Antishqiptarizmi dhe aspiratat sllave ndaj trojeve shqiptare

Nga Halil Rama/Në një libër voluminoz prej 730 faqesh, me shkrime profesionale – shkencore, të Profesorit të gjeografisë Fejzulla Abdullai, botuar në Detriot në vitin 2016, pohohet dhe argumentohet shkencërisht antishqiptarizmi dhe aspiratat sllave ndaj trojeve shqiptare e të tjera.

Për shkak të sasisë dhe karakterit të materialit, libri është ndarë në dy pjesë dhe gjashtë kapituj. Në pjesën e  parë të ndarë në dy kapituj, janë përfshirë shtetet sllave dhe qëndrimi i popujve sllavë ndaj shqiptarëve dhe trojeve shqiptare me interes të posaçëm strategjik.

Shkrimet e ndryshme me karakter të përgjithshëm ose analiza, janë përmbledhur në pjesën e  dytë.

Rëndësia e këtij botimi konsiston në faktin se ai u vjen në ndihmë të gjithë atyre që merren me punë profesionale shkencore, të cilët mund të gjejnë aty informacionet e nevojshme. Në këtë kontekst, fillimisht bëhet fjalë për krijimin e disa shteteve sllave dhe pastaj për krijimin e shtetit të përbashkët sllav në trojet ilire, që më vonë u quajt me një emër, Jugosllavi dhe, që në kuadër të këtij shteti, përveç popujve sllavë, u përfshinë edhe popujt e tjerë që u gjendën brenda kufijve të tij.

Parë në vështrimin kronologjik, në këtë libër gjejmë “dyndjet sllave në Ballkan; krijimin e shteteve të vegjël sllave dhe aspiratat për zgjerim territorial, si dhe lindjen e idesë për krijimin e një shteti të përbashkët sllav.

Referuar historianit anglez Noel Malkolm, autori hedh dritë rreth disfatave të shtetit serb në mesjetë dhe okupimeve suksesive gjatë shekullit XIX dhe XX, duke u zgjeruar gjer në luginën e Vardarit në Jug.

Brenda këtyre okupimeve, Kosova zë hapësirën më të madhe kohore, ku serbët qëndruan në të më tepër se 250 vjet, gjer në okupimin Osman në shekullin e XV. Madje, autori, jo pa qëllim perifrazon  Noel Malkolm,  i cili si një ndër njohësit më të mirë të historisë së Ballkanit pranon se kishat dhe manastiret ortodokse serbe janë të ndërtuara në mesjetë, por sipas tij, nuk ekziston një vazhdimësi ndërmjet Serbisë së Mesjetës dhe asaj të sotme.

Për faktin se Kosova nga forcat serbe u zaptua për së dyti herë në vitin 1912, duke mos pasur një kontinuitet në zaptimin e saj, autori  Abdullai, konkludon se nuk është e arsyeshme që  serbët këtë vend ta quajnë “djep i Serbisë”, ose “Serbia e vjetër”. Këtë e pohon edhe N.Malkolm, sipas të cilit, me këtë emër Kosova për herë të parë paraqitet në një hartë të Principatës Serbe të vitit 1846.

Mbi bazën e  këtyre referencave, gjeografi Fejzulla Abdullai, si autor i disa punimeve shkencore dhe profesionale të botuara në revistat e njohura “Flaka e Vëllazërimit”, “Birlik”, “Johona” etj., argumenton më së miri se si nën maskën e jugosllavizmit lindi ideja për Serbinë e Madhe.

Jugosllavia lindi në trojet ilire, jo në ato sllave

 Autori i gjashtë librave (pesë prej të cilëve në gjuhën shqipe dhe një në atë maqedone) sjell fakte të pakundërshtueshme për bashkimin e sllavëve në një shtet të përbashkët pas Luftës së Parë Botërore, jo në trojet e ndokujt tjetër, por në ato të ilirëve autoktonë të paraardhësve të shqiptarëve. “Shteti revolucionar i sllovenëve, kroatëve dhe serbëve, siç e quanin nismëtarët e bashkimit sllav, i hapi rrugën mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve të shpallin shtetin e përbashkët më 1 dhjetor 1918, por kuptohet, të sunduar nga Beogradi nën udhëheqjen e familjes së Karagjorgjeviçëve”,-shkruan autori Abdullai) fq.19 e librit). Dhe siç dihet nga historia, ky shtet i posaformuar u njoh pas 6 muajsh në Versajë nga Fuqitë e Mëdha, më 28 qershor 1919. Kombet e tjerë, siç ishin maqedonët nuk njiheshin si komb më vete, por serbë. Myslimanët në Bosnjë u njohën vetëm si etnitet i veçantë fetar, ndërsa shqiptarët që qenë me një numër mjaftë të madh, u injoruan krejtësisht.

