, por se Zotat lart duhen me zbrit më poshtë për ta parë realitetin. Kësisoj, pa e tepuar m’u duk se u përbashkuan dy anët e forta të një  artdashurie për ansamblin e Tokës së Katedraleve, për ta dhënë hakën e merituar prej dekadash.

Në ceremoni ku merrnin pjesë të vjetër e të rinj, u nderuan pas vdekjes me titullin “Naim Frashëri”, kompozitori Dorian Nini dhe këngëtari Fran Vorfi. Çfarë ju thonë këto dy emra juve?

Pas dy nderimeve te bëra para pak vitesh si “Mjeshtër i Madh”, të poetit të magjishëm të adresave shqiptare, Gjokë Beci dhe muzikantit të talentuar Mark Gjoka, krejt natyrshëm vinin dhe dy nderime kësaj radhe për mjeshtrin Dorjan Nini dhe Fran Vorfi, të cilët nuk jetojnë më. Edhe pse për artistë të këtyre përmasave kurrë nuk duhet thënë se, “nuk jetojnë më”. Ata janë me ansamblin kudo shkojmë, në çdo skenë, në çdo këngë, në çdo tingull e ritëm, sepse ata ishin gurthemeli. Nuk mund të mendohet ansambli pa poemën e magjishme, thurur me aq finesë e bukuri nga poeti Beci, apo kënga e grupit të burrave që jehonte si piskamë, pa prijësin e grupit të burrave dhe liderin e tyre historik, Fran Vorfi. Por nuk besoj se mund të ketë të dytë muzikant Shqipëria që të bënte atë që bëri Dorjan Nini (i anatemuari i festivalit të 11-të që do sillte stilin e Bitëllsave në Shqipërinë e izoluar marrëzisht) dhe që pas dëbimit për në Mirditën e vogël të Veriut të vendit, do të bënte mrekulli të tilla, që jo vetëm do konstruktonte një ansambël të papërsëritshëm, kënga e të cilit vinte si uragan në 1978-n, porse me këtë risi, do e “modernizonte” gjithë folkun shqiptar.

Po i njëjti titull u dha edhe për Kol Picakun që vazhdon të drejtojë grupe fëmijësh. Në fakt, çfarë ngjarjesh artistike organizohen në Mirditë për fëmijë?

Me Kol Picakun është e lidhur historia e ansamblit, ndër të gjallët e vetëm që i kanë ngelur si muzikantë, sepse ai ka marrë pjesë në të gjithë fest-foklet kombëtare si artist, kërkues burimor, realizues koral dhe prurës motivesh burimore nga zonat, por dhe një nga kolonat kryesore të formatimit të grupit përfaqësues. Pos kësaj, ai është personi që formoi bandën frymore të Mirditës duke e mbajtur e ushqyer për afro 3 dekada e gjysmë si një nga bandat më të mira të vendit. Por Kol Picaku, ka një histori muzikore të re, që rrallëkush e ka në këtë vend. Edhe pse në pension prej 7 viteve, ai vazhdon të punojë si të ishte në vitin e parë të punës. Është një “Dahlin” tipik, që drejton grupe fëmijësh në sa e sa instrumente. Kushdo mund të vijë e te shohë në ca “dhomëza” të vogëla në mjediset e rrudhura të QKF-Rrëshen, ku ai lëviz sa në një grup në tjetrin, sa tek piano, organo, fizarmonika, tek grupi i çiftelive për 7-vjecarë, për 10, 12, 15 e deri tek më të rriturit. 9 çmime të para në takimet mbarëkombëtare me fëmijë dhe çmimin e madh “Ndue Shyti”, pjesëmarrja brenda e jashtë vendit në sa e sa evente. Por ajo që është më e veçanta, formacioni orkestral i të rinjve, të cilët pos muzikës popullore, me instrumente popullore, luajnë edhe muzikën klasike që nga Bah, Bethoven, Moxart, etj.. Është i vetmi formacion i tillë në vendin tonë e ai po e kultivon me pasion të pamatë.

Diçka mbi eventin dhe fjalën e presidentit Nishani mbi traditën, folkun dhe vlerat artistike të Mirditës?

Dhënia e titujve nga Presidenca, nuk është e thënë që gjithnjë të bëhet në sallën përkatëse të këtij institucioni të lartë të shtetit; “të deleguar” të tij i bëjnë dhe në sallat lokale, por vetë Presidenti për ansamblin “Mirdita”, duket se kishte porositur të bëhej pikërisht aty me një pjesëmarrje të gjerë të artistëve dhe atyre që e duan artin e Mirditës. E në fakt, numëri i pjesëmarrësve i kaloi 80 vetë, mbase pak të zhurmshëm për një institucion serioz të shtetit, që nga grupi i fëmijëve, të rinjve e artistëve të moshuar, me rreth 20 kostume të paraqitura dhe plot instrumente popullore. Dukej si një post-fesfolk i këndshëm, që u shijoi aq shumë pritësve dhe sidomos Presidentit. Ishte një aktivitet fill pas takimit të Presidentit me ambasadorin amerikan, rreth orës 12:00. Imagjinoni, këtë lloj “kalimi protokollar” me plot çështje të rëndësishme (të mos harrojmë, për pak ditë mbaheshin zgjedhjet), për t’u relaksuar me gjithçka të bukur paraqiti ansambli “Mirdita” aty, veshjet, orkestralet, këngët lirike dhe epike. Me tan qejfin e tij, na lejoi që pikërisht vendin e dekorimit për disa minuta ta kthenim në skenë për artistët.

Duket se presidenti Nishani ka një simpati të veçantë për krahinën e Mirditës, kjo nisur edhe nga vizitat e mëparshme që ai ka zhvilluar atje…

Mirdita, është një oaz etno-kulturor autentik shqiptar, i shëtitur dhe udhëpërshkruar nga të huaj këtu e gati dy shekuj. Kushdo ka ardhur ka mbetur i befasuar, plot libra interesantë të tyre kanë marrë udhë prej këtyre viseve. Presidenti, ka lexuar rreth historisë dhe kulturës së kësaj treve, por takimin më të bukur me Mirditën e kishte para disa muajve, me nderimin tjetër të madh të abat Prend Docit, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Shkëlqesia e tij erdhi vetë në Mirditë ta jepte këtë nderim, duke vënë në vend një padrejtësi të madhe shekullore ndaj këtij dishepulli të Rilindjes Kombëtare, abat i tre kontinenteve, drejtues i shoqërisë së famshme “Bashkimi” në Shkodër, sendërtues i alfabetit shqip, patrioti i madh me zhgun. Abatin e famshëm pa piedestal, qe pikërisht presidenti Nishani, që u tregu i ndjeshëm ndaj sygjerimeve të elitës studiuese të Mirditës dhe miqve të tjerë akademikë e profesorë që i janë qasur kësaj figure, të lënë padrejtësisht në harresë, për ta vënë në piedestalin e merituar të Kombit.

Pikërisht atë ditë, ai do njihej dhe me ansamblin “Mirdita”, që i kishte përgatitur një sajdi të veçantë me gjithë arsenalin e vet artistik, madje me orkestrinën e vet të famshme, do të bënte një “shëtitje muzikore” me instrumente popullore edhe nga klasikja gjermane, franceze, motive italiane, të Ballkanit etj.. Presidenti u magjeps nga kjo performancë, ashtu si dhe profilimi i shpejtë që i bëmë përgjatë këtij eventi dhe kjo ishte mjaftueshmërisht ndikuese që të artikulonte para artistëve mirditas, “do të jeni në vëmendjen time!”.

Artistët e Ansamblit “Mirdita” i dhuruan Nishanit një çifteli dhe një qeleshe. Pse pikërisht këto dy dhurata?

Në Muzeun e artë të Luvrit, shqiptarët kanë një simbol të vetin tipik, plisin e bardhë (qeleshen). Mbi këtë fabul, i paharrueshmi ynë, Gjokë Beci ka ndërtuar me vargje të thekura poezinë “Plis në Luvër”, ndërsa Edmond Zhulali në pentagram, për ta kënduar furishëm – e them pa tepri – këngëtarja më potente në zhanrin epik, Mrikë Trumshi, që i solli Shqipërisë në 1978-ën “Mic Sokolin dhe legjendën e tij”. Ne menduam që këtë gjë ta sillnim në mënyrë të natyrshme aty në Presidencë, ku pse jo, t’i dhuronim një “plis të bardhë Mirdite e shqiptarie”, si dhe çifteli të prodhuar enkas për Presidentin nga mjeshtrit Përshqefa. Njëherit, në këtë përmbyllje, ftuam edhe Presidentin të këndonte me grupin dhe ai u komportua në mënyrë të habitshme, duke qenë hap për hap në refren. E kam pasur afër dhe kam parë në detaje çfarë hovi shpirtëror i dha ajo këngë Presidentit dhe gjithë sallës. Nuk kishte më bukur!