Kushtetuta e vitit 1921, shtetin e ri e përcakton si monarki kushtetuese parlamentare.

Me fitoren që korrën popujt sllavo-jugor (jugosllavë) gjatë Luftës së Dytë Botërore (kuptohet edhe me pjesëmarrjen e iliroshqiptarëve) patën mundësinë që prapë të krijojnë një shtet të ri jugosllav në trojet ilire. Themelet e këtij shteti u vunë më 29 Nëntor 1943, dhe, në dallim prej të parit, rregullimi shoqëror është federative, me orientim socialist. Gjatë gjithë periudhës kohore të ekzistencës së këtij shteti sllavo-jugor me emrin Jugosllavi, pati mosmarrëveshje në fushën politike dhe në atë ekonomike, efektet negative të të cilave u ndjenë dukshëm veçanërisht në Kosovë, të cilës vetëm me Kushtetutën e vitit 1974 iu dha Statusi i Krahinës Autonome.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore klanet shoviniste serbe aktivizuan projektet e  viteve ’30 të shekullit XX për spastrimet etnike në vend. Parë nga ky këndvështrim, bazuar dhe në fakte historike, autori Abdullai konkludon se “Intenca kryesore e tyre ka qenë shfarosja definitive e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore”. Gjithsesi ai na njeh me faktin se sllavët e rajonit të Ballkanit ku jetonin ilirët (paraardhësit e shqiptarëve) krijuan dy herë shtetin e tyre, duke i ngulitur shqiptarët në pjesën jugperëndimore të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu evidentohet në libër shpërngulja më e madhe e shqiptarëve në drejtim të Turqisë në vitet ‘50-të të shekullit të kaluar.

Përmasat e antishqiptarizmit në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë

Vitet ‘90-të shekullit të kaluar qenë vendimtare për republikat, por jo edhe për krahinat që ishin në përbërjen e Serbisë. Në këtë periudhë kohore kur u shpërbë definitivisht Federata Jugosllave, kemi edhe genocidin më të pashembullt serb, sidomos ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Lufta që u shkaktua në truallin Kosovar, në fillim nuk qe frontale, kjo nga fakti se Kosovës shqiptare, si

krahinë e okupuar, të drejtat politike i qenë suprimuar nga regjimi fashist “millosheviçian”, por më pas ato morën përmasa të gjera me zgjerimin dhe organizimin e UÇK-së…dhe pas dëbimit masiv të kosovarëve nga trojet e tyre etnike kemi ndërhyrjen e NATO-së, që solli edhe rënien e sistemit diktatorial të Beogradit dhe krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Definitivisht, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran dhe sot këtë shtet e kanë njohur mbi 50 vende të botës.

Në periudhat e mëvonshme kohore, autori analizon edhe orvatjet e Serbisë për të përvetësuar trojet shqiptare edhe me luftë diplomatike. Gjithsesi, në tërë analizën e tij, autori arrin në dhjetë përfundime, ndër të cilat “Shpërbërja e Jugosllavisë së fundit nuk solli largimin e sllavëve nga trojet ilire, por tani të përçarë, po ashtu në trojet e njëjta ilire krijuan shtetet e veçanta të tyre”. Sipas autorit Abdullai – ish- profesor i gjeografisë në Manastir, “Trojet shqiptare shtrihen në Ballkanin Jugperëndimor me një pozitë gjeografike dhe gjeostrategjike të lakmueshme për popujt e tjerë. Ndaj popujt sllavë të ardhur nga stepat ruse kurdoherë kanë synuar që t’i okupojnë”.

Më tej, të një rëndësie të veçantë janë konstatimet mbi pozitën aktuale gjeopolitike të Serbisë, në kërkim të rrugëve natyrore që do t’i mundësonin asaj dalje në det, apo dhe për  luftën diplomatike serbe për realizimin e politikës ekspansioniste. Kjo edhe për faktin se Serbia mbetet e angazhuar në një luftë të ashpër diplomatike, edhe tani kur Kosova është shtet Sovran dhe i pavarur, duke dashur të tregohet para faktorit ndërkombëtar se është vend stabilizues në Ballkan.

SHKARKO APP