Në gjysmë shekulli histori, Ansambli juaj numëron qindra krijues, këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë. Duke bërë një retrospektivë në kohë, a janë ruajtur me taban elementët karakteristike të kësaj zone?

Më bie të pres tek muzeu etnografik i ansamblit plot vizitorë të vendit dhe të huaj, profesorë, studentë etj., një muze i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, që na e mundësoi me bujari humanistja austriake, Marianne Graf dhe të bëj një rezyme të këtij ansambli në mbi 60 vite histori. Jo më kot i kemi vënë fotot e vjetra që nga dalja e parë e ansamblit në skenë me një “dasëm mirditore” dhe më pas në festfolket kombëtare, apo pjesëmarrjet në skenat ndërkombëtare. Është një “qytet kulturor disa dekadash” brenda asaj dhome të vogël muzeale, por ka shumë shpirt brenda, disa nuk jetojnë nga artistët, por të tjerët vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot. Ndaj, sidomos të huajve ua themi se ansamblet janë një aset i papërsëritshëm, sepse dhe në kohët izolacioniste, ishin fati kulturor i traditës së vendit, pasi së paku në festivalet foklorike, u ruajtën gjërat e traditës, veshjet, këngët burimore, instrumentet e hershme, ritet për t’u sjellë artistikisht nga bardët dhe interpretuesit, këto shihen me sy aty, por dhe në koncertet tona.

Në këndvështrimin tuaj, si ka arritur Mirdita t’i ruajë kaq mirë zakonet, doket, folkun tipik të saj?

Ka patur disa zëra para ‘90-s se, Mirdita është një “rreth politik fanatik”. Mbase, në disa gjëra ka vërtetësi, sepse ishte treva më e trysnuar dhe e shtypur mizorisht pas rezistencës antikomuniste dhe sidomos shembjes së kishave, ashtit të vet shpirtëror. Kjo luftë e tipit unifikues të “njeriut të regjimit”, nuk mund të mos linte gjurmë dhe në kulturë. Mirëpo, rishtarët e ansamblit nuk e braktisën thagmën interpretuese dhe krijuese të të parëve. Ndaj dhe ekspeditat që bëheshin nëpër zona asokohe orientoheshin tek më të vjetrit, plaka dhe pleq që mbanin në mendje mijëra vargje, fabula, ritme, etj.. Vite më vonë, Mirdita pati fat poetin Beci, i cili edhe pse e pësoi me rebelizmin e tij karakteristik dhe moskonformizmin, duke punuar në llaç, sërish u ringrit për të sjellë ato perla që tashmë janë pasuri e Visareve të Kombit. Ashtu si dhe poetë të tjerë që shkruanin nën anonimatin vrastar për shkak të ceneve biografike. Pa përmendur pastaj vajtojcat e dheut, apo bareshat, prej të cilave u volën thesare të moçme.

Sipas jush çfarë e dëmton më së shumti të shkuarën tonë, Gjergj? Qoftë atë kulturore, qoftë atë artistike dhe historike?

Kemi një të shkuar të “begatë” nëse e kundrojmë në disa aspekte, për të cilat çdo vizitor i huaj është i interesuar, pasi askush nuk vjen këtu për gradaçela. Kjo e shkuar mund të kthehet në thesar turistik, por ama nëse kultura, trashëgimia u lihet në dorë njerëzve të duhur, të ditur dhe humanë dhe jo militantëve të rëndomtë. E dini ju, se dhe lisat e moçëm kanë histori në këtë vend, sidomos në Veri ato kanë qenë vend kuvendesh. Mirëpo, nëse nuk e di këtë gjë, atëherë i sheh ato si druvarë me sopatë në krah dhe jo si kulturolog. Po ashtu shpellat, që ofrojnë turizmin speleologjik aq të kërkuar; kullat e vjetra, apo gjurmimet arkeologjike. Nuk do më harrohet një fakt, kur disa djem të rinj të ardhur nga emigracioni, me bëjnë telefon duke më thënë se në X vend (malor, ku as rrugë nuk ka), duke nxjerrë gurë për shtëpi, i kishin ndërprerë punimet, sepse kishin hasur në disa objekte të çuditshme, të hershme. M’i postuan me viber në telefon dhe nga konsulta me specialistë të fushës, dilnin objekte të kohës neolitike. Pra, në majë të malit. Mirëpo edhe pse ua referova institucioneve të trashëgimisë, askush nuk e mori udhën për atje. Për mua këta njerëz nuk kanë vend në zyrat kulturore të vendit.

Kohët e fundit ansambli “Mirdita” shfaqet mjaft aktiv jo vetëm me ftesa nëpër studio të ndryshme televizive. Mendoni se edhe publiku po ndërgjegjësohet për vlerat e traditës burimore, pas një tranzicioni jo të vogël kulturor?

Më duhet të them, se mediat kanë një përgjegjësi kombëtare, që para se të merren me kronikat e zeza, apo rozë vend e pavend, duke ua shplarë trutë mizorisht shqiptarëve gjithë ditën, duhet të jenë më afër kulturës, aty ku përcillen emocione estetike dhe artistike, ku frymëzohen dhe qetësohen njerëzit e stresuar të kësaj kohe dhe t’ua përcjellin përmes ekraneve. Të them të drejtën, përderisa kishim gatuar gjithë këtë “brum artistik” më shumë sakrificë, pa asnjë lloj ndihme shtetërore, pse ta linim të shkonte në harresë, ndaj iu drejtuam dhe promocionit mediatik dhe për këtë dua të falenderoj disa tv kombëtare, ashtu sikurse dhe juve e dashur gazetare e talentuar e medias, si kulturëdashëse e rrallë e këtij vendi. Vetëm pas këtyre prezantimeve dinjitoze, na thonin: “ua, sa bukur, ku paska qenë Mirdita”! Më besoni se grupe të tilla, ku punohet me pasion e devocion të paparë ka kudo, në çdo skaj të vendit. Më ka rënë të jem në sa e sa konkurime me ta, Shqipëria kulturore është aq e pasur. Mirëpo i njëjti problem si për ne dhe për ata, është “dicka e vockël fare”, as 1 kg naftë nuk na e jep kush për të lëvizur dhe as një shishe ujë për fëmijët artistë, së paku!

Brezi i ri, sa i përqafon, ose jo vlerat e krahinës së saj?

Kjo është e veçanta e grupit kulturor të Mirditës. Kemi dalë në skenat prestigjioze kombëtare çdo vit, që nga TOB, Pallati i Kongreseve, Universiteti i Arteve, Teatri Kombetar, amfiteatrot natyrore të Tiranës, sallat e Sheraton, apo Rogner, por dhe oborret e kullave dhe sheshet e qyteteve, etj., jo me 5, apo 6 artistë, por me gjithë brezat, deri në 70 artistë si rrallë ansambël, ku kemi grupe valltarësh të fëmijëve dhe të rritur, disa formacione orkestrale, solistë, grupin e burrave; me këngë lirike dhe epike; por dhe muzike klasike me instrumente popullorë; mbi 20 variacione kostumesh të traditës, etj.. Të rinjtë e duan traditën po ua kultivove. Ne këtë gjë po bëjmë përditë e më shumë.

A keni një projekt të radhës në mendje dhe cili është ai?

Projekti i rradhës? Janë shumë, shumë. Tani do kemi një bashkëpunim me nje grup gjerman, që luan muzikën rock dhe do integrojmë dhe çiftelitë me ta, orkestrën tonë. Më vonë do kemi një guidë turistike, pastaj disa koncerte për emigrantët në gusht. Por ajo që është më kryesorja, do të jetë konceptimi i politikave më të sakta kulturore, për ta bërë të prekshëm për çdo banor të Mirditës në qytet, apo fshat, në kuadër të bashkisë së madhe. Kam bindje se do krijojmë një oaz të veçantë kulturor në Veriun e Vendit.

 

 

SHKARKO APP